Kur pushteti ka frikë nga rinia, rruga bëhet teatër i dhimbjes.
___
Më ka dhembur shumë kjo skenë në këtë fotografi e shumë të tjera si kjo ditën e sotme. Është thellësisht tragjike kur të rinjtë duhet të dalin në rrugë për të kërkuar atë që duhej ta kishin si të drejtë e jo si privilegj. Tragjedia bëhet edhe më e rëndë kur përballë zërit të tyre, shteti përgjigjet me shkopinj gome ndërsa policia kthehet në murin ku përplaset dëshpërimi i një brezi.
U bënë tetëdhjetë vite tashmë që Shqipëria jeton të njëjtin skenar kur pushteti vazhdon të përdorë forcën për t’i bërë njerëzit të heshtin duke e zhvendosur dhimbjen nga rruga në ndërgjegjen e një shoqërie të tërë.
Në këtë teatër absurd, edhe punonjësit e policisë janë një tragjedi më vete, njerëz që për një pagë të pamjaftueshme për të jetuar me dinjitet, përfundojë duke goditur të rinjtë që kërkojnë pikërisht dinjitetin që i mungon.
Por ndoshta harrojnë se vështirësia ekonomike nuk e shuan përgjegjësinë morale, as uniforma nuk e ndal dot ndërgjegjen. Bindja ndaj urdhrit nuk mund të jetë strehë përballë përgjegjësisë njerëzore.
Rinia del në rrugë pse vjen një çast kur heshtja bëhet më e rëndë se frika, kur e ardhmja ngjan me një derë të mbyllur hermetike e kur largimi nga Atdheu fillon të duket si e vetmja mënyrë për të shpëtuar ëndrrat. Atëherë, protesta nuk është thjesht kundërshtim politik por është përpjekja e njeriut për të mos u pajtuar me poshtërimin.
Poshtërimi nuk zhduket asnjëherë lehtë nga kujtesa e një brezi, ai mbetet në plagët e trupit, në heshtjen e atyre që u detyruan të largohen, në sytë e prindërve që druhen për fëmijët e tyre dhe në ndërgjegjen e një vendi që ende nuk ka mësuar ta vendosë njeriun mbi pushtetin.

Kur shteti i pret të rinjtë me shkopinj gome në vend që t’u hapë rrugën drejt së ardhmes, më lind pyetja: sa gjatë mund të mbijetojë një pushtet që e sheh rininë si kërcënim dhe jo si shpresë?


Pushteti mund tua imponojnë heshtjen njerëzve për një ditë, mund ti mbushin dhe rrugët me polici dhe ta ngatërrojnë frikën me bindjen, por nuk munden gjithsesi ta detyrojnë një brez të harrojë padrejtësinë.
Asnjë shkop gome nuk është aq i fortë sa të thyejë përgjithmonë një ndërgjegje që ka vendosur të mos gjunjëzohet.

Shih videon:



