Nga Drita Ismaili
Më dhemb kur i shoh njerëzit tanë duke u thirrur përsëri në emër të UÇK-së, të dëshmorëve dhe të sakrificës së familjeve tona. Ky popull ka dhënë shumë: ka dhënë bijtë e bijat, shtëpitë, pasurinë dhe gjakun për liri. Prandaj, askush nuk ka të drejtë ta prekë në plagën e luftës sa herë që i nevojitet një turmë në shesh! Organizatorët e këtij marshi nuk janë njerëz pa ngjyrime politike.
Platforma “Liria ka Emër” përfaqësohet nga Eliza Hoxha, politikane e PDK-së, dhe Ismail Tasholli, përkrahës i hapur i asaj vije politike dhe kundërshtar i zëshëm i Albin Kurtit. Prandaj, mos na e paraqitni këtë si thirrje krejtësisht spontane të popullit. Flamuri është i të gjithëve, por prapa tij po duken qartë hesapet partiake! Gjykatën Speciale nuk e krijoi Albin Kurti. Atë e votuan në Kuvend pikërisht partitë dhe deputetët që sot po e thërrasin popullin në marsh. Atëherë, pse nuk e dëgjuan zërin e popullit? Pse nuk e mbrojtën UÇK-në kur e ngritën dorën për atë gjykatë?
Dje e votuan vetë, sot po duan që populli t’ua lajë duart!
Edhe më dhembshëm është t’i shohësh disa këngëtarë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile duke thirrur: “Marsh për Liri!” Cilën liri? Kosova është e lirë! Populli ynë nuk ka nevojë të çlirohet nga vetvetja. Nëse protesta është kundër Gjykatës Speciale, thuajeni qartë. Nëse është kundër Albin Kurtit, kini guximin ta pranoni, apo me këtë protest doni ta shihni sa mbeshtetje po merrni, duke shpresuar se do ta dobësoni!Mos u fshihni pas UÇK-së! Në studiot televizive është krijuar një gjyq i përnatshëm kundër Kurtit. Të njëjtat fytyra, të njëjtat britma dhe i njëjti mllef. LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja nuk po garojnë se kush i sjell Kosovës zgjidhje më të mirë, por se kush e godet më fort Kurtin. Kritika është e drejtë, por urrejtja nuk është alternativë politike! Sot bota është e trazuar. Luftërat, protestat dhe krizat po shtohen. Serbia nuk fle dhe nuk heq dorë nga planet e saj kundër Kosovës.
Në këto kohë, neve na duhet Kuvendi, Qeveria, Presidenti dhe një shtet që qëndron fort në këmbë. Nuk na duhet përçarje e re mes shqiptarëve dhe as politikanë që e ndezin popullin për të shpëtuar veten. E nëse populli nuk del më 12 shtator, mos guxoni ta quani tradhtar! Ndoshta populli është lodhur duke u përdorur. Ndoshta e do UÇK-në aq shumë, sa nuk pranon ta shohë të kthyer në flamur partie. Ndoshta ka kuptuar se nuk thirret vetëm kur dikujt i duhen autobusë, turma dhe fotografi nga qielli.
Ky popull nuk është dele për ta numëruar në shesh. Nuk është dekor për politikanët dhe as vegël për hesapet e tyre. UÇK-ja është e të gjithëve! Liria është e të gjithëve! Kosova është e të gjithëve! Por dështimet, votat dhe përgjegjësitë politike janë tuajat, mbajini vetë!
PS.
Uroj që verdikti I gjykatës të jet i drejtë dhe të akuzuarit ti kthehen familjeve të tyre!


