Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka reaguar lidhur me deklaratat dhe pretendimet e fundit për përfaqësimin dhe drejtimin e shoqatës, duke kërkuar që çështja të vlerësohet mbi bazën e dokumenteve zyrtare dhe procedurave statutare.
Në reagimin zyrtar, SHIQK thekson se është organizatë e themeluar mbi parimet e vullnetarizmit, përfaqësimit të interesave të përbashkëta dhe vendimmarrjes demokratike, ndërsa organet e saj zgjidhen nga anëtarësia në përputhje me statutin.
Sipas SHIQK-së, Gani Durmishaj është kryetar i zgjedhur i shoqatës, me mbështetjen e 28 qumështoreve të Kosovës, e cila, siç thuhet, është dëshmuar përmes nënshkrimeve të pronarëve dhe përfaqësuesve të tyre.
Shoqata ka folur edhe për Ramadan Memajn, duke deklaruar se ai është përjashtuar nga anëtarësia në vitin 2017 dhe se që nga atëherë nuk ka qenë pjesë e anëtarësisë së SHIQK-së.
“Çdo pretendim për përfaqësimin e SHIQK-së apo të shumicës së industrisë së qumështit nga ana e tij duhet të vlerësohet mbi bazën e dokumenteve zyrtare dhe jo mbi deklarata personale”, thuhet në reagim.
SHIQK ka theksuar se respekton institucionet e Kosovës dhe të drejtën e secilit person për t’iu drejtuar institucioneve kompetente, por ka kundërshtuar çdo përpjekje që një individ apo subjekt i vetëm të flasë në emër të të gjithë industrisë së qumështit pa mandat nga anëtarësia.
Në fund, shoqata ka bërë thirrje që çdo mosmarrëveshje të trajtohet me fakte, dokumente dhe në përputhje me ligjin dhe statutin.
“Vullneti i anëtarësisë, statuti dhe ligji janë baza mbi të cilat duhet të funksionojë çdo organizatë”, përfundon reagimi i SHIQK-së.
____
Mentor I. Barani


