Fatkeqësisht, protestat që nuk kanë organizim të qartë, strukturë të mirëfilltë dhe vizion të përcaktuar politik mund të shndërrohen në terren ideal për njerëzit e paskrupullt, të cilët, nën maskën e shpëtimtarëve të popullit, synojnë t’i përmbushin ambiciet e tyre shkatërrimtare në kurriz të shtetit.
Dhe kur e them këtë, nuk e kam asnjë dyshim tek nxënësit dhe studentët, por tek shërbimet sekrete armiqësore, të cilat zakonisht i infiltrojnë njerëzit e tyre në radhët e studentëve dhe i nxisin të vjedhin e të shkatërrojnë gjithçka, me qëllim që ta diskreditojnë dhe ta sabotojnë misionin fisnik të protestës.
Në një rrëmujë të tillë, përfituesi më i madh mund të bëhet pikërisht ai që protestuesit synojnë ta rrëzojnë nga pushteti.
Sepse, kur një popull përballet me dy alternativa të këqija, shpesh detyrohet ta zgjedhë atë që i duket si e keqja më e vogël.
Kështu, autokrati, sociopati, mafiozi dhe kleptomani, Edi Rama, mund ta merr pamjen e shpëtimtarit, sepse edhe pse ka abuzuar në çdo aspekt me pushtetin, përmes krahasimit me alternativën tjetër, mund të duket si një udhëheqës i merituar.
Edi Rama e ka përsosur artin e mashtrimit deri në një shkallë që meriton të studiohet jo si model qeverisjeje, por si shembull i fuqisë së karizmës për ta maskuar realitetin.
Me një sharm që të magjeps, me një humor që të çarmatos, me një gjuhë trupi që e shndërron politikën në spektakël dhe me një aftësi të jashtëzakonshme për ta kthyer çdo bisedë në skenë teatrale, ai ka arritur diçka që shumë të tjerë para tij nuk ia dolën ta bënin:
T’u krijojë bashkëbiseduesve ndërkombëtarë përshtypjen se përballë e kanë një burrështetas të besueshëm, me të cilin mund të flasin për gjithçka, pa e ndier nevojën ta pyesin se çfarë fshihet pas magjisë së fjalëve të tij dhe pas hijeshisë së paraqitjeve të tij.
Këtu qëndron edhe paradoksi i tij më i madh:
Sa më bindshëm e luante Edi Rama rolin e shtetarit të hapur, aq më pak vëmendje rrezikonte të merrte pyetja se kujt i shërbente në të vërtetë pushteti i tij.
Në sytë e mi, pas kësaj fasade fshihej një model sundimi që i afrohej logjikës së pronarit privat të shtetit, sikur territori, institucionet dhe pasuria publike të ishin pjesë e trashëgimisë së tij personale.
Është një logjikë sipas së cilës pushteti nuk shihet si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si privilegj për t’u shfrytëzuar, ndërsa shteti nuk trajtohet si pasuri e përbashkët, por si pronë e atij që e drejton.
E lakmia, siç dihet, nuk njeh ngopje. Ajo vetëm sa e zgjeron oreksin e vet, derisa gjithçka përreth fillon ta konsiderojë si pronë të saj.
Në një epokë kur politika ndërkombëtare, nga Evropa në Amerikë, nga Lindja e Mesme në Moskë e Beograd, është mbushur me personazhe që e kanë ngritur interesin vetjak në rangun e parimit dhe cinizmin në nivelin e mjeshtërisë, një figurë si Rama gjente terren veçanërisht të përshtatshëm.
Ai dinte të fliste me secilin në gjuhën që tjetri dëshironte ta dëgjonte; dinte të krijonte afërsi pa ofruar domosdoshmërisht transparencë dhe të kultivonte besim pa i bërë gjithmonë të qarta interesat që fshiheshin pas tij.
Në diplomacinë e tij, sharmi bëhej monedhë, humori shërbente si perde, ndërsa paqartësia shndërrohej në instrument përfitimi.
Por pasojat më të rënda nuk maten gjithmonë me suksesin e një marrëveshjeje. Ndonjëherë ato shfaqen në dëmin që i shkaktohet një populli, kujtesës së tij historike dhe marrëdhënieve të ndërtuara ndër breza.
Marrëdhëniet me kompaninë e Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit, si dhe marrëveshjet që lidhen me pasuritë publike të Shqipërisë, kanë ngritur pikëpyetje serioze për transparencën dhe për mbrojtjen e interesit publik.
Kur marrëveshje të tilla nuk shoqërohen me transparencë të plotë, me llogaridhënie dhe me garanci të qarta për mbrojtjen e interesit kombëtar, pasojat mund të shkojnë përtej një debati të zakonshëm ekonomik.
Ato rrezikojnë të ushqejnë dyshime, të nxisin paragjykime dhe, në një klimë të helmuar nga propaganda, të shndërrohen në burim armiqësie ndaj hebrenjve.
Pikërisht këtu duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm.
