Kali i Trojës në Kosovë

Shkrime relevante

Kali i Trojës në Kosovë

Nga Ag Apolloni Pas këtij materialit “Top Secret 2”, që e...

Si i poshtërova ithtarët e Vuçiçit, Millosheviçit, Arkanit dhe Sheshelit

Lirim Gashi, Prizren ___ SI I POSHTËROVA INTELEKTUALISHT ITHTARËT E VUÇIÇIT, MILLOSHEVIÇIT, ARKANIT...

35 vjet tranzicion, Shqipëria ende nuk është përballur me të kalurën komuniste

Nga Frank Shkreli ____ Nga krimet e komunizmit te krimet serbe në Kosovë,...

Kush po del tjetër gjatë hetimeve të rastit Sheholli si bashkëpunëtor i Serbisë?

Saim Tahiraj, Zvicër ___ A mos po na dalin edhe ndonjë “alamet” akademik...

Shënime nga fletoret e xhepit të Shehollit – çfarë shkroi për Digën e Ujmanit

Fushë Kosova - News Fatmir Sheholli, i dyshuari për spiunazh te Serbia,...

Shpërndaj

Nga Ag Apolloni

Pas këtij materialit “Top Secret 2”, që e zbuloi policia dhe e përfshiu në aktakuzë Prokuroria, është i qartë efekti turbullues e trazues në publik: njëri grup thotë “ju thojsha, po s’besojshit”, grupi tjetër thotë “na zbulun, qafirat”, grupi i tretë, që kanë qenë shumë rehat nën regjimin serb, thonë “hajt se s’osht ndonji gjo e madhe, ashtu-kshtu s’e kena meritu m’u bo shtet”, por ka edhe të tjerë që lypin “vërtetësinë” e dokumentit, thuajse nuk mjaftojnë faktet e realitetit përreth për këta njëzet e kusur vjet. Kjo i bie: ndoshta na ka hangër ujku, por pa e pa dokumentin me vulë e nënshkrim, s’besoj. Ujku, apo biri i tij, Vuçiqi, fshin dhëmbët dhe thotë “hajt se më vonë, pasi ta kryej drekën me mishin tuaj, jua sjell edhe certifikatën e vdekjes”.

Po të mendonin mirë, kryeministri i Kosovës dhe kryetari i komunës së Prishtinës, menjëherë pas publikimit të atij materiali, do të duhej ta pezullonin lejen për ndërtimin e xhamisë gjigante te posta në kryeqytet. Pas kësaj, ‘asnjë bllok e asnjë baskí’ të mos vihej në asnjë xhami në ndërtim anekënd Kosovës. Mbirja e xhamive pas luftës, si kërpudhat pas shiut, ishte plan serb për destabilizimin e shtetit laik të Kosovës, prandaj duhet ndaluar puna në të gjitha ato që janë në proces ndërtimi, derisa të sqarohet gjithçka se sa prej këtyre objekteve janë rezultat i kësaj strategjie serbe.

E që janë, po shihet e po dihet, por se sa e se si, ende s’e dimë. Besimtarët muslimanë, ata që ende ndihen shqiptarë, duhet ta tregojnë veten kësaj here: ta refuzojnë lutjen në këto objekte të pasluftës, derisa të sqarohet kjo punë. Siç thuhej në kohën e Reformës së Kishës, besimtari i vërtetë mund t’i lutet Zotit nga shtëpia, përderisa Shtëpia e Zotit është korruptuar. Kemi para syve një material që flet për institucione islamike të korruptuara dhe për një manipulim të madh të popullatës shqiptare të Kosovës, si dhe një realitet të pasluftës që ‘uluron’ nga ky manipulim fetar. Është për keqardhje që disa shqiptarë insistojnë se këtij dokumenti, meqenëse nuk është i nënshkruar as nga Millosheviçi, as nga Vuçiqi, as nga ndonjë tjetër “viç” e “iç”, s’duhet t’i besojmë hiç.

Si mund të jemi kaq viça, kur nëpër vite kemi parë procesin e radikalizimit islamik të shoqërisë sonë? Secili prej nesh e ka pasur një shok që ka qenë keq ekonomikisht, dhe, pastaj, sapo ka nisur të shkojë në xhami, ka ndryshuar jeta e tij, jo në planin shpirtëror, por në atë material. T’ju them të drejtën, shpesh jam habitur nga transformimet brenda nate të disa shokëve nga laikë në muslimanë të devotshëm. Kjo që në historinë e krishterimit i ka ndodhur Shën Palit, në çerekshekullin e fundit në Kosovë u ka ndodhë jo qindra, apo mijëra, por qindra mijëra shqiptarëve.

Sa shqiptarë janë nisur për të studiuar dhe kanë përfunduar të indoktrinuar? Sa shqiptarë janë nisur për universitet dhe veç kur i kemi parë nëpër rrjete sociale me çarçafë në Qabe, duke bërë ‘selfie’ me ‘kit shoqin’, ‘me kusherinin’, ‘me doktorin’, ‘me profesorin’, ‘me shkrimtarin’, ‘me aktorin’, pra selfie me gjithkënd që ishte “ndriçuar” rishtas. Ka munguar veç edhe një ‘selfie me Allahun’, për ta kuptuar që kemi rrëshqitë vërtet.

Tash, më thoni: a vërtet keni pasur nevojë për këtë dokument për ta kuptuar që na ka hangër dreqi? Jemi disa njerëz që kemi insistuar prej fillimit të mos pranohet Kali i Trojës brenda mureve tona, por financimet nga Serbia dhe Turqia kanë qenë më joshëse se këshillat e britmat tona. Serbët dhe turqit në vitet ’50 të shekullit të kaluar nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që brenda një dekade rezultoi me shpërnguljen e mbi njëqind mijë shqiptarëve nga Kosova në Turqi. Mirëpo, shqiptarët që kanë harruar dëmet që Turqia për qindra vjet ia ka sjellë këtij vendi, kanë harruar edhe planin e parë modern serbo-turk kundër shqiptarëve (shpërnguljen dhe asimilimin), dhe, natyrisht, s’e kuptojnë as planin e dytë “post-modern” serbo-turk (financimin dhe radikalizimin), dhe tash presin të dalë një dokument më bindës, ani pse realiteti ynë s’ka nevojë për dokumente, por për sy që shohin, veshë që dëgjojnë, koka që kuptojnë. Janë dy fakte që asnjë shqiptarë s’mund t’i mohojë: shteti që e sulmon më së shpeshti e më së shumti Kosovën është Serbia, dhe shteti që e financon më së shumti Kosovën është Turqia. (Për këtë arsye, shqiptarët naivë mendojnë se Turqia është me ne.

Ajo i thotë Serbisë: mos m’i prekë shqiptarët, se janë të mitë; Serbia i thotë: unë veç po të ndihmoj t’i marrësh. Ne gëzohemi që jemi të Turqisë. Dhe, kështu, të dyja japin pare për qëllime të veta, kurse ne, në vend që të protestojmë e të kërkojmë ndihmë nga Perëndimi, bëhemi me atë që s’po na masakron, po veç po na mashtron e asimilon. Pra, për njerëzit pa kujtesë historike, më e mirë është Turqia që të ka masakruar deri para një shekulli sesa Serbia që të ka masakruar para çerek shekulli).

Për ne të tjerët, të dyja kanë dy të përbashkëta: bashkëpunojnë prej shekujsh kundër shqiptarëve dhe nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Është fakt që Serbia s’e njeh fare shtetin tonë, kurse Turqia e njeh de jure, por de facto e konsideron vilajet të saj (kudo e kurdo ndërton xhami, kudo e kurdo arreston njerëz brenda këtij vilajeti, pa e pyetur askënd; qysh po don me të injoru ndryshe?). Për Turqinë, Bosnja, Kosova, Shqipëria dhe gjysma e Maqedonisë së Veriut nuk janë shtete, por vilajete të saj. Përndryshe, prej kah kjo dashuri e saj për këto vende që i ka shtypur dikur dhe i kontrollon edhe tash. Mos të harrojmë një ‘koincidencë’: sapo çlirohet Kosova nga Serbia, shfaqet ideja për ri-pushtimin e saj nga Turqia. Në qershor 1999 çlirohet Kosova, në korrik 1999 lirohet nga burgu Recep Tayyip Erdoğan.

Lirimi i tij ishte robërim i ri për ne, sepse ai menjëherë shfaqi idetë e tij neo-osmaniste për t’i kontrolluar vendet e ish-Perandorisë Osmane, përmes diplomacisë, investimeve, institucioneve kulturore dhe fetare dhe formave të tjera të ndryshme, të cilat së bashku, përbëjnë Kalin e Trojës brenda Kosovës. Disa shqiptarë që nuk i kanë dhënë kokat e tyre më qira, e dinë që muslimanët kosovarë që e futën Kalin e Trojës brenda fill pas luftës, janë në gjendje të bëjnë çmos ta justifikojnë veten, ose t’u hedhin hi syve atyre që deri sot s’e kanë parë realitetin në sy, dhe që tani po përjetojnë ethet e atij dokumenti, që, realisht, e egërson shoqërinë (por nuk e polarizon, sepse të polarizuar ishim shkaku i radikalizimit të vrullshëm fetar, falë të cilit edhe heroin kombëtar Adem Jashari viteve të fundit përpiqeshin ta kthenin në hero fetar).

Kur flasim për këtë manipulim, s’duhet të flasim vetëm për Kosovën, por edhe për shqiptarët në diasporë (Evropë dhe Amerikë), sidomos ata në Zvicër (siç ishte theksuar edhe në atë materialin e Prokurorisë), që edhe takimet kulturore dhe politike i mbajnë nëpër xhamia. Dhe një faj të madh, pa dyshim, e kanë edhe biznesmenët shqiptarë, të cilët kanë suficit financiar dhe deficit patriotik, dhe japin para për ndërtimin e objekteve fetare, dhe kështu bëhen pjesa e tretë (prapanica) e Kalit të Trojës: Serbia, Turqia dhe biznesmenët tanë ‘humanitarë’. Ai dokument ishte veç një zile për disa që kanë fjetur deri pasdite. Një zile që thotë: zgjohuni, ndaloni televizionet pro-turke, ndaloni projektet pro-serbe, refuzojeni artin e haxhi-aktorëve, luftoni demagogët ‘humanitarë’ me humanizmin tuaj të vërtetë!

Ndërtimi i shtetit, pra edhe i shtëpive për të varfrit dhe xhamive në atë shtet, duhet të jetë në duar të vetë shtetit, jo të shoqatave ‘humanitare’, ashtu si edhe arsimi që s’duhet t’u lihet në dorë trashëgimtarëve të UDB-ashëve. Prandaj, do të ishte mirë, që të gjithë intelektualët e Kosovës, nëse kanë mbetur ende të tillë, nga universitetet, Akademia, institucionet e tjera laike dhe shoqëria civile, të punojnë për dekonstruktimin e këtij Kali të Trojës që e kemi futur brenda dhe për parandalimin e dëmit të mëtejshëm. Sot, edhe pse pak vonë, duhet ta kuptojmë që nuk janë vetëm mjekroshët radikalë ata që ia kanë lëshuar mjekrën Kosovës.

Unë nuk besoj që një njeri pa mjekër e pa flokë si spiuni Fatmir Sheholli do të mund t’ia dilte pa ndihmën tonë.

Prandaj, për gjithë këta vjet, nëse nuk kemi bërë asgjë dhe vazhdojmë të rrimë duarkryq përballë radikalizimit islamik në vendin tonë, ne të gjithë jemi fatmirsheholla. Tash që u hap barku i Kalit të Trojës, po e shohim se aty paskan qenë serbët, turqit dhe ata shqiptarë që me dekada u shërbyen ‘pushtuesve tanë të kohëve të ndryshme’.

E di që edhe pas këtyre fjalëve të mia, ju do t’i lëshoni prapë gjarpinjtë, por unë, bashkë me disa prej jush që keni sy dhe kujtesë, gjithmonë duhet ta përsërisim refrenin: “I kam frikë danajtë edhe kur sjellin dhurata”.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu