
Prof. Sabri Tahiri, Gjilan
Kosova gjendet përballë një vendimi që tejkalon politikën e ditës. Ai lidhet me orientimin strategjik të shtetit, sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e partneritetit me aleatin më të madh të popullit tonë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, qeveria në detyrë duhet ta shqyrtojë me përgjegjësi dhe ta mbështesë projektin për gazin amerikan, nëse ai rezulton ekonomikisht i qëndrueshëm, ligjërisht i rregullt dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Ky nuk duhet të shihet si një fitore e një partie politike, por si një fitore e shtetit të Kosovës.
SHBA-ja ka qenë pranë Kosovës në momentet më vendimtare të historisë sonë. Ajo ishte zëri më i fuqishëm për lirinë, mbështetësi kryesor i pavarësisë dhe vazhdon të jetë garancia më e madhe për sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Prandaj, çdo projekt serioz që forcon bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik me Amerikën meriton vëmendje dhe përgjegjësi maksimale.
Diversifikimi i burimeve të energjisë është një nevojë jetike. Kosova nuk mund të mbështetet pafundësisht vetëm në një burim energjie. Gazi natyror mund të krijojë një sistem më të qëndrueshëm energjetik, të tërheqë investime të reja, të hapë vende pune dhe të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë.
Sigurisht, çdo marrëveshje duhet të jetë transparente, profesionale dhe në përputhje me interesin publik. Askush nuk kërkon miratim të verbër. Përkundrazi, kërkohet një analizë e thellë ekonomike, teknike dhe mjedisore. Por, nëse të gjitha këto kritere plotësohen, atëherë refuzimi vetëm për arsye ose teke politike do të ishte një humbje për Kosovën.
Historia na mëson se shtetet e vogla ecin përpara kur marrin vendime strategjike dhe jo emocionale. Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës; ai duhet të ndërtohet çdo ditë me besim, përgjegjësi dhe projekte konkrete.
Sot, Kosova ka nevojë për unitet rreth çështjeve madhore kombëtare. Energjia, zhvillimi ekonomik dhe aleanca me SHBA-në nuk duhet të jenë fushë përplasjeje politike, por pika bashkimi.
Prandaj, le t’i themi një “PO” të madhe çdo projekti që e afron Kosovën me aleatët e saj strategjikë, që forcon sigurinë energjetike dhe që u shërben brezave të sotëm e të ardhshëm. Mbi interesat partiake duhet të qëndrojë gjithmonë interesi shtetëror dhe kombëtar.
Më 18 qershor 2026


