Nga Sak Muji, Zvicër
Ka njerëz që nuk hyjnë vetëm në jetën tonë, por depërtojnë si rreze drite në plagët që koha nuk arriti t’i mbyllte. E tillë është për mua Dr. Vlora Obërtinca: një grua me bukuri fizike e shpirtërore, me një shikim të zjarrtë që zgjon kureshtje dhe me një energji pozitive që i jep zemrës forcë për ta mposhtur errësirën.
Isha në Kosovën tonë dhe u ktheva në parajsën e Zvicrës, por një pjesë e zemrës më mbeti atje — në Pejë, në Siparantin tonë të lashtë. Gjatë qëndrimit tim kalova ditë të bukura mes miqve, dashamirëve dhe familjarëve, vizitat dhe ngrohtësia e të cilëve prekën me fije shërimi plagët e mia të vjetra.
Në verën e këtij viti, ekspozita ime “ME PRANGA E PA TO” nuk ishte vetëm një paraqitje veprash arti në muret e Pejës. Ajo ishte jeta ime e copëzuar dhe e ribashkuar përmes krijimtarisë. Ishin vitet e burgut, prangat e hekurta që m’i vunë në duar dhe prangat e padukshme që mbetën gjatë në shpirt. Unë mbaj brenda vetes plagët e gjenocidit serb mbi popullin shqiptar dhe kujtimin e më shumë se 14.000 jetëve të shuara.
Mbaj edhe peshën e përsekutimit tim politik gjatë viteve 1981–1990, kur, nga dhjetë vjet dënim, më mbajtën të mbyllur shtatë vjet e gjashtë muaj në burgjet e trishtuara jugosllave. Ato vite më lanë plagë, fobi dhe ankthe. Por nuk ma vranë shpirtin krijues! Arti i mbijetoi burgut. Sot, copëzat e thyera të kujtesës po i bashkoj në mozaik. Errësirën po e kthej në ngjyrë, ankthin në art, dhimbjen në dritë dhe heshtjen në një vullkan dashurie njerëzore.
Pas kthimit tim në Zvicër, diku mes fjalëve të një shkrimi të Dr. Vlorës, më lindën vargje të reja. Bashkë me to lindi edhe dëshira që përjetimet e mia, ekspozitën në Pejë dhe mirënjohjen ndaj saj t’i bashkoja në një befasi artistike. Në këtë rrugëtim shërimi, fjala, mirësia dhe energjia e Vlorës sonë më ndihmuan të kuptoj se e keqja nuk mposhtet vetëm duke e kujtuar, por edhe duke krijuar bukuri përballë saj.
Prandaj, e dashur Vlora, sot po ta dhuroj këtë mozaik vullkanik. Ai nuk është vetëm portreti yt dhe as vetëm paraqitja e bukurisë së fytyrës sate. Është pasqyra e një shpirti që shëron; një falënderim i gdhendur në gurë, dritë dhe ngjyra. Është shpirti im që ngrihet mbi frikën dhe dëshmia se plagët mund të shndërrohen në lule, ndërsa njeriu mund të rilindë edhe pasi ka kaluar nëpër ferr.
Në njërën anë të mozaikut janë gurët e zinj të së kaluarës; në anën tjetër shpërthejnë ngjyrat, lulet dhe agimi. Në mes qëndron Vlora, me shikimin e saj të zjarrtë që i bën thirrje jetës të mos dorëzohet. Në fytyrën e saj kam vendosur dritën e shërimit; në sytë e saj, zjarrin e jetës; ndërsa përreth, agimin që çan errësirën.
Nga ekspozita “ME PRANGA E PA TO” në Pejë deri te ky portret-mozaik, rruga ime mbetet e njëjtë: ta shndërroj dhimbjen në krijimtari dhe të dëshmoj se njeriu mund të qëndrojë i pathyer edhe kur jeta përpiqet ta gjunjëzojë. Ky mozaik është dhurata ime për Dr. Vlora Obërtincën dhe njëkohësisht për popullin tonë: një poezi dashurie njerëzore, mirënjohjeje dhe shprese.
Një copëz e shpirtit tim që ende lufton, krijon dhe shërohet. Sepse kur arti dhe një shpirt i mirë bashkohen, edhe gurët fillojnë të flasin, edhe plagët marrin frymë, ndërsa e keqja humbet fuqinë e saj.
Prangat thyhen, arti mbetet, fjala shëron dhe drita gjithmonë e mund errësirën!

Me respekt, mirënjohje dhe dashuri njerëzore,
Sak Muji
____
Falenderojë z. Sak Muji për mozaikun dhe dedikimin. Jam e lumtur që shkrimet e mia motivuese janë bërë dritë shërimi për lexuesit e mi
DR. VLORA OBËRTINCA


