
Nga: Frank Shkreli
_____
Nga poezia për Enver Hoxhën në një bibliotekë publike në Lushnje tek përgjegjësia e shtetit dhe e klasës politike
____
Pamjet dhe lajmi se në një bibliotekë publike në Lushnjë janë recituar vargje në nderim të Enver Hoxhës nuk janë thjesht një episod që mund të kalojë pa u vënë re. Se një institucion publik i kulturës nuk duhet të bëhet skenë për nostalgjinë dhe glorifikimin e diktaturës. Frank SHKRELI / Reabilitohet Enver Hoxha | Gazeta Telegraf. Pamje si ajo në Lushnjë duhet të na bëjnë të mendojmë më thellë për mënyrën se si Shqipëria e ka trajtuar të kaluarën e saj komuniste gjatë 35 viteve të tranzicionit. Frank Shkreli: 35 -vjet tranzicion, Shqipëria ende nuk është përballur me të kaluarën komuniste | Gazeta Telegraf. Pyetja e vërtetë nuk është vetëm si mund të recitohen sot vargje për diktatorin në një institucion publik. Pyetja më e rëndësishme duhet të jetë si arritëm deri këtu? Se një shoqëri nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke e lënë të kaluarën të paqartë, të patrajtuar ose të interpretuar sipas interesave politike të ditës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një regjim që për afër gjysmë shekulli mohoi lirinë politike, pluralizmin, lirinë e fjalës dhe të drejta të tjera themelore të njeriut, madje mohoi dhe shpalli armik edhe Zotin. Frank Shkreli: Shkurti i zi i vitit 1967, kur Shqipëria komuniste i shpalli luftë Zotit | Gazeta Telegraf
Përballja me komunizmin nuk do të thotë të ndalosh dikë të shkruaj një poezi. Jo, nuk do të thotë të ndalosh një qytetar të ketë mendimin e vet. Demokracia duhet të jetë më e fortë se nostalgjia. Por demokracia kërkon që shteti të mos e ngatërrojë lirinë e individit me rehabilitimin institucional të një diktature. Një bibliotekë publike është hapësirë e të gjithë qytetarëve – nostalgjikë të regjimit dhe të përndjekurve të atij regjimi diktatorial. Bibëioteka mund dhe duhet të organizojë një debat për Enver Hoxhën, mund të paraqesë dokumente të periudhës komuniste, mund të ftojë studiues me pikëpamje të ndryshme. Por detyrimi i saj është që historia të trajtohet me seriozitet dhe me kontekst. Sepse historia e komunizmit nuk është vetëm ajo që kujtojnë nostalgjikët, siç bëri ajo zonja në bibliotekën publike të Lushnjes. Historia komuniste është edhe ajo që kanë përjetuar viktimat e shumta të komunizmit barbar. Është historia e njerëzve që u burgosën vetëm për bindjet e tyre politike anti-komuniste. E familjeve të internuara. E atyre që humbën jetën. E intelektualëve të dënuar. E pronarëve të shpronësuar. E klerikëve të persekutuar. Një shtet që i shpalli luftë Zotit dhe ende nuk i ka kërkuar falje njeriut. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf. E qindra mijëra shqiptarëve që jetuan nën frikën e shtetit. Këto histori nuk mund të fshihen nga kujtesa kombëtare vetëm sepse kanë kaluar dekada dhe se ashtu i teket, qoftë edhe një poete.
Sa herë e kam thenë e shkruar se, pikërisht, këtu qëndron përgjegjësia e politikës shqiptare. Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf –Pas rënies së komunizmit, Shqipëria pati mundësinë të ndërtonte një proces të gjerë dhe të qëndrueshëm të përballjes me të kaluarën e saj komuniste. Por ky proces ka mbetur i paplotë dhe shpesh është trajtuar në mënyrë të fragmentuar e të politizuar, nga udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverive shqiptare, e deri te “poetja” e Lushnjes. Përgjegjësia nuk mund t’i ngarkohet vetëm një partie apo një qeverie. Përgjatë 35 viteve kanë qeverisur forca të ndryshme politike dhe të gjitha kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të kujtesës, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës lindore. Jam shprehur shpesh se përgjegjësia është më e gjerë. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf. Është përgjegjësi e klasës politike të tranzicionit. Është përgjegjësi e institucioneve të arsimit dhe kulturës. Është përgjegjësi e historianëve, intelektualëve dhe mediave. Dhe, mbi të gjitha, është përgjegjësi e shtetit që brezat e rinj të mos e mësojnë komunizmin nga legjendat, nostalgjia apo propaganda, por nga dokumentet, dëshmitë dhe faktet. Sepse aty ku mungon historia e vërtetë, lind miti. Dhe aty ku mungon kujtesa, nostalgjia mund të gjejë terren. Kjo është arsyeja pse ngjarje të tilla si ajo në Lushnjë nuk duhen parë si çështje të vogla kulturore. Ato janë një sinjal se përballja e shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste ende nuk ka përfunduar. Përballja