
Idriz Zeqiraj, Gjermani
___
Shoqata e mirënjohur që mbanë emrin e heroit të shumëdashur “Kadri Zeka”, në Kirchheim Teck, në Gjermani, kremtoi përvjetorin e 113-të të Pavarësisë të Shqipërisë londineze dhe të ngritjes të Flamurit Kombëtar në Vlorën heroike. Shoqata është themeluar më 12 shtator 1992, në Nürtingen, me nismen e veprimtarit të hershëm, Xhafer Leci, kryetar shumëvjeçar i Aktivit të LDK-së, në Kirchheim Teck dhe delegat i Degës në Gjermani. Është një ndër Shoqatat shqiptare më jetëgjata dhe më aktivet në nivel të Gjermanisë dhe më gjerë. Kontributet e saja për Atdheun-Kosovë janë të shumta dhe të shumëllojshme, në veçanti, ato materiale, siç është begatimi i Fondit shtetëror i 3 %-shit dhe aksione tjera në vijimësi, që kalojnë 6 (gjashë) shifrorin në numra.
Organizimi i Shkollës shqipe, ruajtja e kulturës dhe traditave kombëtare, bashkëpunimi me palën vendore, afirmimi i çështjes shqiptare në Gjermani, integrimi në shoqërinë gjermane, kanë qenë pjesë e veprimtarive 33-vjeçare të Shoqatës atdhetare, simpatike humanitare, kulturore dhe artistike “Kadri Zeka”.
Përgjatë tej tri dekadave jetë të kësaj Shoqatë kanë punuar, vepruar dhe kontribuar shumë dhjetëra-qindra veprimtarë të devotshëm dhe mijëra anëtarë mërgimtarë të përkushtuar, Andaj, natyra e këtij shkrimi, nuk na mundëson t`i përmendim me emra masiv. Kufizohemi që në përfaqësim të tyre, të citojmë disa nga veprimtarët që kanë bërë emër dhe janë ende në jetë: Xhafer Leci, në prag të 80 viteve, Faredin Emërllahu, Arban Hoxha, Bedri Islami, Taxhidin Bakija…, ndërsa, tashmë, në amshim: Qemail Morina dhe Hajrullah Matoshi.
Kryesia aktuale e Shoqatës përbëhet nga Taxhidin Bakija, kryetar, Selami Morina, nënkryetar, Ramadan Zeka, sekretar, Fatmir Krasniqi, arkatar, Xhafer Leci, Kryetar Nderi, Hamza Brahimi dhe Islam Shahini, anëtarë kryesie.
I parë në foto kryetari i shoqatës Taxhidin Bakija
Manifestimi shënues i Shpalljes të Pavarësisë, hapet me intonimin e Hymnit Kombëtar, me dëgjim të ngritur në këmbë.
Moderatorja simpatike, Klodjanë Shkoza-Bala, gazetare, përshëndet të pranishmit, duke i falenderuar për pjesëmarrjen e tyre fisnike në festimin madhor. Dhe, i fton të pranishmit për nderimin me heshtje të Dëshmorëve, të rënë për çlirim dhe lirinë e Atdheut.
Moderatorja Klodjanë fton në skenë kryetarin e vyeshëm dhe urtak të Shoqatës, Taxhidin Bakiu, për t`i përshëndetur mysafirët e pranishëm, të cilët janë të shumtë në numër, ashtu siç meriton të nderohet Shoqata emër mirë “Kadri Zeka”. Por, ne po sjellim, në këtë shkrim, vetëm ndoca nga përfaqësuesit e zëshëm të disa Shoqatave simotra:
Fatbardha Rama, mësimdhënëse e Shkollës shqipe në Vendlingen; Kolë Merturi e Nami Ramadani, bashkëveprimtarë të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, heronj të Kosovës; Abit Fazliu, kryetar i Shoqatës “Nëna Tereze” në Göppingen dhe Jahja Gashi, ish-kryetar dhe veprimtar i hershëm; Dr. Rexhep Shala, koordinator me palën gjermane; Nora Gashi-Abedini, kryetare, koreografe e grupit artistik, në Göppingen; Miradije Gashi, veterane e arsimit, poete, shkrimtare dhe veprimtare e hershme e çështjes kombëtare; Gjylije Lecaj, sekretare e Qendrës Kulturore Shqiptare në Stuttgart; Refki Bytyçi, kryetar dhe Sadik Zogaj, Kryetar Nderi të Shoqatës “Kosova”, në Felbach; Gjevdet Nikqi, kryetar i Shoqatës “Dardania”, në Pforzheim; Xhevdet Syla, poet, shkrimtar, ish-kryetar i Shoqatës “Pavarësia”, në Stuttgart; Nue Lekaj, zyrtar në komunën Vernau, përkrahës i aktiviteteve të Mërgatës dhe veprimtar i zellshëm e cilësor i çështjes kombëtare.
Grupi i valltarëve të Shoqatës “Nëna Tereze” të Göppingenit
Grupi artistik i Shoqatës “Nëna Tereze”, i mësuar nga krye valltarja Nora Gashi, mysafirë të kësaj mbremje festive, prezantoi, mjeshtërisht dhe besnikërisht, dy valle nga trevat shqiptare, duke sjellur në skenë, për pak minuta, Atdheun në miniaturë dhe përlotur mërgimtarët e përmallur gjithmonshëm, për Vendlindjen e largët, madje shumë të largët fizikisht, por rrast afër mendjes dhe zemrës. Fëmijët provuan talentin e tyre, me recitimet e poezive të përzgjedhura enkas për festën, nga mësuesja e pasionuar për edukimin e brezit më të ri të mërgimtarëve.

