Demosteni [Δημοσθένης / Demostenes (384 – 322)], nga viti 346 p.E.s. që bërë udhëheqës i “shtetit” të Athinës. Ai mbahet mend për fjalimet e tij publike në Agora (sheshi qendror i Athinës), kundër Filipit II (382-336), i cili ishte mbret i Makedonisë. Ato fjalime Ciceroni i ka quajt Filipika, prandaj ky karakterizim përdoret gjithandej.
Pra, një e dhënë e rëndësishme në historinë e lashtë dhe në pyetjen e vazhdueshme nëse makedonasit ishin “grekë”, – në vitet përkatëse nuk përdorej emërtimi GREKË për banorët e Athinës dhe “shteteve” tjera në Europën Juglindore, – është oratori dhe sundimtari athinas Demosteni. Ai ka lënë prova të rëndësishme mbi këtë çështje, të cilat po trajtojë shkurtimisht me këtë rast. Shkurt e shqip: Demosteni e bëri të qartë e çfarë mendonin grekët e lashtë për makedonasit.
Meqë Demostini pas Paqes së Filokratit në vitin 346 p.E.s. u bë burrështetas kryesor i Athinës, deklaratat e tij për përkatësinë etnike të makedonëve kanë rëndësi të madhe. Mendimeve të tij u jepet edhe më shumë peshë nga fakti se, si një burrështetas kryesor i Athinës, ai krijoi një aleancë kundër Filipit II të Makedonisë.
Edhe njëherë: etiketa “Filipika” i referohet fjalimeve të Demostenit kundër mbretit makedonas, i cili po zgjeronte pushtetin e tij dhe po përpiqej t’i bashkonte / nënshtronte të gjithë banorët e Europës Juglindore. Demosteni i rezistoi kësaj me gjithë fuqinë dhe fjalët e tij.
Fjalimet e njohura të Demostenit, si “fjalimet e Olynthianëve”, “mbi Paqen” dhe “mbi Halonnesosin”, gjithashtu bien nën epitetin “Filipika”.
Po sjell një citat nga “Filipika”:
[Filipi] “jo vetëm që nuk është grek, por as edhe i lidhur me grekët”.
Në fragmentin tjetër të Demostenit, të cilin ai e shqiptoi në fjalimin e tij të tretë kundër Filipit, lexojmë:
“(…) Megjithatë, ata [tabanët] nuk kanë asnjë rezervë të tillë për Filipin dhe sjelljen e tij të tanishme, megjithëse ai jo vetëm që nuk është grek ose i lidhur me grekët, por as barbar nga ndonjë vend që mund të emërohet me nder, por një horr i bezdisshëm nga Makedonia, nga ku nuk ka qenë kurrë e mundur të blihet një skllav i mirë.”
Së pari, Demosteni e quan Filipin barbar, gjë që në sytë e “grekëve të lashtë” ishte njëkohësisht sinonim për një jo-“grek” ose një të huaj. Propaganda moderne helene përpiqet ta interpretojë këtë si një “deklaratë politike”, sepse, midis athinasve, nuk ishte e pazakontë që “një grek ta quante një grek tjetër barbar”.
Megjithatë, ky argument është vetëm pjesërisht i saktë. Po, kishte shembuj të tjerë ku “grekët” i referoheshin njëri-tjetrit si barbarë. Megjithatë, nuk duhet harruar se bëhet fjalë për antikitetin, kur nuk kishte “Greqi” të bashkuar (qoftë si shtet apo perandori), apo edhe një popull “grek”.
Digresion:
Me sa di unë, vetëm Aristoteli duhet ta ketë përmend një popullatë me emrin GREK, e cila jetonte në Bregdetin e Detit Jon, vizavi me Etrusket, në Bregdetin përball, po të Detit Jon. Duhet të ketë qenë bashkëpunimi mes të atyre GREKËVE dhe ETRUSKËVE që e kishte popullarizua këtë emër në Perandorinë Romake, prandaj pas pushtimit të Europës Juglindore nga Romakët (220 – 146), romakët e quajtën “zyrtarisht” GREQI pothuajse gjithë Europën Juglindore dhe qysh atëherë është bërë emërtim i pa saktë, por që përdoret gjithandej. As Demosteni asnjëherë nuk e ka quajt veten dhe bashkëqytetarët e Athinës GREKË, sepse nuk e ndienin veten GREKË.
Shqip e shkurt: Filipi II i Makedonisë nuk ishte “grek”, siç nuk ishte as Demosteni.
Pyetje retorike: Nëse Filipi ishte makedon, si është quajt etnia e Demostenit?



