Përkujtesa historike e 24 marsit 1999: Bombat e NATO-s dhe fundi i pushtimit serb në Kosovë

Shkrime relevante

Kohë maskarenjsh…, apo kur morali shoqëror struket në vrima?!

Afrim Caka, Gjakovë ____ ERDHI KOHA E MASKARENJEVE, MORALI SHOQERISE STRUKET VRIMASH Ku ka...

Mark Gjonaj kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe jep dorëheqje nga Këshilli Koordinues i Diasporës

Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut dhe i Asamblesë së...

Reagim i intelektualëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Mërgata Shqiptare në botë për dhunën policore ndaj të rinjve e të miturve në Shqipëri

RRJETI I INTELEKTUALËVE MBARËSHQIPTARË, me seli në Tiranë, Shqipëri DHE MËRGATA SHQIPTARE NË...

Malli midis birit dhe nënës kapërcen dhe vdekjen, analizë poezisë së Sinan Vakas, “Letër nënës pas vdekjes”

Nga Kujtim Mateli Malli midis birit dhe nënës kapërcen dhe vdekjen Poezia “Letër...

Shpërndaj

Jusuf BUXHOVI, historian dhe shkrimtar nga Prishtina
Përkujtesë historike: 24 mars 1999
Fushata ushtarake ajrore e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore jugosllave në Kosovë dhe Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, paraqet një ngjarje gjeostrategjike të përmasave botërore, jo vetëm pse parandaloi soldateskën e Millosheviqit që çështjes së Kosovës t’i japë zgjidhje ushtarake në përputhje me projektin e pastrimit etnik të saj me mjetet e luftës, por edhe për atë se Aleanca Veriatlanike e drejtuar nga administrata amerikane, në pesëdhjetëvjetorin e saj, ndryshoi edhe karakterin, nga faktori i sigurisë veriatlantike, që kishte gjatë bipolaritetit blokist, tek krijuesja e paqes.
Veprimi ultima ratio i NATO-s, ndonëse theu edhe rendin e deriatëhershëm botëror të sovranitetit shtetëror, u bë me pretekste humanitare në përputhje me pikën shtatë të kartës së OKB-së, me të cilën parashihet ndërhyrja humanitare në rastet kur shteti përdor mjetet ushtarake kundër pakicave ose grupeve etnike. Vendet perëndimore në krye me SHBA-të ia dolën që në nëntor të vitit 1998, pas masakrave të forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Drenicë, gjatë marsit, me ç’rast u masakruan familje të tëra (të Delijajve, Jasharëve e të tjera) si dhe ofensivës së verës dhe vjeshtës ndaj grupeve të UÇK-së në gjithë vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxjerrin një rezolutë (1353) ku bëhet fjalë për krizën humanitare që kërcënonte popullatën e Kosovës, veçmas zhvendosjen e mbi 200 mijë vetave që u ishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat. Kjo, megjithatë, nuk e ndaloi regjimin e Beogradit, që përkundër marrëveshjeve me OSBE-në, OKB-në dhe NATO-n, për ndërprerjen e luftimeve dhe kthimin e të zhvendosurve, duke siguruar kushie për to, të vazhdojë misionin për pastrimin etnik të Kosovës me anën e provokimeve luftarake, siç ishin masakra e Raçakut në janar të vitit 1999 si dhe krimet tjera në Rugovë të Hasit dhe pjesë të tjera të pambrojtura, ku përherë pretekste gjendeshin te”provokimet” e njësive të UÇK-së, ndonëse në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi kishte shpallur fitoren ndaj “terroristëve shqiptarë”.
