Shqiptarët e Kosovës në qorrsokak drejt një besëlidhjeje kombëtare

Shkrime relevante

Vepër monumentale kushtuar Mretëreshës Teutë përgjatë rrugës Shëngjin-Velipojë mbi “Ranën e Hedhun”

Shtatorja e Mbretëreshës Teutë në Shëngjin (15.9.2026) Nail Draga, Ulqin Diskursi kulturor VEPËR MONUMENTALE...

Një vepër që ruan kujtesën historike për Ulqinin shqiptar dhe politika e Malit të Zi 1881 – 1912

Nga Frank Shkreli ___ Në kujtim të mësuesit tim dhe historianit të Ulqinit...

Shqiptarët e Kosovës në qorrsokak drejt një besëlidhjeje kombëtare

Lekë Mrijaj, Klinë Në historinë politike dhe shpirtërore të shqiptarëve të...

Dr. Vlora Obertinca, nga prangat drejt dritës

Nga Sak Muji, Zvicër Ka njerëz që nuk hyjnë vetëm në jetën...

Shpërndaj

Lekë Mrijaj, Klinë

Në historinë politike dhe shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës ka momente kur një popull nuk mund të mbahet vetëm me fuqinë formale të institucioneve, por edhe me aftësinë për ta rikthyer ndërgjegjen kombëtare në boshtin e saj moral.

Ne, të gjithë qytetarët e Kosovës, jemi dëshmitarë se sot Kosova jonë heroike ndodhet para një kolapsi, apo më konkretisht, para një udhëkryqi të tillë. Edhe pse Republika e Kosovës, e lodhur nga përçarjet politike të pasluftës, nga tensionet shoqërore dhe nga goditjet e shumta të brendshme e të jashtme, ajo ende bart në thellësinë e saj fuqinë e ringritjes. Kjo fuqi buron nga kujtesa historike, nga sakrifica e brezave dhe nga amaneti i lirisë.

Për ta kuptuar këtë moment, duhet ta kthejmë vështrimin kah vitet e rënda të robërisë serbe, sidomos kah vitet ’90, kur Kosova u përball me një kataklizëm të rëndë kombëtar, me diskriminim e aparteid nga aparatura shtetërore gjenocidiale, e kryesuar nga diktatori Sllobodan Millosheviq. Shqiptarët u përjashtuan nga institucionet, u mbyllën shkollat shqipe, u ushtrua dhunë sistematike, pati burgosje, vrasje, dëbime, varfërim të organizuar dhe përpjekje për ta shkulur shqiptarin nga toka, gjuha dhe dinjiteti i tij.

Megjithatë, pikërisht në atë terr historik, Kosova, edhe pse e okupuar, e ruajti kandilin e vet, shkollën shqipe nëpër shtëpi, solidaritetin qytetar, durimin politik dhe besimin se liria nuk ishte ëndërr, por detyrim moral e njerëzor. Në atë kohë të rëndë okupimi, një nga aktet më të mëdha morale të kombit shqiptar ishte Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve, e mishëruar nga prof. Anton Çetta, nga elita intelektuale dhe studentore. Kjo lëvizje nuk ishte vetëm akt shoqëror, por një katedrale e ndërgjegjes shqiptare, e ngritur mbi themelet e faljes, besës dhe përgjegjësisë historike. Ajo vërtetë dëshmoi se kombi, kur e njeh rrezikun e vet, di ta mposhtë plagën e brendshme për hir të së ardhmes së përbashkët.

Pas viteve të rezistencës paqësore, lufta e fundit e Kosovës përbën kulmin e këtij rrugëtimi historik, e cila ishte dhimbje, flijim dhe betejë për ekzistencë. Dëshmorët çlirimtarë, martirët, të zhdukurit, të dëbuarit dhe familjet që mbajtën mbi supe dramën e një populli mbeten gurët themeltarë të Republikës. Kosova nuk është produkt i rastësisë historike, por një lis i rritur në stuhi, një krijesë e sakrificës së popullit tonë dhe e gjakut të derdhur për liri.

Në këtë rrugëtim vendimtar, një rol të pazëvendësueshëm luajtën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova, përveçse krijesë e sakrificës sonë kombëtare, është edhe një krijesë politike e mbështetjes së madhe amerikane. Ishte Amerika, e drejtuar në periudha vendimtare nga George H. W. Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush, ajo që luajti një rol emblematik, njerëzor dhe vendimtar gjatë luftës, pas luftës dhe në procesin e shpalljes së pavarësisë. Amerika, me tre korifenjtë e saj, Bush I, Clinton dhe Bush II, nuk ishte vetëm aleate diplomatike, por u bë zëri i drejtësisë në një kohë kur populli i Kosovës rrezikonte dëbimin, shfarosjen dhe humbjen e së drejtës së tij historike për liri. Prandaj, ruajtja e miqësisë me Amerikën nuk është vetëm interes politik, por pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe e arkitekturës së shtetësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzim i kësaj sakrifice. Ajo ishte akt juridik dhe politik, por mbi të gjitha ishte akt i një vetëdijeje historike që kërkonte të jetonte e lirë në shtëpinë e vet. Megjithatë, pavarësia nuk është vetëm datë kalendarike, por një pemë që duhet ujitur çdo ditë me drejtësi, dije, përgjegjësi dhe unitet.

Sot, Republika e Kosovës përballet me fenomene që lirisht mund t’i quajmë mesjetare dhe që mund ta dobësojnë nga brenda: përçarja politike, polarizimi shoqëror, humbja e besimit në institucione, korrupsioni moral, largimi i rinisë nga Kosova, propaganda dhe relativizimi i luftës çlirimtare. Këto janë çarje në murin e shtetit, të cilat, nëse gjendja aktuale nuk trajtohet me seriozitet, mund të bëhen porta të rrënimit.

Një plagë e veçantë e kësaj kohe mbetet edhe Gjykata Speciale në Hagë, ku po gjykohen figura të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Respektimi i drejtësisë është parim themelor i çdo shoqërie demokratike, por drejtësia nuk mund të kuptohet e shkëputur nga e vërteta historike dhe nga kujtesa e viktimës. Shqetësimi qytetar buron nga ndjenja se lufta çlirimtare rrezikon të vendoset në bankën e akuzës më shumë sesa krimi i organizuar shtetëror serb, i cili shkaktoi masakra, dëbime, dhunime, shkatërrime dhe plagë ende të hapura.

Në këtë kontekst, protestat e përditshme dhe zëri qytetar marrin kuptimin e një kambane kombëtare, të cilat nuk janë vetëm reagim politik, por thirrje për drejtësi, për kujtesë dhe për dinjitet. Kur qytetari del në shesh në mënyrë paqësore, ai nuk kërkon prishjen e rendit demokratik, por rikthimin e ekuilibrit moral ndërmjet drejtësisë dhe së vërtetës. Protesta e dinjitetshme është frymëmarrje e Republikës, jo dobësi e saj.

Prandaj, shqiptarët e Kosovës, në këtë moment delikat, kanë nevojë për një pajtim të madh kombëtar, të ngjashëm me modelin moral që dikur e mishëroi prof. Anton Çetta. Ky pajtim nuk kërkon shuarjen e mendimit ndryshe, sepse demokracia ushqehet nga pluralizmi. Por pajtimi kërkon një marrëveshje të madhe mbi çështjet që nuk duhet të relativizohen: sovraniteti i Republikës, nderimi i luftës çlirimtare, mbrojtja e së vërtetës historike, ruajtja e aleancave strategjike, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, forcimi i arsimit, ndalja e zbrazjes demografike dhe rikthimi i etikës në jetën publike.

Në këtë frymë, ideja e një Këshilli Kombëtar, të kryesuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me pjesëmarrjen e elitës së pavarur intelektuale e studentore dhe të bashkësive fetare shqiptare të Kosovës, duhet parë si nevojë e domosdoshme e kohës.

Një strukturë e tillë në asnjë mënyrë nuk do të synonte zëvendësimin e institucioneve shtetërore, por fuqizimin e ndërgjegjes publike përballë rrezikut të rrënimit moral, politik dhe institucional të Republikës. Ajo do të ishte një tryezë e arsyes kombëtare, ku fjala akademike, energjia intelektuale e rinore dhe urtësia shpirtërore do të takoheshin në shërbim të shtetit.

Kosova, në fund të fundit, nuk është vetëm territor politik, por është kujtesë, gjak, gjuhë, lutje, flamur dhe amanet. Është buka e shkollës shqipe të viteve ’90, loti i nënave të të zhdukurve, varri i dëshmorit, sheshi i protestës, fjala e studentit dhe bekimi i atyre që kërkojnë paqe. Për këtë arsye, rrënimi i saj nuk do të ishte vetëm humbje institucionale, por thyerje e një një Besa Bese apo e një Besëlidhjeje historike kastriotane.

Nëse prof. Anton Çetta dikur arriti ta shndërronte plagën e gjakmarrjes në altar pajtimi, sot Kosova jonë heroike duhet ta shndërrojë plagën e përçarjes në platformë bashkimi. Kjo është sfida e brezit tonë, në mënyrë që të mos lejojmë që Republika të mbetet vetëm emër në dokumente, por ta bëjmë shtëpi të drejtësisë, kujtesës dhe dinjitetit kombëtar. Sepse një popull që e harron sakrificën e humb busullën, por një popull që kthehet te amaneti i vet mund të ringrihet edhe pas stuhive më të rënda. Kosova, përmes popullit të saj, e ka dëshmuar këtë më shumë se një herë.  Tani i duhet ta dëshmojë sërish, jo vetëm duke mbijetuar, por duke u pajtuar, duke u forcuar dhe duke e mbrojtur Republikën si kurorën më të çmuar të historisë së saj moderne.

Më 23 shtator 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu