ARKIVI:
13 Mars 2026

Ironia dhe hipokrizia rreth pronësimit të Katedrales së Shkodrës

Shkrime relevante

Ju flet Sekretari i Parë i Partisë Socialiste

Lis Bukuroca, Gjermani Shokë dhe shoqe, popull heroik i Shqipërisë! Ju flet Sekretari i...

Ja çfarë dimë për vëllezërit terroristë dhe nënën e tyre: “Mundësia reale që sulmi të jetë urdhëruar”

Kriminologët hetojnë aty ku tre vëllezërit u arrestuan të mërkurën. Foto:...

Kush janë tradhëtarët e spiunët, sipas Afrim Cakës nga Gjakova

Afrim Caka, Gjakovë Shkruar me 13 mars 2015  KUSHË JANË TRADHTARËT APO SPIUNËT...! Nuk e di...

Të vërtetat e Vjosa Osmanit – Presidentës së Kosovës

Ismet M. Hasani, Suedi Et eripuit animam meam in Veritate! E thash të...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

Vendimi që Katedralja e Shkodrës të marrë më në fund pronësinë e saj të ligjshme mund të duket si një akt normal drejtësie. Por, në të vërtetë, ai zbulon një ironi të thellë dhe një hipokrizi që shoqëron historinë e marrëdhënies së shtetit shqiptar, jo vetëm me trashëgiminë fetare dhe kulturore të vendit, por edhe qendrimet aktuale të shtetit shqiptar për pronën.

Po çfarë ç po ndodh realisht? Një institucion fetar, që e ndërtoi vetë këtë tempull, që e ruajti me sakrifica dhe që e mbrojti me gjakun e martirëve të tij, sot trajtohet sikur Kishës Katolike në Shqipëri po i bëhet një “dhuratë” pronësie nga pushteti vendor, ndërsa shohim e dëgjojmë deklarata triumfale, sikur pushteti vendor po dhuron diçka nga xhepi i vet.  Kjo pasi shteti shqiptar, nën sundimin komunist e kishte zhdukur nga faqja e dheut, për pothuaj 50-vjetë, fenë dhe entet e tjera fetare. Në këtë rast duke e kthyer atë vend të shenjtë — Katedralën e Shkodrës — në sallë sportive, duke vrarë e burgosur klerikët e saj që, lirisht, mund të thuhet se ishin ajka e kulturës kombëtare dhe të gjuhës shqipe, por varret e të cilëve — nëqoftse eshtrat e tyre nuk i ka marrë Drini — as sot nuk dihet se ku janë. Një regjim, si asnjë tjetër në botë, me një vendim e ligj absurd, kishte shpallur Shqipërinë shteti i parë ateist në botë, kundër fesë dhe Zotit. Kështuqë, në vend që të pranohet një padrejtësi historike që i është bërë gjatë dekadave Kishës Katolike dhe enteve të tjera fetare në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, duhej të kërkohej falje në emër të shtetit për krimet e komunizmit kundër klerit dhe Kishës. E drejtë dhe morale do të ishte që të pranoheshin krimet e regjimit komunist, të korigjohet me, përulësi, padrejtësia historike ndaj të gjitha enteve fetare në Shqipëri, në vend që përfaqësuesit politikë vendor të shtetit aktual në Shkodër dhe kudo tjetër të krijojnë përshtypjen sikur shteti po tregon bujari, duke “legjitimuar”, me letër “pronësie”, Katedralën e Shkodrës.

Unë po e quaj këtë veprim si ironik dhe hipokritik!  Sepse nuk e dijë nëse, këta zotërinj dhe zonja të pushtetit vendor në Shkodër dhe më gjërë janë ose jo të vetdijshëm se Katedralja e Shkodrës nuk është thjesht një ndërtesë guri e tullash. Ajo nuk është as një banesë private e buldozuar nga shteti, në Theth dhe asnjë një copë tokë në Rrjoll të Velipojës.

