
Nga Frank Shkreli
___
Protestat e sotme në Shqipëri, janë një shenjë se shqiptarët po rizgjohen për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë. Para 10–15 vitesh, kur shkruaja artikuj për “Demokracia nuk pret”, nuk e kisha fjalën vetëm për një shqetësim të çastit politik. Ishte një paralajmërim se demokracia shqiptare nuk mund të lihej në mëshirën e politikanëve, të partive politike apo të interesave të pushtetit. Kam theksuar vazhdimisht se, Demokracia kërkon vigjilencë, kërkon qytetarë pjesëmarrës. Kërkon një shoqëri që nuk hesht kur institucionet dobësohen, kur pushteti përqendrohet, kur korrupsioni bëhet pjesë e sistemit dhe e jetës së përditshme dhe kur qytetari fillon të ndiejë se zëri i tij nuk dëgjohet më.
Sot, pas më shumë se një dekade, kemi ardhur në një pikë ku titulli “Demokracia nuk pret” merr një kuptim edhe më të fortë: Demokracia është në rrezik dhe shqiptarët kanë filluar ta kuptojnë këtë. Protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera gjatë vitit 2026 duhen parë edhe në këtë kontekst. Ato nuk janë vetëm një përplasje ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Sigurisht, partitë politike kanë interesat dhe agjendat e tyre dhe do përpiqen të shfrytëzojnë çdo pakënaqsi të qytetarëve me qeverinë në pushtet. Por përtej partive politike, në Shqipëri, më në fund, po shfaqet diçka tjetër: pakënaqësia qytetare dhe dëshira e një pjese të shoqërisë për të mos qëndruar më spektatore përballë mënyrës se si qeveriset vendi.
Në protestat e fundit është parë edhe një element i rëndësishëm: pjesëmarrja e të rinjve. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf –Lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, për shembull, ka mobilizuar mijëra shqiptarë, veçanërisht të rinj, të cilët kanë ngritur shqetësime jo vetëm për projektet konkrete të zhvillimit, por edhe për korrupsionin, institucionet publike dhe mënyrën e shpërndarjes së pasurisë e mundësive në vend. Ky mobilizim është ndoshta pjesa më shpresëdhënëse e zhvillimeve të sotme. Sepse një shoqëri demokratike fillon të zgjohet atëherë kur qytetari nuk thotë më: “Çfarë mund të bëj unë?” Por pyet: “Çfarë po bëjmë ne?” Ky është ndryshimi ndërmjet indiferencës dhe qytetarisë.
Me të drejtë, protestat prej pothuaj dy muajsh shikohen nga vërejtës të jashtëm dhe të brendshëm si një shenjë zgjimi qytetar i shqiptarëve. Nuk është aq e rëndësishme vetëm se sa njerëz dalin në një protestë. Më e rëndësishme është fakti se pse dalin. Kur qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar transparencë, drejtësi, llogaridhënie, mbrojtjen e pasurisë publike dhe respektimin e institucioneve, atëherë protesta merr një dimension më të madh se një konflikt i zakonshëm politik. Ajo bëhet një shprehje e sovranitetit qytetar. E kjo, pikërisht, është arsyeja pse protestat duhet të lexohen më me kujdes. Edhe analizat e fundit mbi zhvillimet politike në Shqipëri i kanë lidhur protestat me probleme më të thella sistemike të demokracisë shqiptare, jo vetëm me një konflikt të momentit. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se çdo protestë është demokratike në çdo formë të saj. Dhuna, sulmet ndaj policisë apo shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen në emër të demokracisë. Protesta demokratike duhet të jetë e vendosur, por paqësore, e guximshme, por e përgjegjshme. Sepse qëllimi nuk është të zëvendësohet një autoritarizëm me një tjetër. Qëllimi është të forcohet demokracia. Kjo njuk do të thotë se Shqipëria është kthyer në një diktaturë. Por në të njëjtën kohë, një demokraci nuk humbet vetëm atëherë kur mbyllet parlamenti, kur ndalohen partitë politike apo kur burgosen kundërshtarë politikë.
Nga paralajmërimi disa vite më parë se, “Demokracaia nuk pret”, te alarmi sot se demokracia është në rrezik në Shqipëri, ishte një lidhje gjatë viteve e shkrimeve të mia të dikurshme e deri në ditët e sotëme: Se “Demokracia nuk pret” ishte pra një paralajmërim, ndërsa sot më duhet të jap alarmin se “Demokracia është në rrezik.” Se i ashtuquajturi “tranzicion” është grabitur nga klasa politike në Shqipëri por edhe Kosovë, një fenomen që po dëbon shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Klasa politike në të dy anët e kufirit duhet të kuptojë se legjitimiteti nuk fitohet vetëm në zgjedhje, qofshin ato edhe të lira, por ai ruhet dhe kultivohet përmes integritetit moral e kombëtar, transparencës dhe përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarëve. Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf
Një gjë pozitive nga këto zhvillime të fundit është fakti se protestat janë një nga shenjat se në të vërtetë, një pjesë e shoqërisë shqiptare po e kupton tani këtë rrezik që po i kanoset Kombit shqiptar. Mbetet për tu pa nëse ky është fillimi i një zgjimi që ka munguar për dekada tani. Për vite me radhë shqiptarët janë ankuar në kafene, në familje, në rrjetet sociale dhe në biseda private. Për fat të keq të vendit, shumë prej tyre kanë zgjedhur emigrimin si përgjigje ndaj mungesës së shpresës. Të tjerë janë tërhequr nga politika, disa të tjerë i janë dorëzuar fatit duke menduar se politikanët shqiptarë, “të gjithë janë njësoj”. Por demokracia nuk mund të mbijetojë kështu nëse qytetari largohet prej saj, duke u dorzëuar para së keqes. Prandaj, një qytetar që del në shesh për të kërkuar llogari nga pushteti nuk duhet parë, domosdoshmërisht, si kundërshtar i shtetit. Në një demokraci normale, qytetari kritik është një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të shtetit demokratik.
