
Lua Dibrani, Prevallë
Vendimi për dënimin e Hysri Selimit me vetëm 6 vjet burgim për spiunazh në favor të BIA-s serbe është një goditje e rëndë për drejtësinë, për sigurinë kombëtare dhe për ndërgjegjen shqiptare.
Kur një njeri, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, është rekrutuar nga shërbimi serb që nga viti 2009, është paguar, është pajisur me mjete komunikimi, ka mbledhur informacione të ndjeshme për Kosovën, për UÇK-në, për persona të radikalizuar dhe për çështje që prekin drejtpërdrejt sigurinë e shtetit, atëherë nuk kemi të bëjmë me një rast të zakonshëm penal. Kemi të bëjmë me një rast të pastër të goditjes kundër Republikës së Kosovës.
Kjo nuk është vetëm çështje e një individi. Ky është alarm kombëtar.
Hysri Selimi nuk duhet parë vetëm si një person i dënuar për spiunazh. Ai përfaqëson modelin më të rrezikshëm të infiltrimit: kur shërbimet armiqësore përdorin radikalizmin fetar, rrjetet e errëta ideologjike dhe dobësitë institucionale për ta goditur Kosovën nga brenda.
Kosova nuk u çlirua që dorëzat e shërbimeve serbe të veprojnë lirshëm në emër të fesë, të ideologjisë apo të “misioneve” të errëta. Kosova nuk u ndërtua mbi gjakun e dëshmorëve që sot spiunazhi, radikalizmi dhe tradhtia të trajtohen me butësi gjyqësore.
Dënimi me 6 vjet burgim është tepër i butë për një vepër që, sipas Prokurorisë, ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Një shtet serioz nuk mund të jetë i mëshirshëm ndaj atyre që bashkëpunojnë me shërbimet e një shteti që historikisht ka punuar kundër ekzistencës sonë kombëtare.
Unë e them hapur:
tradhtia ndaj atdheut nuk duhet të trajtohet si gabim personal, por si krim i rëndë kundër kombit dhe shtetit.
Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë menjëherë:
Të kërkohet dënim më i rëndë në instancat më të larta gjyqësore.
Të hetohet i gjithë rrjeti i bashkëpunëtorëve të mundshëm të BIA-s në Kosovë.
Të zbardhet roli i çdo strukture që ka përdorur radikalizmin si instrument politik, ideologjik apo antikombëtar.
Të forcohen ligjet kundër spiunazhit, terrorizmit, radikalizmit të importuar dhe ndikimeve armiqësore.
Të mbrohet orientimi euroatlantik i Kosovës pa kompromis.
Ky nuk është sulm ndaj fesë. Besimi është çështje shpirtërore dhe personale. Por radikalizmi politik, spiunazhi, shërbimi ndaj Serbisë dhe përdorimi i fesë si maskë për misione antishtetërore janë të papranueshme dhe duhet të goditen me forcën e ligjit.
Kosova ka nevojë për drejtësi të fortë, jo për dënime që i japin zemër tradhtisë.
Ai që punon për shërbime armiqësore kundër Kosovës, nuk meriton mëshirë politike, as tolerancë morale, as butësi gjyqësore. Ai meriton dënimin maksimal që lejon ligji dhe përbuzjen e plotë të opinionit kombëtar.

Republika e Kosovës duhet të kuptojë një gjë:
shteti nuk mbrohet me fjalë të bukura, por me drejtësi të guximshme, me institucione të forta dhe me zero tolerancë ndaj spiunazhit, radikalizmit dhe tradhtisë.


