Kuvendi pasqyrë e vetëdijes shoqërore!

Shkrime relevante

Arkivat janë dhimbja, turpi dhe faji gjenetik i shqiptarëve

Xhafer Shatri, Gjenevë ____ Shkëlzen Gashi para disa ditësh, në një postim, trajtoi...

Protestat në Shqipëri, legjitimiteti demokratik dhe kufijtë e akuzave publike

Nga Dr. Zef  Mulaj Në një shtet demokratik, protesta publike përbën një...

Kuvendi pasqyrë e vetëdijes shoqërore!

Florim Zeqa Deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë janë bërë për t’i kënduar...

“Kufijt e Arbërit” në përkrahje të Kishës së re katolike në Zogaj

Nga “Kufijtë e Arbërit” Ka momente kur një gurthemel nuk shënon vetëm...

Kisha në Zogaj, një gur në themelet e bashkëjetesës dhe kujtesës sonë kombëtare

Nga Prof. Avdi Gjata Në mbështetje të nismës për ndërtimin e Kishës...

Shpërndaj

Florim Zeqa

Deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë janë bërë për t’i kënduar me atë këngën e ahengjeve familjare “Kqyrni shoqe çka ka rritur nana”, dhe vërtetë duhet adresuar pyetjen logjike të gjithë atyre që i kanë votuar këta deputet të papërgjegjshëm: “Kqyrni popull kë e keni zgjedhur për deputet në Kuvendin e Kosovës”?!

Nga tempull i demokracisë në shtëpi të turpit dhe marrëzisë

Pamjet trishtuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës, turpëruese dhe fyese për qytetarët (mërgimtarët), u bënë tërheqëse për armiqt e Kosovës!

Gjuha fyese, mënyra primitive dhe arrogante e komunikimit mes deputetëve e shpërfaqi mungesën e kulturës qytetare dhe politike të disa prej deputeteve dhe deputetëve të zgjedhur dhe jo vetëm!

Pasi, ata deputet dhe deputete arrogante të ardhur në Kuvend me votën e qytetarëve (mërgimtarëve) ia qitën faqen e zezë mbarë Kosovës para syve të botës!

Në mungesë të gazetave të shtypura, portalet vendore vërshuan me video-inçizimet e përplasjeve mes deputetëve, ballinat e shtypit rajonal dhe atij botëror u mbushen me pamjet e llahtarshme në Kuvendin e Kosovës, të filluara me gjuajtjen e vezeve dhe ujit e deri tek përleshjet fizike!

Skenat e pahijshme në Kuvendin e Kosovës duhet t’i thërrasin ndërgjegjës qytetare, që në të ardhmen të jenë më të kujdesshëm në hedhjen e votës, pasi përleshjet e deputetëve në Kuvend, në mënyrë të tërthortë janë përgjegjësi e 36 % votuesve, por jo edhe e atyre që nuk i kanë votuar (64 %).

Qytetari në momentin e votimit e merr përgjegjësinë morale për votën e tij

Një fjalë e urtë e thotë bukur dhe kjartë: “Secili popull e ka qeverinë që e meriton”!

Sikurse qeveria, edhe përbërja e Parlamentit janë produkt i votës qytetare!

Kur nuk ke për kë voton!

Më mirë është të abstenosh nga procesi i votimit sesa të sjellësh maskarenj në Kuvend!

Mungesa e kandidatëve të pavarur për deputet ka bërë që qytetarët më shumë të votojnë për parti politike, duke mos i kushtuar kujdes të mjaftueshëm kandidatëve në listat zgjedhore!

Vota vetëm për parti nuk është votë e lirë! Në të shumtën e rasteve është votë e imponuar dhe inatçore, e ndikuar nga interesat personale apo grupore brenda sojit (partisë)!

Vota e papeshuar mirë e qytetarëve, e ka sjellë në Kuvend gjuhën e rrugaqërisë, injorancën, arrogancën e shfrenuar dhe dhunën fizike!

Kjo që po ndodhë në Parlament dhe jashtë tij është e papranueshme!

Kacafytja mes femrave ishte e paparë deri më tani në Kuvendin e Kosovës!

Të paktën deri më tani, deputetet e kishin një imazh më të mirë sesa deputetët në Kuvend, nga kjo legjislaturë u bën njësoj si meshkujt ashtu edhe femrat!

Shumica e deputetëve të zgjedhur sikur kanë harruar se Kosova është çliruar me gjak dhe sakrifica të panumërta me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare!

Edhe fazat e ndërtimit të institucioneve shtetërore nuk ishin të lehta!

Duhet pasur respekt për secilën periudhë të shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës!

‘Koloseumi i gladiotorëve’ me kostume intelektualësh

Deputetët/et e rinj dhe të vjetër në moshë, ia mësyjnë Kuvendit të veshur dhe të pispillosur, flokët e lagura me gel dhe fytyrën e mbushur plot makiazh, por dalin nga aty si pula të nukta dhe gjela të gjakosur nga ‘beteja’ në Parlament!

Kuvendi nuk është ‘Koloseum gladiatorësh’ ku fituesin e përcakton forca fizike!

Forca e argumenteve duhet t’ia zë vendin forcës së muskujve!

Tempulli i demokracisë duhet të jetë vend ku flitet me fakte dhe argumente, me gjuhën e butë dhe arsyen e shëndoshë, kur respektohet mendimi ndryshe dhe vlerësohet dinjiteti njerëzorë!

Kur deputetët sillen me arrogancë nuk iu ngjanë më deputetëve, por gladiatorëve që luftojnë deri në vdekje për të fituar trofeun (pushtetin e premtuar me poste nga partia), duke e kthyer kështu Kuvendin në arenë përplasjesh fizike!

Aq të ashpra janë sjelljet e të zgjedhurve të popullit saqë gjuha fyese dhe ofendimet nuk ju bëjnë më përshtypje qytetarëve, pasi ato iu duken arenë cirku, me ç’rast shpërthejnë debatet mes qytetarëve: “kush kë e lagu më shumë”, “kush kujt ia nguli më shumë”, “kush ishte më i forti e cili ishte më i ligu në ballafaqimin fizik në Parlament”?!

Në fakt, ky është diskursi i politikës ditore në Kosovë!

Deputetët e zgjedhur me rekomandim të liderëve partiakë me të hyrë në Kuvend kthehen në pengje të liderit dhe klaneve në parti, duke harruar se janë përfaqësues të popullit që i ka zgjedhur me votën e lirë!

Skenat në Kuvendin e Kosovës janë produkt i asaj që qytetarët (mërgimtarët) vetë i kanë zgjedhur! Sjelljet e deputetëve dhe deputeteve janë pasqyrë e vetëdijes shoqërore, e cila asnjëherë nuk ka qenë në nivelin më të ulët së paku në këto dyzet vietet e fundit! Degradimi i deputetit pasqyron gjendjen reale të shoqërisë sonë!

  • Florim Zeqa, analist i pavarur politik.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu