Shokë dhe shoqe,
popull heroik i Shqipërisë!
Ju flet Sekretari i Parë i Partisë Socialiste.
Siç e keni parë edhe vetë, armiqtë e jashtëm dhe veglat e tyre nëpër ambasada kanë filluar të lehin kundër udhëheqjes sonë dhe kundër liderit tuaj të dashur.
Ata nuk e durojnë dot përparimin tonë,
nuk e durojnë dot stabilitetin tonë dhe,
mbi të gjitha,
nuk e durojnë dot respektin e popullit për qeverinë dhe atdhedashurinë e tij.
Këta armiq,
të rekrutuar nga imperialistët, këta gënjeshtarë, duan të na japin leksione për drejtësinë. Ata, neve! Merreni me mend ju lutem! Ata duan të na mësojnë se çfarë është drejtësia e pavarur.
Ne u themi atyre lakenjve e çakejve:
Shqipëria nuk merr mësime nga askush!
Ju jeni të korruptuar, jo ne.
Shqipëria e ka liderin e vet, që nuk e ka pasur dymijë vitet e fundit. Shokë dhe shoqe, ne jemi për drejtësi të pavarur, por jo për një drejtësi që ngrihet kundër shtetit, kundër qeverisë dhe kundër popullit.
Sot disa prokurorë dhe gjykatës në shërbim të huaj, të nxitur nga propaganda reaksionare dhe të ushqyer nga tenxheret borgjeze, kanë filluar të akuzojnë njerëz të shtetit, shërbyesit civilë, njerëz që sakrifikohen për këtë vend.
Ata e bëjnë këtë pa menduar për pasojat. Pa menduar për stabilitetin e vendit. Pa menduar për zhvillimin e Shqipërisë sonë shumë të dashur.
Ne duam integrimin në Bashkimin Europian. Po, por do të shkojmë me kokën lart, jo me vithet ngritur, duke ruajtur krenarinë tonë, atdheun dhe mënyrën tonë të ndërtimit të shtetit.
Shqipëria dhe Serbia nuk mund të gdhenden sipas dëshirave të huaja. Ne jemi ata që jemi dhe jemi siç jemi. Na pranoni kështu, por mos prisni kurrë që ne të krijojmë organe drejtësie për të luftuar shtetet tona. Kjo do të thoshte të luftonim vetveten.
Unë, si Sekretar i Parë, e them qartë dhe prerë:
nuk do të lejojmë më që qeveria dhe përfaqësuesit e popullit të trajtohen si kriminelë. Njerëzit më të mirë që kemi. Dhe kush prek përfaqësuesit e popullit, prek vetë popullin. Juve, shokë dhe shoqe.
Prandaj qeveritarët kanë imunitet dhe duhet ta kenë.
Dhe ai imunitet nuk është privilegj, por mburojë e demokracisë sonë popullore. I duhet qeveritarëve. Është domosdoshmëri. Përndryshe na e burgosin krejt qeverinë liberalët e shpifur, oportunistët dhe tradhtarët.
Disa zëra nga llumi i shoqërisë dhe kazanët e tyre thonë se ndonjë ministër apo politikan mund të ketë marrë para nga tenderët, të jetë korruptuar.
Ne u themi: shikoni realitetin!
A janë ndërtuar pallate?
Po, janë ndërtuar!
A janë ndërtuar shtëpi?
Po, janë ndërtuar!
A janë ndërtuar rrugë, tunele dhe ura?
Po, janë ndërtuar!
A ka zhvillim dhe ndërtime në vend?
Po, ka!
Atëherë për çfarë ankohen?
Nëse ato lekë janë investuar, nëse janë ndërtuar pallate, biznese dhe vende pune, atëherë kjo është dëshmi e zhvillimit të vendit.
Nëse dikush i dhuron ndonjë lek, ndonjë milion euro një ministri, ai nuk është korrupsion, por mirënjohje: një bakshish i vogël për shërbimet ndaj popullit. Vallë qenka korrupsion kur juve dikush ju ofron një çaj apo një gotë verë? Jo, shokë dhe shoqe, jo. Kurrë.
Shokë dhe shoqe,
Partia jonë dhe Komiteti Qendror refuzuan me vendosmëri kërkesën për t’ia hequr imunitetin shoqes Balluku, e cila është plotësisht e pafajshme.
Ne e dimë këtë. Sepse guxojmë ta dimë.
Sepse Partia nuk gabon kurrë. Dhe e dini edhe ju.
Prokuroria revizioniste, e paguar nga armiqtë dhe e ndihmuar nga agjencitë e huaja, po përpiqet të krijojë panik dhe përçarje në popullin tonë.
Por populli ynë është i mençur: ju jeni shumë të mençur, prandaj na keni zgjedhur. Ju i njihni imperialistët dhe metodat e tyre! Prandaj ne duhet të veprojmë, të rezistojmë me vendosmëri revolucionare. Ju dhe ne! Ju me qeverinë e popullit mund ta shpartalloni armikun e klasës punëtore. Si në të kaluarën e ndritur.
Shokë dhe shoqe,
duhet të ndryshojmë ligjet.
Dhe do t’i ndryshojmë. Ju e meritoni.
Duhet të vendosim rregull. Do ta bëjmë. Ju e doni. Ju e pritni prej nesh.
Duhet t’i tregojmë kësaj prokurorie se në këtë vend ekziston qeveria e popullit. Krenaria e kombit. Nuk do t’u lejohet bufëve të kënetave, elementëve armiqësorë, të degjeneruar dhe të deklasuar të shqetësojnë shokët tanë.
Sepse një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, shokë dhe shoqe:
Ne nuk kemi nevojë për një drejtësi që lufton qeverinë.
Ne kemi nevojë për një drejtësi që mbron shtetin.
Një drejtësi që mbron qeverinë e popullit.
Një drejtësi që i shërben popullit.
Prokuroria e di shumë mirë se si kanë përfunduar armiqtë e popullit: Beqir Balluku, Mehmet Shehu e të tjerë e të tjerë.
Dhe ashtu do të përfundojnë edhe disa prokurorë gënjeshtarë, me fytyra të zeza si bytha e fëlterës, me shpirtra të shitur te armiku i brendshëm dhe te ai i jashtëm.
Ne, shokë dhe shoqe,
do të flasim me shokun Sali dhe, së bashku, do të aprovojmë një ligj që ndalon heqjen e imunitetit të çdo politikani, sepse ai nuk merret me problemet e veta në shtëpi, por me tuajat. Prandaj imuniteti i tij duhet të jetë bipolar: domethënë këtu dhe atje! Në këtë jetë dhe në tjetrën.
Dhe drejtësinë e drejtë do ta ndërtojmë bashkë me popullin dhe për popullin.
Rroftë Partia Socialiste!
Rroftë Shqipëria
Poshtë tradhtarët e SPAK-ut dhe gjithë revizionistët e drejtësisë!
Rroftë populli!
…
Shënim:
Në Gjermani qeveria përzihet në institucionet e drejtësisë po aq sa përzihet në Ballkan në recetën e një byreku. Drejtësia është e pavarur si një klub futbolli, një orkestër apo një ëmbëltore: secila merret me punën e vet. Ajo njeh vetëm ligjin dhe profesionin e saj dhe nuk pranon tutorë nga jashtë.