me të kaluarën komuniste, nuk është hakmarrje, është kujtesë. Frank Shkreli: Lavdi grave të qendresës anti-komuniste shqiptare. Ka ardhur koha që Shqipëria dhe politika të bëjnë një dallim të qartë. Përballja me krimet e komunizmit nuk është hakmarrje ndaj atyre që kanë menduar ndryshe. Nuk është luftë kundër një brezi. Nuk është përpjekje për të fshirë historinë. Përkundrazi. Është përpjekje për ta vendosur historinë në vendin e saj. Një shoqëri demokratike nuk ka pse të ketë frikë nga e vërteta. Ajo duhet të jetë në gjendje të shohë edhe faqet më të errëta të historisë së saj pa i zbukuruar dhe pa i fshehur. Nëse Shqipëria dëshiron të ecë përpara, duhet t’u japë hapësirë edhe zërave të viktimave të diktaturës. Duhet të ruajë dokumentet, të kujtojë viktimat, të edukojë brezat dhe të krijojë institucione ku historia mund të studiohet pa ndërhyrje politike. Sepse një komb që nuk njeh vuajtjet e veta rrezikon t’i relativizojë ato. Dhe kur krimet relativizohen, rruga drejt nostalgjisë bëhet më e shkurtër. Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf
Shumë mire që rasti i Lushnjes të tërheq vëmendje e publikut, por kjo çeshtje nuk duhet të mbetet në Lushnje. Pyetja duhet t’i drejtohet çdo bashkie, çdo biblioteke, çdo muzeu, çdo shkolle dhe çdo institucioni public, Akademia e Shkencave e universitetet: Çfarë mesazhi u përcjellet brezave për diktaturën komuniste?
A po u mësojmë se liria dhe demokracia janë vlera që duhet të mbrohen? A po u tregojmë se çfarë ndodh kur një parti, një ideologji dhe një udhëheqës vendosen mbi individin dhe mbi të drejtat e tij? A po u tregojmë historinë e atyre që vuajtën? A po i ruajmë dëshmitë e tyre? Apo po lejojmë që boshllëkun ta mbushë nostalgjia? Këto janë pyetje që nuk mund të shmangen më. Pas 35 vitesh, Shqipëria nuk ka nevojë për një luftë të re politike mbi komunizmin. Ka nevojë për një konsensus demokratik mbi faktin se krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mund dhe as nuk duhet të relativizohen nga nostalgjia politike, sidomos kur ky relativizim praktikohet nga nivelet më të larta politike, akademike dhe institucionale të Shqipërisë. Shqipëria ka ende plagë të pambyllura me të kaluarën e saj komuniste. Ish i burgosuri i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Profesori i ndjerë Sami Repishti do u thonte se me relativizimin e krimeve të komunizmit po lëndoni gjithnjë “plagët tona të hapuna” SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI PLAGËT TONA TË HAPUNA! – Dielli | The Sun
Të rinjtë shqiptarë duhet të kenë mundësi ta studiojnë komunizmin pa propagandë, por edhe pa harresë, siç po ndodhë edhe në Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo nuk mund të jetë detyrë vetëm e familjeve të ish-të përndjekurve. Është detyrë dhe përgjegjësi e shtetit. Shikoni botën rreth jush. Frank Shkreli: Kur historia e komunizmit hyn në klasat amerikane | Gazeta Telegraf. Është detyrë e gjithë shoqërisë. Është detyrë e kujtesës kombëtare. Sepse e ardhmja nuk ndërtohet duke harruar të kaluarën. Ndërtohet duke e njohur atë. Dhe nëse sot diktatori mund të rikthehet në vargje si “yll” e “dritë”, brenda një institucioni publik, ndoshta kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se problemi nuk është vetëm nostalgjia e disa individëve. Problemi është se 35 vjet nuk kanë mjaftuar për ta bërë kujtesën e diktaturës një pjesë të qëndrueshme të ndërgjegjes demokratike të Shqipërisë. Kjo është një përgjegjësi që politika dhe institucionet shqiptare nuk mund ta shtyjnë më, pafundësisht. Sepse një vend që nuk përballet me të kaluarën e vet e ka më të vështirë të ndërtojë një të ardhme të sigurt demokratike. Për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, ky fakt po shihet çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, po shihet, sidomos, në largimin masiv të rinisë shqiptare nga vendlindja. Shqipëria dhe Kombi shqiptar kanë nevojë për një pajtim kombëtar. Frank Shkreli*: Pajtimi kombëtar, mbi të gjitha! | Gazeta Telegraf E kaluara komuniste nuk zhduket duke e heshtur ose duke e injoruar atë. Se, do s’do ajo rikthehet — ndonjëherë edhe në vargje, madje edhe në një bibliotekë publike si ajo e Lushnjes, ditët e fundit. Kujtesa historike pra, nuk është pronë private, por është e të gjithëve. Dhe diktatura nuk bëhet më e butë as më pak diktaturë, vetëm se për ‘të shkruhen vargje.
Një bibliotekë publike duhet të jetë shtëpi e librit. Jo strehim i nostalgjisë për diktaturën kriminale komuniste pothuaj gjysëm shekullore.