Katedralja e Shkodrës ka qenë dhe mbetet një simbol i historisë së qytetit dhe i rezistencës shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj. Në atë altar janë lutur breza besimtarësh, ndërsa shumë nga bijtë e bijat e saj u persekutuan, u burgosën dhe u martirizuan gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Po ai shtet që dikur e grabiti pronën dhe e përdhosi fenë, sot paraqitet si arbitër që vendos, nëse duhet apo jo dhe kur t’ia kthejë atë prone, por që nuk duhej t’i ishte marrë kurrë. Kjo është hipokrizia, por mund të interpretohet edhe si kërcënim, njëkohsisht me mesazhin se unë si pushtet, dje të kam zhdukur klerikët dhe kam kthyer katedralën në sallë sporti, sot të njoh pronësinë mbi këtë ndërtesë, por kjo nuk do të thotë se nesër, unë si pushtet, nuk t’a heq prap këtë të drejtë, pronësie, nëse dhe kur të më teket!?

Sepse, siç e kam thënë qindra herë, tashti e më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit zyrtar, Shqipëria ende nuk ka bërë, zyrtarisht, një përballje dhe distancim të ndershëm nga krimet dhe padrejtësitë e së kaluarës komuniste, as me kthimin e pronave private tek i zoti. Pronat e konfiskuara nga diktatura komuniste vazhdojnë të trajtohen si një problem administrativ dhe jo si një plagë morale e historisë kombëtare. Në këtë kuptim, rasti i Katedrales në Shkodër nuk është një përjashtim. Ai është vetëm një simbol i një mentaliteti arrogant pushtetor shqiptar nga i cili shoqëria shqiptare ende nuk është çliruar, seriozisht dhe zyrtarisht, e që është trashëgimia e shtetit grabitqar komunist dhe nga mentaliteti se partia e shteti janë mbi të gjitha.

Në vend që kthimi i pronës të shihet si një akt drejtësie historike, ai akt shpesh shoqërohet me retorikë politike, me fotografi ceremoniale, si në këtë rast, dhe me deklarata që ata, si pushtetarë, vendorë ose qendrorë meritojnë dhe kërkojnë t’u thurin lavdi, atyre dhe partisë, për diçka që është, në çdo shoqëri normale, thjesht, detyrim moral e ligjor dhe nuk është e tyre për tu “dhuruar”, as për t’u mohuar.  I nderuar lexues, ironia më e madhe e kësaj pune, është se në një vend ku drejtësia për pronën– pas 35-viteve — duhej të ishte një akt i natyrshëm, si në shumë vende të ish-komuniste të Evropës, në Shqipëri, ajo shitet si “sukses politik” i një individi ose  një partie në pushtet.

Jam i mendimit se nëse Shqipëria dëshiron, vërtetë, të ndërtojë një shtet të drejtë dhe të besueshëm vendor e qendror, ajo duhet të heqë dorë nga kjo hipokrizi ironike. Pronat e grabitura nga diktatura komuniste – qofshin ato të Kishës Katolike, të komuniteteve të tjera fetare, apo të qytetarëve të thjeshtë – nuk janë çështje favori, as merite askujt. Prona private është e drejtë ndërkombëtare e sanksionuar me konventa dhe marrveshje ndërkombëtare. Pronat janë çështje drejtësie. Dhe drejtësia nuk jepet me bujari.  Ajo rikthehet me përgjegjësi dhe pa bujë.

Rasti i Katedrales në Shkodër është vetëm një pasqyrë e kësaj tragjikomedie kombëtare. Dihet se mijëra prona të tjera të pronarëve legjitim, të konfiskuara nga diktatura komuniste në Shqipëri, mbeten ende të bllokuara në labirintet e burokracisë shqiptare, ndërsa politika vazhdon të kërkojë merita për çdo korigjim minimal të një padrejtësie të madhe historike, siç ishte dorëzimi i letrës së pronësisës Katedralës së Shkodrës, para disa ditësh. Një shtet serioz nuk kërkon duartrokitje kur ndalon së mbajturi një pronë të grabitur ilegalisht, si kjo. Në vend të kësaj, pushteti normal kërkon falje dhe e kthen pronën pa zhurmë, tek i zoti legjitim.  Derisa kjo të kuptohet seriozisht, nga klasa politike shqitare, çdo ceremoni për “dhënien bujare” të Katedrales ose ndonjë prone tjetër, do të mbetet ajo që në të vërtetë është: një akt simbolik që zbulon, jo bujarinë e pushtetit, por zbardhë rishtas ironinë dhe hipokrizinë e tij ndaj kthimit të pronave private tek i zoti, sidomos pronat e enteve fetare.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu