Shkëlzen Gashi para disa ditësh, në një postim, trajtoi një temë shumë të rëndësishme për Kosovën, për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e saj : ARKIVAT.
Ai tha aq shumë të vërteta të dhimbshme sa që çdo person i apostrofuar do të duhej të skuqej prej turpit.
Rrëfimin e Shkëlzenit dua ta plotësoj edhe me dy raste tmerrësisht të rënda që pasqyrojnë dy krime të pafalshme që janë kryer pas çlirimit të Kosovës e me çrast janë zhdukur ose janë djegut materiale arkivore të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë tonë:
1. Në vitin 2000 nga bodrumet e objektit ku sot ndodhet Kuvendi i Republikës së Kosovës, me ndihmën e agjentëve të saj në UNMIK, Serbia, brenda një nate, i ka marrë disa kamionë material arkivor dhe i ka dërguar në Beograd.
2. Në vitin 1999, akoma pa përfunduar lufta, organet serbe të pushtimit në komunën e Istogut, e kanë nxjerrë KREJT ARKIVIN E BURGUT TË DUBRAVËS dhe e kanë vendosur në objektin e Sharrës « Radusha » që ndodhej në fshatin Dubravë.
Pas çlirimit, në atë objekt ishte vendosur Kfori spanjoll.
Në vjeshtën e vitit 2007 Kfori spanjoll tërhiqet nga Kosova dhe objekti ku ai ishte vendosur nxjerret në shitje përmes një tenderi publik.
Firma që e kishte blerë, qëllimisht nuk po ia përmend emrin, sepse ajo nuk ka përgjegjësi, fillon ta përgatisë objektin e posablerë për nevojat e veta.
Meqë arkivi i Burgut të Dubravës ndodhej ende aty, firma e çon një përgjegjës të sajin në komunë dhe e lajmëron një zyrtar të lartë komunal për ektzistencën e arkivit të Burgut të Dubravës dhe kërkon që komuna ta marrë materialin arkivor dhe ta dërgojë atje ku e ka vendin…
Mirëpo zyrtari i lartë pa e çarë kaptinën fare i thatë personit që kërkonte zgjidhje :
« Lufta tashmë ka përfunduar, ne duhet të shohim kah e ardhmja, prandaj digjeni atë material arkivor sepse nuk kemi nevojë për të… »
Shtatë ditë e shtatë netë punëtorët e firmës kanë djegur material arkivor të një rëndësie të jashtëzakonshme për Kosovën.
A e merrni me mend se çka ka pasur në arkivin e Burgut të Dubravës ? Aty ka pasur dokumente për fatin e Ukshin Hotit, për masakrën që e kryen kriminelët e Millosheviqit duke vrarë edhe me bomba shqiptarë me duar lidhë ; ka pasur rrjete spiunazhi, përdhunime, plane antishqiptare të të gjitha përmasave e përmbajtjeve.
Dhe të gjitha ato prova janë djegur. Kjo flet vetë dhe shumë se në duar të kujt kishte rënë Kosova e lirë.
Sepse këso krimesh mund të ndodhin vetëm në një vend të mjerë që e kanë kapur cubat për fyti.
***
Meqë po flasim për arkivat, ju vë në dijeni juve që i lexoni këta rreshta, posaqërisht njerëzit e interesuar si Shkëlzen Gashi, se Arkivi i Ministrisë për Informim që ka funksionuar në Gjenevë, është ruajtur në tërësi me çdo gjë që ka pasur në objekt, përfshirë edhe gotat, edhe lapsat, pa folë për dosje e dokumente, libra protokoli, ditarë telefonatash etj…
Poashtu edhe arkivi i Redaksisë së RTV të Kosovës në Tiranë, pos kasetave etj. që ishin në Redaksi, është i plotë.
Veç kësaj edhe arkivi i Fondit të 3% në Zvicër është i plotë, prej A deri në Zh : shënimet e pagesave të donatorëve, raportet vjetore të organit të kontrollit, korrespondenca, urdhëresat e transferit të mjeteve në Bankën Dardania e deri edhe te regjistrat e parave të grumbullura gjatë aksioneve të ndryshme siç ishte ai « Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës « etj.
Madje edhe deri te copëzat e pusullave me pyetjet që bëheshin nga bashkatdhetarët nëpër mbledhjet e ndryshme gjatë mobilizimit për ta ndihmuar Kosovën.
Ky arkiv po skanohet gradualisht dhe pastaj i tëri do t’i dorëzohet Arkivit të Kosovës me krejt çka ka, sepse çdo gjë që ka aty i takon Kosovës.
Dorëzimi do të bëhet me procesverbal dhe në të dyja format : fizike dhe digjitale.
Posa të kryhet kjo punë shumë materiale e sidomos arkivi i plotë i Fondit të 3% do nxjerret në një faqe interneti në mënyrë që çdo donator apo person i interesuar të ketë qasje në të.
ps!
Portreti i atutorit është i Sak Mujit, artistit dhe të burgosurit politik të voitit 1981
Mendime të Shkelzen Gashit, rreth arkivave…Shih videon:



