Në 80-vjetorin e lindjes, një vështrim mbi veprën e shkrimtarit, historianit, publicistit dhe bashkëpuntrit të Dr Ibrahim Rugovës
80-vjetori i lindjes së Jusuf Buxhovit m’u duk se është një është një rast i mirë për ta trajtuar figurën e tij jo thjesht si një përvjetor personal, por si një bilanc të një veprimtarie gjashtë-dekadëshe në letërsi, gazetari dhe historiografi. Buxhovi mbushi 80 vjeç më 4 gusht 2026 dhe këtë përvjetor e shoqëron edhe 60-vjetori i krijimtarisë së tij.
Ka përvjetorë që shkojnë e vinë, e për të gjithë ne shënojnë vetëm kalimin e viteve, por ka përvjetorë që na japin mundësinë të ndalemi përpara një vepre dhe një jete dhe verprimtarie të madhe. 80-vjetori i Jusuf Buxhovit është një nga ata përvjetor që dua ta kujtojë (megjithse me pak vonesë) me respektin që kam për të dhe për kontributin e tij gjatë viteve. Me Jusuf Buxhovin jam njohur fillimisht në fillim të viteve ’90, në Washington, në një periudhë vendimtare për Kosovën dhe për përpjekjet e saj për të fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe botës. Ai vinte në Washington si pjesë e delegacioneve të Presidentit Ibrahim Rugova, në kuadër të përpjekjeve të atëhershme për ta paraqitur çështjen e Kosovës para institucioneve qeveritare dhe qarqeve politike amerikane. Ishte koha kur diplomacia politike dhe ajo publike e Kosovës po ndërtonte themelet e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe çdo vizitë në Washington kishte një rëndësi të veçantë. Në ato takime të para dhe më vonë, pata mundësinë ta njoh Jusuf Buxhovin, jo vetëm si gazetar, shkrimtar e publicist, por edhe si një intelektual të angazhuar drejtpërdrejt në çështjen kombëtare dhe si anëtar të ekipit politik e intelektual që shoqëronte Rugovën në përpjekjet e tij diplomatike të asaj kohe. Ky dimension i jetës së tij është shumë i rëndësishëm, sepse e plotëson figurën e Buxhovit si intelektual që nuk qëndroi vetëm në rolin e shkrimtarit, gazetarit dhe historianit, por u përfshi drejtpërdrejt edhe në jetën politike të Kosovës. Sidomos në periudhën e Ibrahim Rugovës, dallohej veprimtaria e tij politike dhe bashkpunimi i ngushtë me Presidentin historik të Kosovës. Në vitet vendimtare të rezistencës politike dhe institucionale të Kosovës, Buxhovi ishte pjesë e rrethit të intelektualëve që e mbështetën vizionin politik të Rugovës dhe rrugën e tij të veçantë drejt lirisë e pavarësisë. Si një nga themeluesit dhe drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në periudhën e hershme, ai kontribuoi në artikulimin politik të çështjes së Kosovës dhe në përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar atë. Përvoja e gjatë si gazetar dhe korrespondent në Gjermani i dha Buxhovit një njohje të drejtpërdrejtë të realiteteve politike evropiano-perëndimore nepërmjet kontakteve me qarqet politike e diplomatike të botës së lirë. Kjo përvojë e ndërthur me vizionin politik të Rugovës, e ka bërë Buxhovin një nga zërat intelektualë e politikë të rëndësishëm të asaj periudhe. Kjo njohje e hershme me të në Washington më ka mbetur si një nga kujtimet e mia që e lidh figurën e Jusuf Buxhovit me një periudhë kur fjala, argumenti dhe prania politike e intelektualëve shqiptarë në kryeqytetin amerikan, në fillim të 1990-ave, kishin një peshë të veçantë.
Më 4 gusht 1946, në Pejë, lindi një njeri që do ta ndërtonte jetën e tij intelektuale në disa fusha, njëherësh, si gazetar, shkrimtar, historian dhe publicist. Sot, në moshën 80-vjeçare, Jusuf Buxhovi shënon jo vetëm një jetë të gjatë, por edhe gjashtë dekada krijimtarie. Rruga e tij nisi në gazetarinë e kulturës në gazetën “Rilindja”, në vitin 1967. Më pas ai u bë redaktor dhe, për më shumë se dy dekada, korrespondent i kësaj gazete në Bon, në atë kohë kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore. Përvoja gjermane do të ishte vendimtare për formimin e tij si studiues. Nga viti 2000 deri më 2008, ai iu kushtua kërkimeve në arkivat gjermane, duke e kthyer gazetarinë dhe përvojën e drejtpërdrejtë me botën perëndimore në një tjetër instrument për të lexuar historinë shqiptare. Frank SHKRELI/Përkatësia perëndimore e Shqiptarëve | Gazeta Telegraf
Por Buxhovi nuk mund të kuptohet vetëm si gazetar dhe as vetëm si historian. Thelbi i figurës së tij është pikërisht ndërthurja e këtyre dy dimensioneve me letërsinë. Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më vonë kreu studimet pasuniversitare në Histori, duke mbrojtur temën mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, bazuar në dokumentet gjermane. Kështu, letërsia dhe historia u bënë dy shtylla të një pune që synonte të depërtonte në kujtesën shqiptare. Në letërsi, Buxhovi ka ndërtuar një botë të tijën, ndërsa në historiografi ka ndërmarrë një projekt shumë më të gjerë: rivështrimin e historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve përmes dokumentit, kujtesës dhe interpretimit historik. Vepra shumëvëllimëshe “Kosova” është shprehja më e dukshme e këtij qëllimi. Vetë përmasat e këtij projekti e vendosin autorin përpara një detyre që shkon përtej një libri të zakonshëm historiografik. Ajo është një përpjekje për të ndërtuar një narrativë të gjerë mbi fatin dhe të vërtetën historike të Kosovës dhe të shqiptarëve. “Të shënohet e kaluara me qëllim që të mos harrohet dhe të përballemi me të kaluarën e ligët, si pjesë e përgjegjësisë së plotë që ka njeriu ndaj së Vërtetës dhe detyrimi që të gjithë të kemi — si individ dhe shoqëri — për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të Vërtetën.” Këtu qëndron edhe një nga veçoritë më të rëndësishme të Buxhovit se ai nuk e sheh historinë vetëm si të kaluar, por si një forcë që vazhdon të ndikojë në të tashmen. Frank Shkreli: Ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi, zbuluesi i parë i librit të parë shqip “Meshari” dhe shënimet e Gjon Nikoll Kazazit të Jusuf Buxhovit | Gazeta Telegraf
Në këtë kuptim, puna e tij historiografike ka qenë dhe mbetet edhe një përpjekje për ta nxjerrë historinë shqiptare nga kornizat e vjetra ideologjike komuniste dhe nga interpretimet e ndërtuara prej historiografive të huaja, sidomos asaj serbe. Në intervista të ndryshme, Buxhovi ka insistuar në nevojën që historiografia shqiptare të përballet me dokumentin dhe të çlirohet nga paragjykimet ideologjike.
Sigurisht, si çdo autor që prek tema të mëdha dhe të ndjeshme, edhe Buxhovi ka prodhuar debate. Disa prej tezave të tij historike kanë qenë dhe mbeten të diskutueshme në disa qarqe akademike. Por pikërisht këtu duhet parë një nga vlerat e tij. Me punën dhe veprat e tij ai ka nxitur debat mbi historinë shqiptare, duke mos pranuar që disa tema të mbeten të mbyllura në formulat tradicionale. Sepse një intelektual nuk matet vetëm me numrin e veprave që shkruan. Ai matet edhe me pyetjet që u lë pas brezave. Dhe Buxhovi ka ngritur shumë pyetje. Çfarë dimë, realisht, për historinë tonë? Sa prej saj është shkruar nën ndikimin e politikës? Sa kemi ditur ta lexojmë dokumentin? Si duhet të ndërtohet kujtesa kombëtare? Dhe, mbi të gjitha, si mund të bashkëjetojnë letërsia, historia dhe përgjegjësia intelektuale? Në vitet e fundit, Buxhovi ka vazhduar të jetë aktiv në debatet mediatike dhe akademike për historinë, identitetin kombëtar dhe zhvillimet politike shqiptare. Në një intervistë më heret, me rastin e 80-vjetorit dhe 60-vjetorit të krijimtarisë, ai është rikthyer, pikërisht te marrëdhënia midis letërsisë, historisë, kujtesës dhe rolit të intelektualit në një shoqëri demokratike.
Kjo është ndoshta mënyra më e mirë për ta kuptuar figurën e tij. Jusuf Buxhovi është një intelektual që ka jetuar mes faktit historik dhe imagjinatës letrare, mes dokumentit dhe kujtesës historikee dhe mes gazetarisë e studimit. Në një kohë kur sot gazetaria shpesh është bërë e përkohshme, ndërsa letërsia shpesh e fragmentuar dhe debati historik i politizuar, një jetë e kaluar në kërkim të dokumentit dhe fakteve, në shkrim dhe në debat, përbën një trashëgimi që meriton të vlerësohet. Tetëdhjetë vjet pas lindjes së tij, mund të thuhet se Buxhovi i përket një brezi intelektualësh që e përjetuan Kosovën në një nga periudhat më të vështira të historisë së saj moderne dhe që, në mënyrën e tyre, u përpoqën ta dokumentonin, ta shpjegonin dhe të mbronin kujtesën e saj. Prandaj 80-vjetori i Jusuf Buxhovit nuk duhet të jetë vetëm një urim. Duhet të jetë një moment për të rilexuar veprën e tij, për të vlerësuar kontributet e tij, për të diskutuar edhe tezat e debatueshme dhe për të vendosur këtë figurë në vendin që meriton në historinë e mendimit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI. 80- vjet jetë dhe 60- vjet krijimtari janë një rast për të uruar dhe për të nderuar njeriun, por edhe për të gjykuar veprën, ndërsa vepra e Jusuf Buxhovit është tashmë pjesë e kujtesës historike intelektuale mbarë-shqiptare.
Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për kontributin e Profesor Jusuf Buxhovit në letërsi, gazetari dhe historiografi. Vepra e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në kujtesën kulturore dhe historike mbarë-shqiptare duke pasuruar mendimin dhe debatin intelektual. Përmes shkrimeve dhe angazhimit publik, ai ka kontribuar në në ndërtimin e vetëdijes historike dhe identitetit historik kulturor kombëtar shqiptar. Ju uroj shëndet të mirë dhe vazhdim të suksesëshëm të krijimtarisë suaj intelektuale dhe kombëtare edhe për shumë vite.
Jusuf Buxhovi me Ibrahim Rugovën në fillim të 1990-ave
Autori me Profesor Jusuf Buxhovin ë Nju Jork, 2012
Me rastin e promovimit nga VATRA të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës, New York 1 Dhjetor 2012 —Frank SHKRELI/Përkatësia perëndimore e Shqiptarëve | Gazeta Telegraf


