NË PROTESTA PAQËSORE NUK SHKOHET I ARMATOSUR E ME BOMBA!
____
Paramendoni të niseni drejt kryeqytetit të shtetit tuaj të lirë për të protestuar kundër asaj që e konsideroni dënim të padrejtë të udhëheqësve të UÇK-së, por me vete të merrni armë dhe bomba pa leje ligjore!
Çfarë kuptimi ka kjo? Kundër kujt do t’i përdornit ato armë?
Protesta është e drejtë qytetare, por armatosja e protestuesve nuk është protestë paqësore. Ajo përbën rrezik për qytetarët, policinë dhe institucionet e shtetit.
Policia e Kosovës dhe organet kompetente kanë detyrë ligjore të vlerësojnë rreziqet, të ndërhyjnë në përputhje me ligjin dhe të marrin masa ndaj personave që posedojnë armë të paligjshme ose paraqesin rrezik për sigurinë publike.
Përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe ligji të vlejë për të gjithë, pa përjashtim!
UÇK-ja luftoi për liri dhe dinjitet. Prandaj, mbrojtja e vlerave të saj nuk mund të bëhet duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe sigurinë e shtetit për të cilin u sakrifikua.
Protesta paqësore nuk njeh bomba, dhunë, zjarrvënie, vandalizëm e vrasje. Ajo njeh dinjitet, përgjegjësi dhe respekt për ligjin!