Sa herë jam shprehur se Shqipëria ka nevojë për një zgjim demokratik. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një tjetër revolucion politik që të zëvendësojë një grup politikanësh me një grup tjetër. Por ata kanë nevojë për një revolucion demokratik të ndërgjegjes. Duhet një brez që beson se ligji është mbi pushtetin. Një brez që nuk pranon korrupsionin si normalitet. Një brez që kërkon zgjedhje të lira e të besueshme. Një brez që kërkon drejtësi të pavarur. Një brez që nuk e sheh shtetin si pronë të partisë që qeveris. Dhe mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një brez që nuk pranon të largohet nga Shqipëria vetëm sepse nuk sheh një të ardhme në vendin e vet.
Prandaj, kjo është arsyeja pse protestat e sotme mund të jenë më shumë se një episod politik. Shpresoj që ato të jenë shenja e një zgjimi të vërtetë qytetar, pa kthesë mbrapa. Dhe nëse është kështu, ky zgjim duhet përshëndetur, por edhe drejtuar ndaj një qëllimi të qartë e të përbashkët: forcimit të demokracisë shqiptare. Sepse — Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf — siç kemi thënë shpesh, demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Mbrohet çdo ditë. Sa herë kam cituar ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan se, “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg shuarjes. Se për demokracinë duhet luftuar dhe duhet mbrojtur çdo ditë dhe nga çdo brez.” Se demokracia mbrohet kur qytetari flet. Mbrohet kur gazetari investigon. Mbrohet kur gjyqtari vendos sipas ligjit. Mbrohet kur parlamenti kontrollon qeverinë. Mbrohet kur opozita ushtron detyrën e saj. Mbrohet kur pushteti pranon kritikën. Dhe mbrohet, mbi të gjitha, kur qytetarët refuzojnë të heshtin. Sepse historia na mëson se demokracitë nuk zhduken gjithmonë me një goditje të vetme. Ato mund të konsumohen pak nga pak, në heshtje, përmes tolerimit të shkeljeve të vogla, normalizimit të arrogancës së pushtetit dhe indiferencës së qytetarëve. Kam shkruar për vite me rradhë se mungesa e demokracisë së vërtetë, dobësimi i institucioneve, mungesa e një opozite efektive dhe mos-distancimi zyrtar nga trashëgimia dhe krimet e diktaturës komuniste mund të krijonin terrenin e volitshëm për prirje autoritare.
Para një dekade e gjysmë na ishte paralajmërimi im: “Demokracia nuk pret.” Sot do ta përsërisja këtë mesazh me një forcë edhe më të madhe dhe me një zë edhe më të fortë se, po “Demokracia nuk pret”, por demokracia as nuk mbrohet vetë. Prandaj, ma merr mendja se nëse protestat e sotme janë vërtet shenja e një zgjimi qytetar, atëherë Shqipëria ka ende një mundësi. Një mundësi për ta kthyer zemërimin në ndërgjegje, pakënaqësinë në pjesëmarrje, protestën në qytetari dhe zgjimin qytetar në një kërkesë të qartë — se jo vetëm që Shqipëria ka nevojë për një qeveri tjetër të re — kjo është e qartë. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf — Por mbi të gjitha, dy shtetet shqiptare –Shqipëria dhe Kosova — kanë nevojë për një demokraci më të fortë, me pjesëmarrjen e qytetarëve. Sepse në fund të fundit, kjo është beteja që nuk përfundoi me rrëzimin e komunizmit dhe siç duket, as me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërsa beteja për demokracinë e vërtetë vazhdon.
Këtu qëndron pra edhe ndryshimi ndërmjet “Demokracia nuk pret” e viteve më parë dhe thirrjes sot se “Demokracia është në rrezik.” E para ishte një paralajmërim. E dyta është një alarm për veprim. Se, për fat të keq, sot kemi arritur aty ku paralajmërimet e djeshme janë shndërruar në realitetin e sotëm politik anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky alarm nuk i drejtohet vetem qeverisë apo opozitës. Ai i drejtohet gjithë shoqërisë shqiptare sepse demokracia nuk është pronë e asnjë partie politike. Nuk është pronë e kryeministrit, e opozitës, e parlamentit, e ambasadave apo e instiucioneve ndërkombëtare. Demokracia është pronë e qytetarëve.

Tre vëllime publicistikë të autorit “Demokracia nuk pret”, botuar nga Gazeta Telegraf, Tiranë, 2018


