ARKIVI:
8 Mars 2026

Me 17 Janar 2026, Sot, në Klinë u përkujtua Kryeheroi Gjergj Kastrioti

Shkrime relevante

Provokim në zemër të Kosovës: Flamuri i një shteti të huaj në Mitrovicë , policia e ruan atë…!

Luan Dibrani, Gjermani Ngjarja e fundit në Mitrovica, ku policia e Kosovo...

Përçarje brenda Iranit midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike

Njerëzit vizitojnë Parkun Kombëtar Hapësinor të Gardës Revolucionare, pak jashtë Teheranit,...

Sipas historianit Kristaq Prifti, në Kosovë nuk ekzistonte popullsi turke

Msc Belisar Jezerci, historian POPULLSI TURKE NË KOSOVË NUK EKZISTON ! Ne bazë...

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Shpërndaj

Nga: Lekë Mrijaj, Klinë

Sot, më 17 janar në ditën e përkujtimit të ndarjes nga jeta të Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, ndalemi me nderim përballë bustit të tij në qytetin e Klinës. Ky monument historik nuk flet me zë, por me heshtjen e tij e bart peshën e historisë, sakrificës dhe të identitetit tonë kombëtar.

Mes ndërtesave dhe ritmit të përditshëm të jetës qytetare, busti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut qëndron krenarë si një pikë e palëkundur referimi historik dhe moral, i cili është vendosur më 1 shkurt të vitit 2019, falë nismës së Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, i cili bust është një dëshmi e kujdesit qytetar për ruajtjen e kujtesës kombëtare.

Prania e tij krijon një kontrast të thellë mes përkohshmërisë së jetës moderne dhe përjetësisë së veprës së Heroit Kombëtar. Ky kontrast nuk e zvogëlon rëndësinë e monumentit, por e bën edhe më domethënës, duke e shndërruar atë në një rojtar të heshtur të ndërgjegjes sonë historike.

Busti e paraqet Gjergj Kastriotin – Skënderbeun me kokën lart dhe me një shikim të thellë e të përqendruar. Ky vështrim duket sikur përshkon kohën, historinë dhe fatin e kombit shqiptar. Në të lexohen vendosmëria dhe mençuria e një prijësi të madh, i cili ka përballuar beteja të ashpra triumfuese, më sakrifica të mëdha dhe vendime vendimtare për ekzistencën e popullit të vet. Pra, nuk është një shikim sfidues, por vigjilent – shikimi i atij që udhëheq dhe mbron edhe përtej kufijve të jetës.

Në përkrenaren karakteristike me brirë dhie, element i njohur ikonografik i figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dallohen gjashtë trëndafila të praruar. Midis tyre janë gdhendur iniciale me shkronja latine, të lexuara shpesh si “IMPERATORE”. Ky titull, që rrjedh nga latinishtja imperare – të sundosh, të komandosh – shpreh autoritetin, legjitimitetin dhe rolin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut si prijës sovran dhe kryestrateg i shquar ushtarak i kohës së tij. Mjekra e gjatë dhe tiparet e theksuara të fytyrës i japin bustit pamjen e një burri legjendar me përvojë dhe mendim të pjekur, që do të thotë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu paraqitet si njeri i veprimit dhe i mendimit njëkohësisht, si udhëheqës që ka ditur të prijë jo vetëm me shpatë, por edhe me mençuri, maturi dhe vizion. Edhe në kraharorin e tij është gdhendur shqiponja dykrenare, simboli më i fuqishëm i identitetit tonë kombëtar. Ajo përfaqëson mbrojtjen e Atdheut dhe Qëndresën për Liri. Në këtë formë, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu shfaqet si mburojë e gjallë e popullit të tij dhe si mishërim i sakrificës sublime për lirinë kombëtare. Ndërsa piedestali prej guri masiv, mbi të cilin qëndron busti, simbolizon qëndrueshmërinë e kujtesës historike. Mbishkrimi i thjeshtë me emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe vitet e jetës së tij (1405-1468), flet më shumë se çdo fjalë e tepërt, sepse veprat e tij janë të gdhendura thellë në historinë e popullit shqiptar. Edhe lulet e vendosura pranë monumentit në ditëlindjen e tij, më 6 maj, në 28 Nëntor – Ditën e Flamurit Kuq e Zi, në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës dhe në ditëvdekjen e tij, janë shenja të gjalla të respektit dhe mirënjohjes së brezave. Rrethimi qytetar dhe lëvizja e përditshme e nxënësve dhe qytetarëve krijojnë një dialog të heshtur mes Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe së kaluarës dhe së tashmes. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu qëndron aty si një udhërrëfyes moral, duke i kujtuar çdo kalimtari të gjakut të tij (Skënderbeut), se liria dhe identiteti kombëtar nuk janë dhuratë, por janë fituar me sakrificë dhe duhen ruajtur me përgjegjësi nga brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Ky bust, i realizuar në bronz në mënyrën më ideale nga skulptori Sabri Behrami nga Mitrovica, nuk është vetëm një vepër arti, por një dëshmi e vetëdijes historike dhe e përkushtimit qytetar për ruajtjen e trashëgimisë sonë të lavdishme kombëtare.

Në këtë ditë përkujtimore, busti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Klinë mbetet një mësim i heshtur, por i përhershëm ku historia nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por udhërrëfyes i domosdoshëm për të tashmen dhe për të ardhmen.

Lavdi e përjetshme veprës heroike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!

Klinë, 17 janar 2026

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu