
Policia e Kosovës, përmes angazhimit të njësive elitare si NJRSH, NJSO, NJTM, NJSI dhe kapaciteteve K9, demonstroi aftësi të gatshme për të vepruar me intensitet të menjëhershëm, saktësi operative dhe koordinim të plotë. Integrimi i njësive të inteligjencës operacionale dhe atyre hetimore u bë pjesë e ushtrimit, duke siguruar analiza të hershme, identifikim të sinjaleve të kërcënimeve hibride dhe ndërtim të profilit të rreziqeve potenciale.

Një tjetër mësim i rëndësishëm i nxjerrë nga ky ushtrim lidhet me nevojën urgjente për të futur helikopterët në inventarin operativ të Policisë së Kosovës, duke krijuar kapacitete ajrore që shtojnë një dimension kritik në menaxhimin e emergjencave civile me pasoja të shumta dhe lëndime. Trajnimi i kryer tregoi se përdorimi i mundëshem i helikopterëve për ndërhyrje nga ajri, evakuim emergjent, transport të personelit dhe neutralizim të kërcënimeve në terren të rrezikshëm është vendimtar për reagim të shpejtë, të koordinuar dhe profesional ndaj incidenteve madhore.

Integrimi i mundëshem këtij aspekti në ushtrim në të ardhmen, së bashku me njësitë speciale dhe njësitë e inteligjencës, tregon qartë se një strukturë gjithëpërfshirëse që kombinon forcën operative, aftësitë analitike dhe menaxhimin e situatave komplekse është e domosdoshme dhe kërkon që helikopterët të bëhen pjesë e kapaciteteve standarde policore sa më parë.
Rritja e kërcënimeve me dronë, sulme hibride dhe incidente me pasoja të shumta civile e bën të domosdoshme që Policia e Kosovës të ketë kapacitete efektive të detektimit, neutralizimit dhe reagimit të menjëhershëm. Ky ushtrim tregon se vendi po përparon drejt një arkitekture sigurie të bazuar në standarde të NATO-s, ku reagueshmëria, precizioni, ndërveprimi me partnerët ndërkombëtarë, inteligjenca dhe aftësitë e menaxhimit të emergjencave formojnë një tërësi të qëndrueshme. Forcat e reagimit të shpejtë, njësitë speciale, komponentët teknikë dhe inteligjenca kanë demonstruar se mund të përballojnë çdo situatë që cenon objektet diplomatike, institucionet publike apo infrastrukturën kritike.
Në një rajon të mbushur me sfida komplekse sigurie, ky nivel i lartë profesional e vendos Kosovën si një shtet të gatshëm, të përgatitur dhe të aftë për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm. Vlerësimi i jashtëzakonshëm nga strukturat e sigurisë së Ambasadës Amerikane dëshmon qartë aftësinë, besueshmërinë dhe besimin e ndërtuar ndaj institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës. Prandaj mbështetja e vazhdueshme e Ambasadës Amerikane nuk është e rëndësishme vetëm për Policinë e Kosovës, por forcon gjithë arkitekturën e sigurisë së Republikës së Kosovës.