Sjellja e tillë e Millosheviqi, në shkurt të vitit 1999, i detyroi perëndimore në krye me SHBA-të, që luftën e deriatëhershme diplomatike ndaj Beogradit ta kthejnë në diplomaci të luftës. Kjo u pasqyrua më së miri me thirrjen e Konferencës ndërkombëtare të Rambujesë nga 6 shkurti deri më 18 mars, me ç’rast, delegacionit të shqiptarëve të përbërë nga përfaqësuesit e LDKS-së, UÇK-së, LBD-së dhe dy përfaqësuesve të pavarur si dhe delegacionit të Serbisë,iu ofrua një pako kushtesh ultimative për ndërprerjen e luftimeve dhe krijimin e rrethanave të paqesh, të cilat, në formë e një letre zotuese, u pranuan nga shqiptarët, por u refuzua nga Millsheviqi, me çka u krijua casus belli për fushatën ushtarake 78 ditësh, që përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës midis gjeneralëve të NATO-s dhe Armatës Jugosllave për tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit ia hapi rrugën rezolutës 1244 të KS të OKB-së të 12 qershorit, me të cilën Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar nën përgjegjësinë e misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, që zgjatën deri më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.
Natyrisht se 24 marsi i vitit 1999, si ngjarje që pas fushatës njëmbëdhjetë javësh ajrore të NATO-s i dha fund pushtimit 87 vjeçar serbo-jugosllav të Kosovës, nuk duhet parë të shkëputur nga zhvillimet shoqërore politike që përcollën fatin e Kosovës dhe të pjesëve të tjera të etnisë shqiptare të shkëputura dhunshëm nga trungu i saj me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, atyre të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1920, Konferencës së Jaltës dhe veçmas ato që solli përfundim i Luftës së Dytë botërore, pas intermexos së shkurtër të “bashkimit” të pjesshëm (1941-1944), meqë ato vazhdimisht pasqyruan kundërshtimin pushtimit serbo-jugosllav me kryengritje, luftë kaçake dhe forma të tjera të rezistencës popullore paçka se u përcollën me shtypje dhe terror të egër policor dhe ushtarak. Natyrisht se përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe përkatësi botës perëndimore nuk u shuan as atëherë, kur pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, ideologjia komuniste si dhe bashkëpunimi internacionalist shqiptaro-jugosllav në frontin e përbashkët antifashist në rrethanat e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës dhe Beogradit, Kosovës ia riktheu pushtimin serb bashkë me metodat e njohura antikombëtare (terrorin shtetëror ndaj “kundërrevolucionarëve” dhe “kuislingëve”, kolonizimin e serbëve të përcjellë me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi) si dhe metodat tjera të dhunës shtetërore, që vazhduan deri në vitin 1966. Periudha postbrioniane, e pasqyruar me përpjekjet për barazi, që në demonstratat e vitit 1968 patën për moto kërkesën për Republikën e Kosovës, hapën kapitullin e luftës për zgjerimin e identitetit kulturor, arsimor dhe zhvillimit ekonomik mbi bazat institucionale, që për pikënisje kishin shkëputjen nga Serbia nëpërmes lidhjes me federatën jugosllave, siç do të arrihet me kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa legale për barazi në federatë nga klasa intelektuale dhe ato të grupeve ilegale, që vepruan vazhdimisht me platformën e çlirimit dhe të bashkimit qoftë edhe me anën e irredentizmit ideologjika të bazuara mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve, u bënë kompatabile dhe u vunë në binarët e njëjtë politik, çastin që Beogradi, më 23 mars 1989, n rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës. Lëvizja kombëtare që u themelua më 23 dhjetor 1989, nepërmes një puçi kushtetues, mori përsipër procesin e rezistencës institucionale (me shtetin paralel), e cila, në vitin 1997, me daljen në skenë të UÇK-së nga shtrati i guerilë së Kosovës, vuri në veprim diplomacinë e luftës. Pra, angazhimi dhe mundi i shumë gjeneratave për barazi dhe liri, ku nuk u kursye edhe gjaku, e mbi të gjitha përcaktimi që çlirimi nga Beogradi të bëhet me ndihmën e Perëndimit (SHBA-ve dhe NATO-s), këtij procesi historik ia siguruan suksesin, që solli edhe shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të këtij shekulli.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu