
Elisa Spiropali, Shkodër
Zoja Shkodër asht’ Dashni për disa arsye.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse qytetet dallohen dhe mburren, për shembull, ngaqë njëri ka pranë një kështjellë të famshme, tjetri lumë që vjen nga larg duke u spërdredhur mes maleve, tjetri urë të famshme, tjetri mal të lartë, tjetri liqen të magjishëm, tjetri det, e kështu me radhë.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse është i vetmi qytet në botë që nuk ka 1, por krejt mrekullitë e botës.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër ka kala hijerëndë me legjendën më drithëruese dhe më të bukur në botë. Jo e bukur vetëm për me habit vizitorët me legjenda. E bukur sepse ka bërë efektivisht luftëra nga më të tmerrshmet.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër ka det.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër nuk ka 1 por 3 lumenj, Drinin, Kirin, Bunën.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër ka Urën e Mesit që është urë nga më mahnitëset në botë.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër nuk ka 1 mal, por mu në oborr të Saj, krejt Alpet e egra dhe madhështore.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër ka Kisha dhe Xhami me histori jashtëzakonisht interesante.
E të tjera, e të tjera.
Por Zoja Shkodër asht’ Dashni edhe sepse ka;
Qytetari’ me ia pasë zili,
Histori frymëndalëse,
Natyrë, ngjyra, aroma, marramendëse.
Klimë të pakonkurrueshme,
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër dhe Zojat e Zotnit shkodranë nuk ngjajnë me askënd në botë, veçse me veten e vet.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse diktaturën, në mënyrën më inteligjente, më therëse, më ironike, më bukur dhe më hidhur prej krejt nahive të tjera të Shqipërisë, e ka tallë, e ka përqeshë, Zoja Shkodër, Zojat dhe Zotnitë shkodranë.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse barcaletat më të rrezikshme, më me spec kundër diktaturës, ato që përmes humorit evidentonin anët më të errëta dhe më kriminale të diktaturës, para se me ardh në Tiranë, janë shpik në Shkodër.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse zërat më të bukur, tingujt më të fuqishëm, këngët më melodioze të vjetra dhe të reja, e kanë shtëpinë, ku tjetër veçse te Zoja Shkodër?!
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse në krejt botën, natën poshtë dritares apo dikund tjetër, për me lyp Dashuri i këndohen serenata të dashurës, e shumta të fejuarës. E Zoja Shkodër asht’ Dashni edhe sepse Zoja Shkodër asht i vetmi qytet në botë, aq i butë e aq i bukur, aq plot me dashuri, ku serenata i këndohet edhe Nuses. Kënga e mrekullueshme “Serenatë Nuses” asht’ prova.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër dhe Zojat e Zotnit e Zojës Shkodër e bëjnë dallimin mes mashtruesit dhe të sinqertit, seriozit dhe qesharakut, punëtorit dhe parazitit.
Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër nuk është tamam-tamam qytet.
Shumë më tepër se qytet, Zoja Shkodër asht’ muzë frymëzuese për gjithkënd që i afrohet, e kupton, e ndjen.

Zoja Shkodër asht’ Dashni sepse Zoja Shkodër, tu e dit’ sa fort e du, ma fal që nuk ia imitova si duhet Dialektin.
16 MAJ, 2026



Bukur të gjitha i paskeni thënë , që s’ mund t’u hiqet as edhe një ashkël .
Shkodrën e konsideronte Mekë dhe Bethelem desidenti , dhe mësuesi i popullit Ymer Adem Llugaliu, i burgosur me i dënuar për” propagandë armiqësore” nga diktatura komuniste . Propaganda e tij e vetme ishte ” Pa Kosovë , Veri e Çamëri s’ ka Shqipëri ” . Pas lirimit nga Burgu i Spaçit dhe Balshit çdo fillim pranvere e vizitonte Shkodrën .
Pikë të dobët e kishte Migjenin të cilin e quante llambë ndriçimi të relievit të përthyer shqiptar .
Më 7 shtator të vitit 2025 me mikun tim të nderuar Zejnullah Zejnullahu shkuam në vizitë në Shkodër . Sikur na dukej që na thërriste baca Ymer, dhe na thoshte ” Aman një lutje për mua Shkodrës dhe Migjenit idolit tim”. Shkuam te shtatorja e Migjenit e shikuam përmallshëm ku edhe një vizitor i huaj na bëri një fotografi kujtim nga kjo vizitë .
Më pas morën një taksi dhe shkuam në Kalanë e Rozafës . Rojat si kudo në botë bëjnë punën e tyre .Mirëpo u ndjemë keq kur thanë të huajt duhet paguar biletë hyrje . S ‘ ishte fare – fare problemi i biletës prej 5 eurove .Mirëpo na shqetësonte trajtimi prej të huajit . Që në hyrje të Kalasë vërehej se aty asnjë gjë s’ ishte restauruar kurrë . Kalldrëmet e shtuara me kocka ishin dëmtuar shumë .
Zonjë e nderuar, duke qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Rama dy- tre mandate është dashur të mendoni për Shkodrën dhe në përgjithësi Veriun , i cili nga të gjitha Qeveritë është harruar .
Shkodra është djep i kulturës dhe civilizimit shqiptar . Figurat si At’ Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi e Migjeni janë krenari jona kombëtare.