
Sipas tij, libri i Sabedinit është ndërtuar mbi një strukturë të qartë dhe funksionale, ku materia është ndarë me të drejtë në tri pjesë themelore, duke reflektuar një qasje metodologjike dhe analitike ndaj gazetarisë hulumtuese.
“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka vlerësuar profesor Zejnullahu.
“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.
Duke e veçuar sërish rëndësinë e 101 pyetjeve dhe udhëzimeve për gazetarinë hulumtuese, recensenti ka theksuar se këto përbëjnë një komponent thelbësor të librit, të ndërtuar mbi literaturë profesionale dhe raste konkrete nga praktika.
“Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, në gjithë historinë e gazetarisë hulumtuese, me analizën e kornizave ligjore e dilemave etike, me sugjerimet se si t’i dilet me gazetarinë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka përfunduar Zejnullahu./rajonipress/







