ARKIVI:
6 Korrik 2026

SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër përkujton 28-vjetorin e rënies heroike të Heroit Rrustem Bruqi

Shkrime relevante

Gazeta Selam – propaganda e huaj që fshihet pas flamurit shqiptar

Luan Dibrani, Prevallë  Gazeta Selam dhe kjo foto janë shembull i qartë...

Për Gjon Gazullin, një dijetar, astronom dhe diplomat të shquar me origjinë nga Shqipëria e veriut

Paul Tedeschini, Milano Shkancetari Profesor Gjon Gazull ne Universitetin e Padoves: Gjatë një...

Ti ishe bekim për ne

Arif Ejupi, Gjenevë Poezi (Kushtuar mësuesit tim të parë, Sabri Raçi, me rastin...

SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër përkujton 28-vjetorin e rënies heroike të Heroit Rrustem Bruqi

Rrustem Bruqi Saim Tahiraj, Zvicër Sot, me respektin dhe nderimin më të lartë,...

Pse shqiptarët u besojnë aq verbërisht të huajve, e aq pak vetvetes?

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina (Një shpjegim ad hoc sociologjik) 1. Historikisht,...

Shpërndaj

Saim Tahiraj, Zvicër

Sot, me respektin dhe nderimin më të lartë, kujtojmë 28-vjetorin e rënies heroike të Heroit Rrustem Bruqi, njërit ndër figurat më të rëndësishme politike, organizative dhe ushtarake të komunës së Deçanit dhe të historisë më të re të Kosovës.

Rrustem Bruqi, me profesion jurist, ishte ndër veprimtarët më të palodhur të çështjes kombëtare. Ai u angazhua në pothuajse të gjitha proceset politike të viteve ’90, por veprimtaria e tij kishte filluar shumë më herët. Ishte njëri ndër kundërshtuesit më të vendosur të ndryshimeve të dhunshme kushtetuese të regjimit serb, duke organizuar dhe marrë pjesë në mbledhje, tubime masive dhe protesta në komunën e Deçanit dhe më gjerë.

Si anëtar i Shoqatës së Juristëve të Deçanit, së bashku me kolegët e tij, tregoi guxim të jashtëzakonshëm qytetar dhe kombëtar duke hartuar Statutin e Komunës së Deçanit në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut. Në rrethanat e okupimit serb, ky ishte një akt i rëndësishëm juridik dhe politik, që dëshmonte vendosmërinë për ndërtimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.

Veprimtaria e Heroit Rrustem Bruqi nuk u kufizua vetëm në organizimin politik. Ai ishte njëri ndër ideatorët, së bashku me Heroin Salih Çekaj, Xhemajl Berishën dhe disa djem të Deçanit me rrethinë, të themelimit të grupeve të para të armatosura shqiptare. Që nga viti 1991, këto grupe filluan aksionet guerile kundër policisë pushtuese serbe dhe vazhduan pa ndërprerje deri në fillimin e luftës çlirimtare. Në bashkëpunim me grupet e tjera të organizuara në Kosovë, ato goditën vazhdimisht aparatin represiv serb dhe krijuan bazën e rezistencës së armatosur.

Këto grupe përbënin bazamentin e fuqishëm mbi të cilin më vonë u ndërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Me fillimin e luftës, Grupi i Deçanit mori mbi supet e veta një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të luftës: organizimin e pikave të furnizimit me armatim në Tropojë, Viçidol dhe Papaj, nën udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe të ministrit, kolonel Ahmet Krasniqi.

Më 19 prill 1998, pjesëtarët e këtij grupi hynë në Kosovë dhe organizuan pritjen e Brigadave Operative, të cilat më pas u futën në Kosovë nën komandën e kolonel Tahir Zemaj. Ata organizuan dhe siguruan furnizimin me armatim nga shtetet perëndimore dhe nga Shqipëria, duke krijuar një zinxhir të fuqishëm logjistik për nevojat e luftës çlirimtare.

Një kontribut i veçantë i Heroit Rrustem Bruqi ishte organizimi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij dhe me mbështetjen e banorëve të Isniqit, i kalimit të rreth njëqind ushtarëve nga Kosova në Shqipëri. Pikërisht në Papaj, këta luftëtarë dhanë betimin ushtarak para Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.

Po ashtu, Rrustem Bruqi, së bashku me kolegët e tij dhe me banorët e Isniqit, organizoi përgatitjet për vendosjen e tri Brigadave Operative të komanduara nga kolonel Tahir Zemaj, duke krijuar kushtet për veprimin e tyre në Zonën Operative të Dukagjinit.

Përkundër të gjitha përgjegjësive organizative dhe logjistike që mbante mbi supe, Heroi Rrustem Bruqi nuk qëndroi prapa vijës së frontit. Ai ishte aty ku zhvillohej lufta. Mori pjesë drejtpërdrejt në Betejën e Logjës, një ndër betejat më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare, e komanduar nga oficerët profesionistë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në krye me kolonel Tahir Zemaj.

Më 6 korrik 1998, Rrustem Bruqi ra heroikisht në fushën e nderit, duke fituar pavdekësinë. Gjaku i tij dhe i të gjithë dëshmorëve u bë themeli i fuqishëm mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës.

Në këtë përkujtim u përmend vetëm një pjesë e veprimtarisë së Heroit Rrustem Bruqi, sepse kontributi i tij është shumë më i madh sesa mund të përfshihet në një shkrim të vetëm.

Veprimtaria e Heroit Rrustem Bruqi është shumëdimensionale dhe nuk mund të izolohet vetëm brenda kornizave të Betejës së Logjës, sado madhështore dhe historike të jetë ajo. Kur flasim për figurën e tij, duhet të flasim për të gjithë rrugëtimin e tij kombëtar, që fillon me organizimin politik të viteve të rezistencës, vazhdon me organizimin e rezistencës së armatosur, me ndërtimin e strukturave ushtarake të Republikës së Kosovës dhe përfundon me rënien e tij heroike në altarin e lirisë.

Ata ecën krah për krah me idealin e Presidentit Ibrahim Rugova, me institucionet e Republikës së Kosovës, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me luftëtarët e lirisë, deri në rënien e tyre heroike në fushën e nderit.

Prandaj, Rrustem Bruqi dhe Salih Çekaj nuk janë vetëm heronj të betejave ku ranë. Ata janë arkitektë të rezistencës sonë kombëtare, themelues të organizimit politik e ushtarak të Republikës së Kosovës dhe gurë themelorë të shtetit të Kosovës. Ata janë vetë liria dhe vetë shteti i Kosovës.

Lavdi Heroit Salih Çekaj!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Me shumë nderime kryesia e SHBK „Salih Çekaj“,kryetari Saim Tahiraj!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu