Kosova: Gëzuar 4 Korrikun!

Shkrime relevante

Mark Gjonaj kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe jep dorëheqje nga Këshilli Koordinues i Diasporës

Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut dhe i Asamblesë së...

Reagim i intelektualëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Mërgata Shqiptare në botë për dhunën policore ndaj të rinjve e të miturve në Shqipëri

RRJETI I INTELEKTUALËVE MBARËSHQIPTARË, me seli në Tiranë, Shqipëri DHE MËRGATA SHQIPTARE NË...

Malli midis birit dhe nënës kapërcen dhe vdekjen, analizë poezisë së Sinan Vakas, “Letër nënës pas vdekjes”

Nga Kujtim Mateli Malli midis birit dhe nënës kapërcen dhe vdekjen Poezia “Letër...

Ne ende nuk jemi popull i lumtur

Nga: Atdhe Geci NE ENDE NUK JEMI POPULL I LUMTUR Poezi Ne ende nuk...

Kush me kë është – me ne apo me ata?

Isuf Bajraktari, Suedi Shqipëria ndërmjet lirisë, pushtetit dhe përgjegjësisë historike Ka pyetje që...

Shpërndaj

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë që para çerek shekulli. I pranishëm në festën e hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë në 5 Qershor 1996 shkruaja edhe kronikën: Flamur i shpresës për Kosovën…/

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:

Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, është e përhershme/

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti: Në këtë ditë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteti i Kosovës i bashkohet festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve, partnerë dhe aleatë të pazëvendësueshëm në arritjet tona.

Gëzuar 4 Korrikun!

Gazeta DIELLI dhe DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  4 Korrik 2021/ Në Kosovë festohet tradicionalisht 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 25 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 13 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Para dy vitesh, në 4 Korrik 2019 Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes që u mbajt për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur edhe u zhvillua  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Dhe, këtë vit, në 29 Qershor 2021 Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Amerikane në Prishtinë për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale me një sipërfaqe prej 8,340 metra katrorë, për ndërtimin e Rezidencës së re për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Në 2 Korrik 2021 u njoftua se  Presidenti Amerikan, Joe Biden, ka nominuar Jeffrey M. Hovenier, për ambassador të ri në Republikën e Kosovës, si pasues të Philip Kosnettit.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

 Para mëse 25 vitesh, në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 5 Qershor 1996. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996,  isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…

Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë  shkruante:

Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane

“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”

-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim  Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.

Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:

“Deklaratë e Presidentit Rugova

Ditë historike për Kosovën

Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”

Në faqen e parë botohej edhe raportimi  me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton.

E në faqen 3 të gazetës së rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin

“Flamur i shpresës për Kosovën

(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:

“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.

Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.

Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.

Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….

Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 13 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë,ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 22 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në urimet e krerëve të shtetit të Kosovës përkujtohet se, sot është ditëlindja e 245-të e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shkruan:

Sot, populli amerikan feston 245-vjetorin e pavarësisë, kurse ne miqtë e tyre bashkëfestojmë me ta, ngaqë kjo ditë na e kujton rolin e këtij kombi të madh për jetësimin e synimit tonë për të jetuar të lirë e të mosvarmë.
Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri.
Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan.
Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme”.

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shkruan:

Idetë dhe idealet më fisnike, besimi në liri, barazi dhe të drejta individuale, përfshirë të drejtën e çdo personi për të kërkuar lumturinë – që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, vazhdojnë të frymëzojnë popuj e individë anembanë botës.

Në këtë ditë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteti i Kosovës i bashkohet festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve, partnerë dhe aleatë të pazëvendësueshëm në arritjet tona.

Gëzuar 4 Korrikun!

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, uron: Gëzuar 4 Korrikun Amerikë! 

Me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon këtë mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane:  

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës e uroj Qeverinë dhe popullin e SHBA-ve, për Ditën e Pavarësisë – 4 Korrikun.  

Sot, ShBA-të festojnë ditën e pavarësisë, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen e popullit amerikan drejt arritjes së synimeve dhe idealeve për liri dhe pavarësi. Që nga ai moment Shtetet e Bashkuara në politikën botërore mbajnë flamurin e lirisë dhe demokracisë.  

Për Kosovën ShBA-të ishin dhe janë aleati jetik në ekzistencën tonë si komb dhe si shtet. Në momentet më kruciale kur populli ynë po ballafaqohej me jetë apo vdekje, Shtetet e Bashkuara vepruan në mbrojtjen e idealit për liri dhe çlirim, ideal dhe synim që e kanë të brumosur në vet gjenezën e tyre si shtet nga etërit themelues.   

Kosova në gjithë këtë rrugëtim deri më sot, ka arritur falë mbështetjes së pa rezervë të ShBA-së, fillimisht në luftën për liri e më pas edhe në shpalljen e pavarësisë dhe tani e tutje në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.  

ShBA-të mbeten vendi mik më i mirë i Kosovës, si dhe raportet tona të ngushta nuk lejojmë asnjëherë të zbehen. Përjetësisht mirënjohës!  Zoti i Bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikës. 

Me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon këtë mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane:

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës e uroj Qeverinë dhe popullin e SHBA-ve, për Ditën e Pavarësisë – 4 Korrikun.

Sot, ShBA-të festojnë ditën e pavarësisë, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen e popullit amerikan drejt arritjes së synimeve dhe idealeve për liri dhe pavarësi. Që nga ai moment Shtetet e Bashkuara në politikën botërore mbajnë flamurin e lirisë dhe demokracisë.

Për Kosovën ShBA-të ishin dhe janë aleati jetik në ekzistencën tonë si komb dhe si shtet. Në momentet më kruciale kur populli ynë po ballafaqohej me jetë apo vdekje, Shtetet e Bashkuara vepruan në mbrojtjen e idealit për liri dhe çlirim, ideal dhe synim që e kanë të brumosur në vet gjenezën e tyre si shtet nga etërit themelues.

Kosova në gjithë këtë rrugëtim deri më sot, ka arritur falë mbështetjes së pa rezervë të ShBA-së, fillimisht në luftën për liri e më pas edhe në shpalljen e pavarësisë dhe tani e tutje në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

ShBA-të mbeten vendi mik më i mirë i Kosovës, si dhe raportet tona të ngushta nuk lejojmë asnjëherë të zbehen. Përjetësisht mirënjohës!

Zoti i Bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar:

Urimet më të përzemërta për popullin dhe shtetin amerikan, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

4 korriku përçon mesazhin e idealeve të larta dhe vlerave universale të demokracisë. 4 korriku është vet mesazhi i lirisë së kombeve.

Kosova do të jetë gjithmonë përkrah Amerikës, e cila është shembull që ne me krenari e ndjekim. Andaj 4 korriku është edhe festë e jona.Urime

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu