
Sak Muji, Zvicër
Ooo burra të studiove, ju lumtë vallja! Haaaaa! Mikrofonin para, kamerën anash, dritat mbi krye, e kur vjen puna te argumenti — hop! — nis çyçeku mediatik.
Njani me titull bombë, tjetri me metaforë, njani me mllef, njani me ironi, e populli poshtë tavolinës tue kërkue ku humbi e vërteta. Fidan Jupolli Ooo Fidan shoqi, ti je çyçeku me kandar në dorë.
Kur e tund mikrofonin, duket sikur pesha e fjalës tande duhet me e rrëzue tavolinën. Po kur ta kthejnë të tjerët, hop — avokatët, paditë, gjykata!
Haaaaa Fidan, kandari ka dy anë, more burrë. Mos e lsho belin e debatit pa brezin e fakteve, se pastaj vallja del bukur, po drejtësia mbetet zbathë.
Baton Haxhiu Baton, ti hyn në studio si aga në konak: vetulla nalt, fjala gjatë, sikur krejt oda po pret me pa kah do ta çosh vallen. Po more Baton, jo çdo rrotullim rreth tavolinës asht analizë. Nganjëherë asht veç çyçek me kostum serioz. Haaaaa, pak ma pak parfum politik, pak ma shumë fakt, se kamera nuk asht pasqyrë haremi!
Shkëlzen Maliqi Shkëlzen, ti vallëzon me filozofi. E nis te Platoni, e çon te tranzicioni, e kthen te Ballkani, e kur mbaron, populli thotë: “More, çka pyetëm në fillim?” Haaaaa! Ti je çyçeku akademik: nuk i lëviz ijet, po i lëviz konceptet deri sa t’u merret mendja krejtve.
Berat Buzhala Ooo Berat, ti s’vallëzon — ti e ndez orkestrën! Një titull, dy pikëçuditëse, tri alarme, katër kamera, e qytetari çohet prej gjumit tue mendue se ra qeveria, e del se ra veç filxhani prej tavolinës. Haaaaa Berat, ti e paske çyçekun “breaking news”: sa ma shumë tym, aq ma pak shi!
Valon Syla Valon, ti hyn në studio me benzinë në metaforë e shkrepëse në xhep. Ndezet debati, digjet tavolina, tymoset kamera, e në fund veç ti thua: “Çka u ba bre?” Haaaaa! Valon, ngadalë me zjarrin, se jo çdo fjali ka nevojë me dalë prej goje si raketë.
Lirim Mehmetaj Lirim Mehmetaj, ti je çyçeku me lupë. Një fjali e merr, e zmadhon, e rrotullon, ia qet dritën prej tri anësh, e pas pesë minutash fjalia duket sikur ka pasaportë, dosje penale e tre dëshmitarë. Haaaaa Lirim, ndonjëherë fjalia asht veç fjali. Mos ia vesh gjithmonë kostumin e krimit.
Halil Matoshi Ooo Halil, ti je poeti i çyçekut! Një metaforë, një komb, një kafkë historie, një gotë filozofie, pak ironi, e në fund del fjalia si poezi moderne: askush nuk e kupton krejt, po të gjithë tundin kryet sikur e kuptuan. Haaaaa Halil, ti nuk vallëzon me këmbë — ti vallëzon me fjalë.
E në fund po jua them krejtve: vallëzoni sa të doni, thumboni sa të doni, ironizoni sa të doni — po mos dilni lakuriq prej argumentit. Se çyçeku i studios ka lezet vetëm kur e mban brezin e fakteve. Pa fakte, burri i studios mbetet veç me drita mbi krye e zhurmë nën këmbë. E populli? Populli rri aty e thotë: “Haaaaa, more burra, na jepni pak të vërtetë, se çyçek kemi pa boll!”


