Si një letër e harruar pasqyron fatin e një kombi
____
Çdo histori e madhe amerikane e suksesit dhe e triumfit kombëtar fillon me një zbulim të thjeshtë, pothuajse të rastësishëm, që ndryshon gjithçka.
Për familjen e madhe Mulliqi, ky moment erdhi pak kohë pas vdekjes së akademikut dhe pikëtorit me renome ndërkombëtare, Muslim Mulliqi. Familjarët po merreshin me sistemimin e trashëgimisë së tij të madhe. Mes rafteve të mbushura, telajove, ditarëve dhe një morie dokumentesh të vjetra—ku ishin përzier kujtimet e jetës së tij të pasur, që nga shënimet artistike e deri te dokumentet e pasioneve të tij pikturat e shumëta, shumë nga to të shpërndara nëpër galeritë botërore—duart e nipit të tij, Kastriot Mulliqit, sot një afarist i shquar dhe i suksesshëm, u ndalën te një letër e palosur mirë. Ishte një faturë e zverdhur nga koha, e fshehur mes të letrave të zakonshme të përditshmërisë.
Kur Kastrioti e hapi dhe e lexoi atë letër-faturë, shtëpia u pushtua nga një heshtje e rëndë emocionale. Ajo letër dëshmonte diçka të paimagjinueshme: në vitet e tij të studimit në Beograd, ku çdo hap i shqiptarëve mbikëqyrej nga shërbimet sekrete, shkollimi modest i Muslim Mulliqit ishte financuar privatisht. Dhe financuesi ishte askush tjetër përveç udhëheqësit të lartë të asaj kohe, Fadil Hoxhës, i cili ndante rregullisht mjete monetare direkt nga rroga e tij zyrtare.
Në Amerikë ekziston një thënie e famshme: “Liderët e vërtetë nuk mbjellin pemë për të ngrënë vetë frytet e tyre, por që të tjerët të gjejnë hije nën to.”
Në vitet e errëta të pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova po lëngonte nën reformat e dhunshme agrare, kolonizimin dhe një analfabetizëm të qëllimshëm që u imponohej shqiptarëve si prangë për t’i mbajtur të nënshtruar. Që nga epoka e errët e Aleksandër Rankoviqit e deri te mizoritë e mëvonshme të Sllobodan Millosheviqit dhe gruas së tij, Mira Markoviq, strategjia e Beogradit ishte e qartë: mbaje këtë popull pa kuadro dhe pa elitë intelektuale, që të mos mund të qeverisë kurrë veten.
Por shovinizmi serb bëri një gabim fatal. Ata nënvlerësuan fuqinë e një strategjie të fshehtë shtetndërtimi.
Fadil Hoxha dhe kasta e kuadrove vizionare me origjinë nga Gjakova e kuptuan herët se lufta për liri nuk bëhej vetëm në fushëbetejë me armë. Ajo bëhej nëpër auditorët e universiteteve. Ata e dinin se ëndrra e Kosovës së Pavarur nuk mund të ndërtohej mbi gërmadha, por mbi trurin dhe talentin e njerëzve të saj. Kur sistemi shtetëror serb ua ndalonte ose ua vështirësonte fondet shqiptarëve, këta burra shteti bëheshin vetë sistemi. Ata sakrifikonin nga të ardhurat e tyre personale, privatisht, për të krijuar “ushtarët” e ardhshëm të kulturës, ligjit dhe arsimit shqiptar.
Muslim Mulliqi u bë korifeu i artit pamor shqiptar, peneli i të cilit fshiu terrin e analfabetizmit kulturor dhe i tregoi botës dramën dhe dinjitetit kosovar, pikërisht sepse një lider guxoi të investonte tek ai në kohën më të vështirë. Ky nuk ishte thjesht një akt humanizmi; ishte një operacion klandestin, afatgjatë, për krijimin e shtetit të ardhshëm.
Sot, si dhëndër i shtëpisë së madhe të Mulliqëve dhe mik i afërt i djemve të tij, Lekës dhe Sharrrit, ky rrëfim i sjellë në dritë nga Kastriot Mulliqi merr përmasën e një udhërrëfyesi të rastësishëm i një kohe i një ëndrre shekullore e pavarësise.
Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si dhuratë në vitin 1999 apo 2008. Ajo u gatua hap pas hapi, student pas studenti, faturë pas fature, nëpër sirtarët ku fshiheshin sakrificat e mëdha. Kjo letër e palosur, e gjetur mes dokumenteve të thjeshta, është dëshmia e gjallë se kur një komb ka udhëheqës që investojnë te truri dhe rinia e tyre, ai komb është i destinuar të jetë i lirë dhe i pavarur përjetësisht.



