ARKIVI:
11 Qershor 2026

Një ambasador amerikan, i cili ndërtoi ura të përhershme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ndërroi jetë

Shkrime relevante

Tre burra iu bashkuan Shtetit Islamik, planifikuan vrasjen masive të forcave speciale amerikane

Shteti Islamik, foto ilustrues. Burimi: Wikimedia. Njëri nga të dyshuarit, Bereen...

Prizreni nderon Lidhjen Shqiptare: Pas 148 vitesh, fryma e bashkimit kombëtar mbetet e gjallë!

Në ceremoninë qendrore morën pjesë edhe përfaqësues nga Sanxhaku dhe Ulqini,...

Jusuf Buxhovi për NATO-n dhe trupat ruse në Prishtinë

Jusuf Buxhovi, historian Reagim NATO DHE TRUPAT RUSE NË PRISHTINË - Prej vitesh, politika...

Vlora pas 12 ditësh protesta: mes zhvillimit, korrupsionit, opozitës së lodhur dhe propagandës anti-perëndimore

Luan Dibrani, Durrës Një protestë që nisi si shqetësim qytetar, por po...

Dasma e madhe vazhdon të festohet

Isuf Bajraktari, Suedi Ka libra që i lexojmë për të njohur të...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

Ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff Hovenier në portalin e Ambasadës amerikane në Prishtinë njoftoi lajmin e zi për kalimin e parakohëshëm në amshim të Ambasadorit dhe diplomatit të njohur amerikan, John Menzies, 1948-2022.

“Mbajmë zi për humbjen e një kolegu dhe diplomati të dalluar, Ambasadorit John Menzies. John, ishte një mbështetës besnik dhe i palëkundur i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Në detyrën e tij si diplomat dhe edukues ai preku aq shumë jetë njerzish dhe ndërtoi ura të përhershme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme.”

Ambasadori Hovenier e ka fjalën për shërbimin me dinjitet të John Menzies në Bosnje, ku i ndjeri ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, por edhe në Kosovë në vitet 2001-2002 — “Në vitet më të errëta të ditëve tona”, siç u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, me rastin e kalimit në amshim të këtij burri të madh të diplomacisë amerikane. Në ngushëllimin përcjellur familjes dhe miqëve të Ambasadorit Menzies, Presidentja e Kosovës shkroi se, “Ai shërbeu në Kosovë në ditët tona më të errëta dhe i përforcoi thirrjet tona për paqë dhe pavarësi”, ka thënë Presidentja Osmani. “Ambasadori John Menzies”, tha në vijim Presidentja e Kosovës, ishte, “mik i madh i vendit tonë dhe ish-Shef i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, në një kohë të vështirë për Kosovën.  “Ai shërbeu në Kosovë në ditët tona më të errëta dhe i përforcoi thirrjet tona për paqë dhe pavarësi”, përfundon Zonja Osmani mesazhin e saj të ngushëllimeve të sinqerta dërguar, në emër të Kosovës, familjes dhe miqëve të diplomatit John Menzies.

Të ndjerin John Menzies e kujtoj edhe unë nga vitet e shërbimit tim në Zërin e Amerikës, si dhe nga disa takime në Washington dhe më vonë në Nju Jork. Ai  vinte shpesh i ftuar në intervista, për të diskutuar gjëndjen në Ballkan, me shërbimet e programeve radio-televizive drejtuar vendeve ballkanike, sidomos shërbimit boshnjak por edhe të tjerave.  Diplomati Menzies ishte mjaft i lidhur edhe me komunitetet amerikano-ballkanike, sidomos me shqiptarët dhe me boshnjakët – ndërkohë që edhe merrte pjesë i ftuar edhe në takime me përfaqësues të këytre komuniteteve. Kishte marrëdhënie të mira me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – veçanërisht gjatë shërbimit të tij në Misionin e SHBA-ve pranë OKB-së —  ndërkohë që kishte lidhje të ngushta edhe me Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën.

Në një mesazh lamtumire, ish-përfaqësuesi i Ibrahim Rugovës në Zyrën e ish-Senatorit Robert Dole dhe aktualisht Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Elmi Berisha — Lamtumirë Ambasador John Menzies! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com) – e cilëson ish-diplomatin amerikan në Kosovë, si një “humanist dhe misionar që Zoti u dërgon kombeve të lashta dhe liridashëse”, siç ishin shqiptarët.

Kryetari i Vatrës, sikur po shprehej në emër të gjithë shqiptarëve që e kanë njohur dhe atyre që nuk e kanë njohur ish-diplomatin Menzies dhe veprën e tij në mbështetje të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve, lirisë dhe pavarësisë  që gëzon sot Kosova, duke thenë, ndër të tjera:   “E deshte shumë Kosovën, Presidentin e saj historik, ishe më shumë se ambasador në Kosovën e pas luftës, na inkurajoje dhe na jipje shpresa reale se Kosova de fakto është shtet i pavarur, besove dhe punove shumë që kjo të jetësohet! Nga njerëzit e kalibrit Tuaj ndryshohen rrjedhat e politikës, ato shoqërore dhe të historisë. Kështu do të kujtoheni nga shqiptarët dhe Kosova, z. Ambasador”, ka shkruar Z. Elmi Berisha me rastin e kalimit në amshim të ish-përfaqsuesit amerikan në Kosovën e pas luftës.

I ndjeri John K. Menzies (djathas) John Menzies me Pres. Ibrahim Rugova me Z. Elmi Berisha

Pas daljes në pension nga Departamenti Amerikan i Shtetit, John K, Menzies ka shërbyer në shumë detyra akademike të Shteteve të Bashkuara, përfshir dekan i Whitehead School of Diplomacy and International Relations at Seton Hall University; në University of California, Berkeley dhe në University of Arkansas.

Menzies ka shërbyer edhe si president i Graceland University in Lamoni, të shtetit Iowa, shtator 2002, gusht 2006. Ish-Ambasadori Menzies ishte përgjegjës për regjistrimin e më shumë se 300-studentëve ndërkombëtarë në Graceland University, duke tërhequr shumicën e tyre nga vendet ballkanike.

Në janar të vitit 2006, Z. Menzies vizitoi Kosovën për këshillime në lidhje me bisedimet përfundimtare për pavarësinë e Kosovës, bisedime, që në atë kohë po mbaheshin në Vjenë. Përveç Kosovës dhe Bosnjës, ai ka shërbyer si diplomat edhe në Hungari, ish-Gjermaninë Lindore dhe në Bullgari. Zyra e Presidentit të Kosovës, në vitin 2014 ka dekoruar Z. John Menzies me Medaljen Presidenciale, dekorata më e lartë e shtetit të Kosovës.

John K. Menzies – edhe një mik i madh i shqiptarëve ndërroi jetë

Fatkeqësisht, miqtë e Kombit Shqiptar të 50-viteve të kaluara duket sikurë po zhduken dal ngadalë – sidomos ata në radhët e diplomacisë dhe të politikës amerikane.  Po zhduken ata që, në të vërtetë, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndërtuan ura midis dy kombeve tona dhe të cilët u qëndruan besnikë dhe të palëkundur lidhjeve historike midis dy popujve tanë.

Pushofsh në paqë, John K. Menzies!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu