
Gani Qarri, Zvicër
* Edhe njëherë për z. Josepch DioGuardi-President!
Lajmi i mirëpritur se ish-kongresisti i mirënjohur dhe kryetari shumëvjeçar i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, z. Josepch DioGuardi bashkë me zonjën e tij Cloyes DioGuardi do të vizitojnë vendin tonë me ç`rast nga kryeministri Kurti ata do të marrin edhe pasaportën e Republikës së Kosovës, pas shkrimit të publikuar më 11 dhe 22 prill të këtij viti, më frymëzoi edhe më tepër, të përsërisë dhe njëherë publikisht kërkesën time të sinqertë që ky atdhetar i madh dhe kontributdhënës i jashtëzakonshëm i çështjes kombëtare shqiptare, në shenj nderimi ndaj gjithë veprimtarisë së tij shumëvjeçare dhe nevojës imediate që ka aktualisht vendi ynë i brishtë, për emërimin e një personaliteti konsensual për të parin e shtetit, sapo ta marr në dorë pasaportën e Dardanisë, pa humbur asnjë minutë kohë më shumë, veterani i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare z.Josepch DioGuardi të zgjidhet me aklamacion në Kuvend dhe të dekorohet me ceremoni zyrtare në postin e merituar të presidentit të Republikës së Kosovës!
Shqiptaro arbëreshi i shquar Josepch DioGuardi u lind më 20 shtator të vitit 1940 në Bronks të Nju Jorkut dhe erdhi në jetë si fëmijë i një babai shqiptar, familja e të cilit kishte emigruar herët nga Shqipëria në fshatin Greçi afër Napolit që njihet si fshati më i vjetër shqipfolës në Itali, prej nga i ati Joni në vitin 1929 u vendos në Amerikë ku u lind, shkollua dhe më 1962 edhe diplomoi me rezultate të shkëlqyera z.Josepch DioGuardi.
Josepch DioGuardi ishte anëtari i parë shqiptaro-amerikan me të drejtë vote në Kongresin e SHBA-ve, i cili në vitin 1989 themeloi edhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civil League), organizatën e parë të këtij lloji në SHBA dhe pa asnjë dyshim, ai vijon të mbetet edhe aktualisht avokati më i mirë i popullit shqiptare të Kosovës në SHBA,
Ndërsa Shirley Cloyes DioGuardi, bashkëshortja e Joseph DioGuardi-t, përveçse dallohet si “Këshilltare për Çështjet e Ballkanit”, ajo e ka ndihmuar dhe vijon ta ndihmojë z.DioGuardi edhe në udhëheqjen e suksesshme të kësaj organizate famëmadhe shqiptare.
Z. DioGuardi me punë të palodhur e angazhim të pareshtur, mbledhjen e vazhdueshme të dëshmive autentike mbi represionin kriminal serb, që asokohe kishte arritur përmasa të tmerrshme dhe ushtrohej në përditshmëri ndaj shqiptarëve të pambrojtur, si dhe organizimin e seancave të veçanta dëgjimore në Kongresin amerikan, arriti përfundimisht ta shfaqte me sukses, të vërtetën reale dhe të krijonte perceptimin e qartë politik, shoqëror e mediatik te opinioni i gjerë amerikan mbi padrejtësitë që kryheshin sistematikisht ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, FYROM, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore.
DioGuardi,që atëherë me shumë punë e përkushtim arriti ta bënte me sukses edhe sensibilizimin e institucioneve më të larta shtetërore amerikane mbi shkeljet drastike të të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve kudo në Ballkan.
Ishte viti 1987 kur Josepch DioGuardi si i pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në Kongresin Amerikan, përmes një Rezolute të sponsorizuar prej tij personalisht në Kongres, arriti të fuste në rendin e ditës, dhe ndikonte në organizimin e seancës së parë të Kongresit të SHBA-ve për Kosovën, ku po ashtu, për herë të parë, u shpalosën edhe në Kongresin amerikan, të gjitha barbaritë serbe të kasapit Millosheviq, që ushtroheshin dhe kryheshin sistematikisht kundër shqiptarëve të pambrojtur, në Kosovën e okupuar prej Serbisë fashiste.
Siç dihet edhe nga historia jonë e afërt,në fundin e shekullit XX e veçanërisht në vitet 1987-1998-1989, çështja shqiptare në Ballkan u përball me sfidat më të mëdha politike, që kishte njohur vendi asokohe, duke quar Kosovën dhe popullin e saj deri buzë greminës ekzistenciale, vënë në pikëpyetje mbijetesën kombëtare dhe rrezikuar humbjen e territoreve edhe të pothuajse gjysmës tjetër të popullit shqiptar, që mbahej ende me forcë nën thundrën e egër të pushtimit serbosllav.
Andaj veçanërisht në ato momente të rënda që kalonte Kosova, ishte fat i madh për shqiptarët, që kishin zërin e tyre në Kongres, një zë i fort dhe kumbues e thellësisht autokton, i burrit më besnik arbëresh që në momentet më të vështira do ti vinte në ndihmë pa kursim Dardanisë së shumëvuajtur për çlirimin, pavarësinë, krijimin e shtetit të lirë të Kosovës, si dhe garantimin e fatit të kombit shqiptar-në shekullin e ri, siç do shprehej edhe vet z. DioGuardi!
Në kohën kur Joseph DioGuardi filloi aktivitetin e tij politik, nga 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, siç dëshmonte ai vet, vetëm 12 përfaqësues dinin fare pak për gjendjen e rëndë që asokohe mbretëronte në Kosovën e pushtuar nga Serbia fashiste.
Dhe siç do ta shpjegonte z.DioGuardi edhe në një intervistë të dhënë në vitin 2000, përveç kongresmenit Tom Lantos, dhe 12-të përfaqësuesit amerikan që dinin pak për Kosovën, asokohe nuk ishin në dijeni se Kosova popullohej nga shumica dërrmuese shqiptare.
Madje as ata 12-të dhe asnjë nga kongresistët tjerë amerikan, ato vite të vështira që kalonin shqiptarët nën okupimin serb, nuk ishin të informuar në detaje për keqtrajtimin e rëndë dhe shtypjen e pashembullt, që ndaj shqiptarëve autokton të Kosovës, ushtroheshin çdo ditë nga Serbia okupatore.
Ishte z.Joespch DioGuardi, ai i cili pikërisht në gjendjen më të trishtueshme të okupimit klasik nëpër të cilën po kalonte Kosova nën robërinë e Serbisë fashiste, i vuri në dijeni Kongresin dhe institucionet tjera shtetërore të SHBA-ve mbi të gjitha sa ndodhnin mbi kurrizin e shqiptarëve të pambrojtur në Kosovën e pushtuar.
Kështu që lajmi në kohët më të vështira të okupimit klasik nga Serbia fashiste, se shqiptarët kishin zërin e tyre autokton në Kongresin amerikan, ishte një rilindje e dytë, veçanërisht për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës.
Aktiviteti dhe kontributi i pareshtur, i z. DioGuardi, bëri bujë të madhe atëherë e vazhdon të jehojë edhe sot me shumë përkushtim e dinjitet të lart, ndaj të vetmin opsion të padiskutueshëm për tejkalimin e problemit aktual të presidentit në vendin tonë, unë përsëri e shoh zgjedhjen e z.Josepch DioGuardit si personalitetin më të merituar për të parin e shtetit të Kosovës.
DioGuardi është njëri prej politikbërësve më aktiv mbarëshqiptar, që në vazhdimësi ka bërë shumë për çështjen kombëtare, dhe ai edhe sot vijon të mbetet avokati më i mirë i popullit shqiptare të Kosovës në SHBA.
J. Dioguardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi mbeten liderët më të fuqishëm dhe udhëheqësit e lobit më të suksesshëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbrojtës të flaktë dhe zëdhënës fascinues e të paepur të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, FYROM, Mal të Zi dhe Çamëri.
Josepch dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe për realizimin e pavarësisë së Kosovës të ardhmen e sigurt të shtetit të lirë- Dardan, si dhe garantimin e fatit të mbarë kombit shqiptar-në shekullin e ri, siç do shprehej edhe vet z. DioGuardi!
Ai duke shërbyer në institucionet politike dhe shtetërore amerikane ka kontribuuar aq shumë për çështjen shqiptare dhe jetësimin e pavarësisë së Kosovës, sa nuk ka edhe një shembull tjetër as të përafërt, në trojet shqiptare dhe jashtë tyre, kudo në botë.
Një personalitet i shquar e me përvojë të bujshme politike dhe një biografi të pastër kombëtare që ishte edhe senator i shtetit të Nju Jorkut, i cili falë mbështetjes së Presidentëve Ronald Reagan, Gerald Ford, Gjorgj Bushit të vjetër etj, arriti të zhvillonte një karrierë të shquar diplomatiko-politike, të cilën e shfrytëzoi me mjeshtri të pashembullt për ti dal zot, në ditët më të vështira, popullit shqiptar dhe çështjes kombëtare.
DioGuardi kontaktoi presidentët amerikanë, sekretarët e tyre të shtetit, anëtarët kryesorë të Kongresit të SHBA-ve, republikanë e demokratë, dhe përfaqësues e udhëheqës të lartë ndërkombëtar kudo në botë, për të mbështetur sa më gjithanshëm shqiptarët nën okupimin serbosllav dhe avancuar fuqimisht çështjen e Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Në bashkëpunim të ngushtë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA-së, Josepch DioGuardi paraqiti dhjetëra rezoluta mbi çështjen kombëtare shqiptare.
Kurse në maj të vitit 1990 bashkë me Tom Lantos-in vizitoi edhe Kosovën duke u bërë dy zyrtarët e parë të lartë amerikanë që në vendin e ngjarjes mësuan situatën tmerruese politike, duke e parë me sytë e vet, nga afër.
Në gusht të vitit 1990, z.DioGuardi ishte bashkë me z. Bob Doll në Kosovë, ndërsa më 1998 bashkë me DANA ROCHBACHER vizituan Kosovën për tu informuar nga dora e parë, mbi krizën e trishtueshme humanitare të shkaktuar nga Serbia në Kosovë, etj,.
Josepch DioGuardi u bë njëri ndër zërat më të fuqishëm pro-shqiptar në Kongresin Amerikan dhe ngriti nivelin e informimit deri në ato përmasa, sa që arriti të garantojë mbështetje gjithnjë e më të madhe edhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-ve, të cilët u ngritën në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe mbështetjen me fakte të pavarësisë së Kosovës.
Me prezantimin permanent të rezolutave për Kosovën në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe Kongresin Amerikan, Joseph DioGuardi hapi një etapë të re, të panjohur deri atëherë në historinë e shqiptarëve, për avancimin e çështjes kombëtare dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, akte të cilat e bëjnë z. DioGuardi avokatin më të suksesshëm në mbrojtjen publike të çështjes mbarëkombëtare të shqiptarëve dhe shembullin më madhështor pozitiv i cili do të mbahet mend nga historia jonë kombëtare në të gjitha trojeve tona etnike, për të arriturat e shqiptarëve në dy shekujt e fundit.
Kontributi i tij i vazhdueshëm për mese 4 dekada në politikën e SHBA-ve dhe angazhimet e pareshtura në arenën ndërkombëtare, e bëjnë z. DioGuardi personalitet të veçantë dhe kandidat të pakonkurencë për president të Kosovës.
Ai përveç kontributit të jashtëzakonshëm në të gjitha kohët për Kosovën dhe shqiptarët edhe pas emërimit të tij për president të vendit tonë dhe përfaqësimit zyrtar të Republikës së Kosovës, në diplomacinë ndërkombëtare, Josepch DioGuardi do ta gëzojë edhe mbështetjen e plotë amerikane dhe përkrahjen e pakursyer të miqve të shumtë e më të fuqishëm ndërkombëtar të SHBA-ve dhe shteteve më të mëdha të demokracisë botërore.
Kështu që Qeveria dhe institucionet tona shtetërore, në shenj nderimi e respekti dhe meritave të pakontestueshme që ky burrë ka për kontributin madhor të dhënë ndër dekada për Kosovën, përveç pajisjes së z. DioGuardi me pasaportë e të gjitha dokumentet e nevojshme personale duhet ta shpallin zyrtarisht shtetas rezident dhe President të Republikës së Kosovës.
Dhe deputetët e të gjitha partive shqiptare pa dallim, që në seancën e parë konstituive të Kuvendit menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit e zëvendëskryetarëve të Kuvendit, para se të votohet Qeveria, ta votojnë me aklamacion z. Josepch DioGuardi për president të Kosovës, si njeriun më meritor, në mënyrë që nga aktiviteti i tij, shumëvjeçar patriotik, tani ta dëshmojë veten edhe në aktivitet të suksesshëm politik e diplomatik për shqiptarët dhe Kosovën, në SHBA, Evropë e më gjerë, pa kontributin e të cilit, Kosova, me siguri nuk do të ishte kjo që është sot, e ndoshta as vend i lirë dhe shtet i pavarur.
Derisa jemi dëshmitar që zgjedhja e presidentit nga kasta aktuale politike në Kosovë, është kthyer në luftë të hapur ndërpartiake dhe garë intrigash e prapaskenash më obstruktive për futjen e përçarjeve ndërmjet shqiptarëve dhe rrezikimin ekzistencial të shtetit të krijuar me aq shumë gjak e mund, votimi i z.DioGuardi për president, do të rivendoste edhe qëndrueshmërinë e munguar politike, shuan potencialet për destabilizim të vendit dhe shkaktimin e kaosit e përtëritjen e konflikteve të brendshme, si dhe menjanon rikthimin e ndikimit të Serbisë në vendin tonë.

Ndryshe në Kosovë nuk mund të krijohet unitet as të ecet përpara me ata që për më tepër se një vit, luajtën me shtetin, krijuan ngërçe të pareshtura politike dhe shkaktuan bllokada të vazhdueshme institucionale.
Prandaj, u bëj thirrje publike edhe njëherë të gjitha partive shqiptare që ti lënë anash mërit e zënkat politike dhe të mos humbin më shumë kohë me njerëz të konsumuar partiak, të cilët nuk i njeh askush jashtë vendit, kur dihet mirëfilli se shtetit tonë të vogël, e të pa pranuar nga të gjitha vendet e BE-së si shtet i pavarur dhe ende të pa anëtarësuar në OKB e shumë organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, me mungesë të theksuar të miqve të sinqertë në politikën e jashtme, u duhet një figurë e shquar dhe me përvojë të gjatë e mbështetje të fuqishme të SHBA-ve, si z, DioGuardi, i cili, aktualisht është i pazëvendësueshëm dhe zgjidhja më e mirë për përfaqësimin e shtetit të Kosovës, që do të pranohej brenda e jashtë vendit, ka në krah edhe mbështetjen e SHBA-ve dhe mirëpritet me respekt të madh veçanërisht në arenën ndërkombëtare!
Kështu që zgjedhja e një personaliteti prestigjioz si z.Joseph DioGuardi për president të Kosovës, është pothuajse e domosdoshme, është nevojë e kohës dhe zgjidhja më e mirë e mundshme për vendin tonë të vogël, të cilin besoj se do ta votonin të gjitha partitë politike shqiptare pa përjashtim, përveç dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës “listë serbe” dhe surrogateve të saj, që mjerisht përveçse shfrytëzojnë mospajtimet e partive shqiptare, defilojnë lirshëm dhe manovrojnë me mjeshtri perfide e madje edhe ndikojnë në vendimmarrjet politike të vendit tonë të brishtë.

Vetëm zgjedhja e z. Josepch DioGuardi për president të Kosovës, përfundimisht do ta mënjanonte përsëritjen e ngërçeve të mëtejme politike dhe shkuarjen e serishme në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u pa për të satën herë, se nuk sjellin zgjidhje , emërim që do ta zgjidhte edhe problemin aktual, do ti shuante tensionet e brendshme politike dhe zbuste insinuatat e stërzgjatura ndërpartiake, pasi që tanimë dihet publikisht se zgjedhjet e reja, mund të prodhojnë rezultat të ngjashëm apo të përafërt të votimeve me ato paraprake dhe vetëm sa do të vijonte riciklimi i krizave, edhe pas përfundimit të cirkut të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.