Kritika ndaj një qeverie, ndaj një politikani, ndaj një investitori apo ndaj një marrëveshjeje biznesi nuk duhet të shndërrohet kurrë në armiqësi ndaj një populli.
Përgjegjësia është individuale dhe politike, jo etnike apo fetare.
Pikërisht për këtë arsye, çdo marrëveshje jotransparente duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi rigoroz. Sepse mungesa e transparencës u jep oksigjen jo vetëm dyshimeve të arsyeshme, por edhe paragjykimeve të rrezikshme.
Për shqiptarët, kjo çështje ka një ndjeshmëri të veçantë historike dhe strategjike.
Kosova, në veçanti, e ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të mbështetjes së saj ndërkombëtare përmes marrëdhënieve të besueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përmes lidhjeve miqësore me shumë përfaqësues të komunitetit hebre, si dhe me shumë organizata hebraike që e kanë mbështetur të drejtën e shqiptarëve për liri dhe shtetësi.
Ky besim nuk është pronë e përjetshme dhe as kapital i pashtershëm që mund të shpërdorohet pa pasoja.
Ai është një marrëdhënie që kërkon maturi, ndershmëri dhe përgjegjësi nga të gjitha palët.
Shqiptarët e kanë edhe një arsye më të thellë për ta mbrojtur këtë marrëdhënie nga çdo helmim i panevojshëm: kujtesën e tyre historike.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë e rrezikuan jetën e tyre për t’u ofruar strehim të sigurt hebrenjve të përndjekur nga nazizmi.
Madje, Shqipëria u bë një rast i jashtëzakonshëm në Evropën e pushtuar, sepse shumë hebrenj gjetën strehim dhe mbrojtje mes shqiptarëve.
Në përfundim të luftës, në Shqipëri kishte më shumë hebrenj sesa para fillimit të saj. Ky fakt nuk është thjesht burim krenarie kombëtare; është dëshmi se dinjiteti njerëzor mund të mbijetojë edhe në kohët kur barbaria shndërrohet në politikë shtetërore.
Pikërisht për këtë arsye, do të ishte tragjike që një histori e tillë solidariteti të errësohej nga pazaret politike, nga marrëveshjet e paqarta të biznesit apo nga propaganda që e shndërron kritikën ndaj individëve në armiqësi ndaj një populli të tërë.
Dhe këtu lind një pyetje që nuk duhet shmangur:
Kujt i shërben një klimë e tillë mosbesimi?
Kush përfiton kur shqiptarët vihen në konflikt me partnerët e tyre historikë, kur dyshimi shndërrohet në urrejtje dhe kur një popull që është dalluar për tolerancë fetare detyrohet të mbrohet nga paragjykimet që nuk i kanë hije historisë së tij?
A është e mundur që aktorë të huaj armiqësorë ta keqpërdorin këtë klimë të helmuar, për interesat e tyre.
Dihet mirë se shërbimet sekrete dhe strukturat propagandistike të Serbisë, Rusisë, Turqisë apo Iranit mund të kenë arsye strategjike për ta dobësuar afërsinë e shqiptarëve me Perëndimin dhe për ta cenuar besimin ndërmjet shqiptarëve, amerikanëve dhe hebrenjve.
Megjithatë, çdo pretendim se këto shërbime kanë organizuar apo drejtuar konkretisht një fushatë të tillë kërkon prova, jo vetëm dyshime.
Një shoqëri që kërkon të vërtetën nuk duhet ta zëvendësojë një manipulim të mundshëm me një akuzë të paprovuar.
Sepse propaganda më e suksesshme nuk është ajo që e detyron njeriun ta besojë një gënjeshtër të madhe, por ajo që e shtyn të dyshojë tek miqtë e vet, ta harrojë historinë e tij dhe ta ngatërrojë interesin e një pushtetari me interesin e kombit.
Ndoshta ky është rreziku më i madh i politikës së shndërruar në spektakël: kur magjistari e zotëron aq mirë skenën, saqë publiku harron t’i përcjellë me sy lëvizjet e duarve të tij.
Kur sharmi e zë vendin e llogaridhënies, kur humori e mbyt dyshimin dhe kur diplomacia kthehet në teatër përshtypjesh, qytetarët rrezikojnë të mos e dallojnë më shtetarin nga aktori, interesin publik nga pazari dhe miqësinë historike nga përfitimi i çastit.
Në fund të fundit, një popull nuk e humb dinjitetin vetëm kur e tradhtojnë udhëheqësit e tij. E humb edhe kur lejon që magjia e tyre t’ia verbojë gjykimin.
Prandaj, shqiptarët nuk kanë nevojë as për urrejtje ndaj hebrenjve, as për besim të verbër ndaj politikanëve shqiptarë, amerikanë apo të huaj. Kanë nevojë për të vërtetën, për transparencën dhe për aftësinë për ta dalluar miqësinë nga interesi, individin nga populli dhe shfaqjen politike nga realiteti.
Sepse miqësitë historike nuk ruhen duke heshtur përballë pushtetit, por duke mos lejuar që pushteti t’i keqpërdorë ato si pronë private.



