Ali Sh. Mehmeti, Zvicër
Ajo që ndodhi në Tiranë ditën e 13 tetorit 2026 nuk mund të kuptohet duke parë vetëm disa minuta përplasje ndërmjet protestuesve dhe policisë. Për ta kuptuar duhet të kthehemi 135 ditë pas, te mijëra qytetarë që për muaj me radhë kanë dalë në rrugë, në pjesën dërrmuese të kohës në mënyrë paqësore dhe qytetare.
Në këto protesta kemi parë të rinj, studentë, pensionistë, prindër me fëmijët e tyre, madje është krijuar edhe një hapësirë e posaçme për fëmijët brenda protestës. Për muaj me radhë simboli nuk ishte guri, as flaka dhe as dhuna. Simboli ishte flamingoja rozë dhe parulla “Shqipëria nuk është në shitje”.
Projekti për ndërtimin e një kompleksi luksoz në një prej zonave natyrore më të ndjeshme të vendit dhe planet për zhvillime turistike edhe në ishullin e Sazanit u perceptuan nga një pjesë dërmuese e shoqërisë shqiptare, jo thjesht si projekte turistike, por si simbol i mënyrës se si po administrohet pasuria publike dhe natyrore e Shqipërisë. Projektet e lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump u bënë katalizatori i një pakënaqësie që kishte kohë që grumbullohej, edhe pse shumë shpejt u kuptua se Zvërneci ishte vetëm shkëndija, por jo edhe shkaku i vetëm.
Në rrugët e Tiranës filluan të artikuloheshin pyetje shumë më të mëdha: Kujt i përket Shqipëria? Deri ku mund të shkojë privatizimi i territorit? Kush përfiton nga zhvillimi ekonomik? Çfarë mbetet për qytetarin shqiptar pasi toka, bregdeti dhe pasuritë natyrore futen në projekte investimesh?
Në qendër të debatit hyri edhe e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”. Qeveria e paraqet atë si instrument për rigjallërimin e zonave malore, kthimin e diasporës dhe stimulimin e investimeve. Ligji, ndër të tjera, parashikon procedura të lehtësuara për pronësinë, mundësi kalimi të pronës me çmim simbolik dhe lehtësi të konsiderueshme fiskale. Pikërisht këto mekanizma kanë ngritur te kundërshtarët e tij frikën se, pa transparencë dhe kontroll të fortë publik, mund të shndërrohen në një instrument tjetër të transferimit të territorit drejt interesave private dhe atyre të huaja.
Debati u zgjerua edhe te ndryshimet që prekin tokën bujqësore dhe te frika e qytetarëve se sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha të territorit mund të ndryshojnë destinacion, të privatizohen ose të kalojnë nën kontrollin e investitorëve të huaj. Sipas deputetit Agron Shehaj, i pamohuar nga askush, është në përgatitje ligji sipas të cilit është paraparë shitja e 120 mijë hektarëve (120 km2) të tokës bujqësore shtetërore investitorëve (edhe të huaj) që paraqet 4,17% të sipërfaqes së gjithmbarshme të Shqipërisë.
Pastaj vjen projekti për krijimin e një shteti sovran bektashi në zemër të Tiranës, një ide e shpallur nga vetë kryeministri Edi Rama dhe e konceptuar sipas modelit të Vatikanit. Edhe nëse qeveria e paraqet atë si projekt simbolik dhe fetar, vetë ideja e krijimit të një entiteti të tillë sovran brenda kryeqytetit ka hapur një tjetër debat të madh mbi territorin, sovranitetin dhe mënyrën se si merren vendime të tilla.
Por mbi të gjitha qëndron një realitet që nuk mund të mbulohet me asnjë projekt turistik, me asnjë shpikje rreth shtetit në shtet, me asnjë zhvillim duke shitur tokat shtetërore dhe me asnjë anëtarësim në BE, e që është: EMIGRIMI I TË RINJVE.
Pikërisht emigrimi masiv i të rinjve dhe të arsimuarve, korrupsioni, mungesa e besimit tek institucionet dhe ndjenja se sistemi ekonomik e politik favorizon një rreth të ngushtë njerëzish janë ndër arsyet më të thella që e kanë ushqyer Revolucionin Flamingo. Prandaj protesta shumë shpejt kaloi nga një kauzë mjedisore në një revoltë më të gjerë kundër korrupsionit, modelit ekonomik dhe krizës së përfaqësimit politik.
Qeveria duket se për muaj me radhë ka llogaritur mbi një formulë të vjetër politike: prit që të lodhen. Vjen/është vera. Njerëzit largohen për pushime. Studentët nuk janë në Tiranë. Çdo mbrëmje do të dalin më pak njerëz. Pak nga pak protesta do të shndërrohet në rutinë dhe pastaj do të shuhet. Megjithatë, protesta u mbajt gjallë edhe gjatë verës dhe vapës ekstreme, vera mbaroi, Universitetet dhe shkollat u hapen, studentët u kthyen.
Dhe bashkë me fillimin e vitit akademik në Tiranë është rikthyer brezi që ka ndoshta më së paku për të humbur nga përplasja me sistemin dhe më së shumti për të humbur nëse sistemi nuk ndryshon.
Më 13 tetor, studentët dolën masivisht në protestë. Këtë herë përballja përfundoi ndryshe. U hodhën gurë dhe copa betoni nga një pjesë e protestuesve; policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në momente përdori edhe dhunë brutale dhe të panevojshme ndaj qytetarëve të shtrirë për toke, ndërsa pati të arrestuar dhe të lënduar nga të dy anët.
Dhe pyetja më së paku relevant është: kush e hodhi gurin e parë? Pyetja është: si arriti Shqipëria deri këtu?
Çfarë ndodh me një shoqëri kur qytetarët protestojnë për muaj të tërë dhe askush nuk i dëgjon?
Çfarë ndodh kur një brez i tërë mendon se ka vetëm dy alternativa: TË LARGOHET NGA SHQIPËRIA OSE TË DALË NË RRUGË PËR TA NDRYSHUAR ATË?
Dhe çfarë përgjegjësie ka një qeveri kur, në vend që ta lexojë protestën si paralajmërim politik, pret që koha ta zgjidhë problemin?
Pas 135 ditësh, problemi i qeverisë së Edi Ramës nuk është më vetëm Zvërneci. Nuk është vetëm Sazani. Nuk është vetëm Paketa e Maleve. Nuk është vetëm toka bujqësore. Nuk është vetëm projekti i shtetit bektashi. Nuk është korrupsioni i pasqyruar nëpërmjet Belinda Ballukut, Erion Veliajt, Arben Ahmetit, ministrave dhe kryebashkiakëve të zgjedhur nga ai!
Problemi është se këto çështje janë bashkuar në një perceptim shumë më të rrezikshëm për çdo pushtet: bindjen e pjesës dërmuese të shoqërisë se SHTETI NUK PO PUNON MË PËR QYTETARIN.
Sot në vijën e parë të këtij zemërimi po dalin studentët, që ndryshon rrënjësisht situatën. Sepse një protestë që mbahet gjallë nga disa qindra aktivistë mund të izolohet. Një protestë që zhvillohet në verë mund të pritet të lodhet. Por një revoltë që fillon të marrë energjinë e mijëra studentëve dhe të rinjve nga e gjithë Shqipëria është diçka krejt tjetër.
Qeveria mund të përdorë policinë për të kontrolluar një shesh; mund të vendosë barriera; mund të përdorë ujë me presion dhe gaz lotsjellës; mund të rrah, të tërheq zvarrë dhe të arrestojë protestues, por nuk mund ta kthej besimin e humbur, veçse mund ta rrit zemërimin.



