Thënie e Atë Gjergj Fishtës

Lekë Mirijaj, Klinë
“SI JANË SHQIPTARËT? NJASHTU SI I DON HASMI”- AT GJERGJ FISHTA
Duke i përcjellë me vëmendje protestat e ditëve të fundit në Shqipëri, përplasjet ndërmjet protestuesve dhe policisë, dhunën, tensionet dhe gjuhën e ashpër politike, më erdhi ndër mend thënia e njohur që i atribuohet At Gjergj Fishtës: “Si janë shqiptarët?” – “Njashtu si i don hasmi.”
Pra, është për të ardhur keq që, në vend të debatit dhe zgjidhjeve institucionale, shohim qytetarë të shumtë që përplasen me policinë, institucione që përballen me zemërimin e turmës dhe drejtues politikë që, në vend të qetësimit të situatës, shpesh i thellojnë ndarjet përmes deklaratave të tyre. Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe pakënaqësia qytetare duhet të dëgjohet. Por djegia, shkatërrimi i pronës publike dhe sulmet ndaj policëve nuk e forcojnë kauzën e protestuesve. Pikërisht, përdorimi i tepruar i forcës, goditja e protestuesve paqësorë apo çdo veprim arbitrar i autoriteteve nuk mund të justifikohen me nevojën për ruajtjen e rendit.
Andaj, në vazhdim të këtij opinioni i’u them protestuesve që të kërkoni llogari për qeverisjen, korrupsionin, padrejtësitë dhe çdo shqetësim që ju ka nxjerrë në rrugë. Por mos e ktheni protestën në fushëbetejë. Mos i sulmoni policët, mos i dëmtoni institucionet dhe mos lejoni që zemërimi juaj të përdoret për interesa partiake.
Polici që qëndron përballë jush është gjithashtu qytetar i këtij vendi, jo armiku juaj. Po ashtu, Qeverisë dhe drejtuesve të policisë i’u them që të mos i trajtoni protestuesit si armiq vetëm pse kundërshtojnë pushtetin. Ora, garantojeni të drejtën e tubimeve paqësore, përdoreni forcën vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale, hetoni çdo abuzim dhe mbani përgjegjës ata që shkelin ligjin.
Pakënaqësia nuk shuhet me shkopinj gome, por me përgjigje, transparencë dhe drejtësi. Ndërsa udhëheqësve të pozitës dhe opozitës i’u themi që të ndalni gjuhën e urrejtjes dhe mos i përdorni qytetarët si instrumente të betejave tuaja për pushtet. Uluni në tryezën e dialogut, përballuni me problemet reale të vendit dhe tregoni përgjegjësi për pasojat e fjalëve dhe veprimeve tuaja.

Shqiptarë të dashur, Shqipëria që nga pushteti komunist enverian ka paguar një çmim të rëndë për lirinë dhe demokracinë. Shqiptarët nuk kanë nevojë që Shqipëria të paguajë përsëri me gjakun, sigurinë dhe përçarjen e bijve të saj për ambiciet e politikës së ditës. Flamuri ynë Kuq e Zi nuk është flamur partie.
Nën të qëndrojnë njësoj protestuesi, polici, qeveritari dhe qytetari që mendon edhe ndryshe. Prandaj, protestuesit duhet të heqin dorë nga dhuna, policia nga çdo përdorim i paligjshëm i forcës, ndërsa politika nga nxitja e përçarjes. Kushdo që shkel ligjin, pavarësisht se në cilën anë qëndron, duhet të mbajë përgjegjësi.
Qeveritë ndërrohen, partitë mbeten në histori me veprat e tyre, por Shqipëria është e të gjithëve dhe duhet t’u mbetet brezave më e drejtë, më e sigurt dhe më demokratike. Pra, le të mos jemi “njashtu si na don hasmi”, por ashtu siç e meriton Shqipëria. Pra, qytetarë që kërkojnë drejtësi pa dhunë dhe një pushtet që e zbaton ligjin pa arbitraritet.
Sepse asnjë karrige pushteti nuk vlen sa gjaku i një shqiptari dhe asnjë fitore politike nuk vlen sa paqja e një kombi.
Më 15 tetor 2026


