Kur përdhoset e shenjta, tronditet shpirti i kombit

Shkrime relevante

Une jam Mitrovicë, jam Shaljan, jam Deçan dhe mbi Deçan jam Dardan!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës. Mitrovicë Tri vjet të Lëvizjes së Deçanit:...

Aleksandr Dugin dhe “restoranti i kaosit” me fashistë, komunistë dhe fanatikë në të njejtën tryezë

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Aleksandar Dugini, ideologu rus i euroazianizmit, ëndërron një rend...

Fundi i një epoke dhe dilema e së ardhmes!

Florim Zeqa Ekziston një rregull i shkruar i demokracisë, ai që i...

Kur përdhoset e shenjta, tronditet shpirti i kombit

   Nga Frank Shkreli ____ Dy ngjarje të ditëve të fundit në...

Shpërndaj

   Nga Frank Shkreli
____
Dy ngjarje të ditëve të fundit në Tiranë nuk mund të trajtohen si incidente të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato duhen parë së bashku, sepse, përtej pamjeve tronditëse dhe lajmeve të çastit, kam drojë se zbulojnë një problem më të thellë të shoqërisë, të institucioneve dhe të kulturës demokratike të shqiptarëve.  Ajo që ndodhi ditët e fundit në Tiranë, fillimisht me heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Selisë së Shenjtë në selinë e Nunciaturës Apostolike —Frank Shkreli: Protesta dhe diplomacia. Prova e shtetit të së drejtës | Gazeta Telegraf — dhe më pas me ndjekjen e protestuesve nga forcat e policisë deri në oborrin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, nuk mund dhe nuk duhet të kalohen në heshtje.  Kur cenohet një institucion fetar, nuk cenohet vetëm një komunitet besimtarësh. Cenohet një vlerë e shoqërisë, një trashëgimi shpirtërore, një vlerë kombëtare dhe një parim themelor i bashkëjetesës demokratike dhe fetare që i dallon shqiptarët për këto vlera n mbarë botën. Këto dy ngjarje janë të ndryshme për nga rrethanat dhe përgjegjësitë. Por ato bashkohen në një pikë thelbësore: respekti për institucionet fetare, për dinjitetin njerëzor dhe për kufijtë që askush, qoftë protestues apo autoritet shtetëror, nuk duhet të kapërcejë.
Vetëm pak ditë pas incidentit në Nunciaturën Apostolike, një tjetër ngjarje tronditëse u regjistrua në Tiranë.  Më 19 tetor, gjatë protestave kundër qeverisë, forca policore ndoqën protestues deri në oborrin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Pamjet e publikuara shkaktuan shqetësim, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë reagoi duke kërkuar respektimin e vendeve të shenjta, të cilat nuk duhet të shndërrohen në hapësira përplasjeje dhe konflikti, raportuan disa burime mediatike shqiptare. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë 21 hours ago 21h · REAGIM – Search — Policia ka detyrimin të ruajë rendin publik dhe të ndërhyjë kur kryhen vepra të dhunshme. Asnjë objekt kulti nuk mund të shndërrohet në strehë për të shmangur përgjegjësinë ligjore. Por ky detyrim nuk i jep policisë të drejtën të përdorë forcë pa kufi, pa kriter dhe pa respekt për rrethanat.  Ligji duhet të zbatohet edhe në pragun e një kishe, por as pragu i një kishe nuk duhet të bëhet vend ku harrohen kufijtë e ligjit.  Oborri i një katedraleje nuk është një shesh i zakonshëm për përplasje politike. Është pjesë e një hapësire të shenjtë, ku njerëzit shkojnë për t’u lutur, për të gjetur paqe dhe për të kërkuar ngushëllim shpirtëror.  Prandaj, ndjekja e protestuesve deri në atë hapësirë dhe çdo përdorim i mundshëm i tepruar i forcës atje kërkojnë një shqyrtim serioz e të paanshëm.   Nëse policia ka vepruar në kundërshtim me ligjin ose ka përdorur forcë joproporcionale, përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Kjo nuk është kërkesë kundër policisë si institucion.  Është kërkesë për një polici profesionale, ligjore dhe të denjë për një shtet demokratik.  Nuk mund të dënohet dhuna e protestuesve dhe të heshtet për çdo tejkalim të mundshëm të forcës nga autoritetet. Një parim demokratik nuk mund të jetë i vlefshëm vetëm kur na leverdis politikisht.
Kishat dhe xhamitë nuk janë arena të të politikës. Siç theksova më lartë, Shqipëria ka një traditë të njohur të bashkëjetesës ndërfetare. Kjo traditë nuk është vetëm një shprehje e bukur për t’u përdorur në ceremonitë zyrtare, në fjalimet politike apo në takimet ndërkombëtare.  Ajo është një pasuri kombëtare që duhet mbrojtur çdo ditë.  Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Komuniteti Mysliman, ai Bektashi dhe bashkësitë e tjera fetare kanë vendin e tyre në historinë, kulturën dhe jetën shpirtërore të shqiptarëve.  Institucionet e tyre nuk janë pronë e një partie, e një qeverie apo e një grupi protestuesish. Ato janë hapësira besimi, lutjeje dhe shërbimi ndaj njerëzve.  Prandaj, askush nuk ka të drejtë t’i përdorë ato për të shprehur urrejtje politike, për të kryer akte vandalizmi apo për të shkelur dinjitetin e besimtarëve.  Po kështu, institucionet shtetërore kanë detyrimin t’i mbrojnë këto hapësira, jo t’i trajtojnë si një zgjatim të rrugës ku zhvillohen përplasjet politike.  Respekti për një institucion fetar nuk mund të varet nga fakti nëse ai është katolik, ortodoks, mysliman apo i një besimi tjetër. Nuk mund të varet as nga bindjet politike të njerëzve që ndodhen pranë tij.  Nëse mbrojmë shenjtërinë e një kishe, duhet të mbrojmë edhe shenjtërinë e një xhamie. Nëse dënojmë përdhosjen e flamurit të Vatikanit, duhet të dënojmë çdo përdhosje të simboleve të tjera fetare të shqiptarëve. Dhe nëse kërkojmë respekt për besimtarët, duhet të kërkojmë të njëjtin respekt për çdo qytetar, besimtar ose jo. Ky është kuptimi i vërtetë i barazisë dhe i bashkëjetesës ndërfetare.
Në rastin e Nunciaturës Apostolike, autorët e përdhosjes së flamurit duhet të identifikohen dhe të përgjigjen para ligjit.  Në rastin e Katedrales Ortodokse, duhet të sqarohen plotësisht rrethanat e ndërhyrjes policore, të verifikohet nëse është përdorur forcë e tepruar dhe të përcaktohet përgjegjësia e kujtdo që ka shkelur ligjin.  Këto nuk janë kërkesa kontradiktore. Përkundrazi, janë dy anë të së njëjtës kërkesë për drejtësi.  Shteti nuk mund të kërkojë respektimin e ligjit nga qytetarët, nëse vetë nuk garanton zbatimin e tij me paanshmëri. Protestuesit nuk mund të kërkojnë të drejtat e tyre duke shkelur të drejtat e të tjerëve. Policia nuk mund të kërkojë autoritetin e saj duke cenuar dinjitetin njerëzor. Dhe politika nuk mund të flasë për demokraci, ndërsa shoqëria përballet me skena dhune, frike dhe mosbesimi. Këtu qëndron prova e vërtetë për institucionet shqiptare, Jo në deklaratat e bukura, por në mënyrën se si vepron qeveria kur tensionet janë të larta në raste të tilla.  Prandaj, një flamur i përdhosur në një përfaqësi diplomatike dhe skena dhune në oborrin e një katedraleje nuk mund të trajtohen si ngjarje pa rëndësi për imazhin dhe standardet demokratike të vendit.
Nuk mjafton që autoritetet shqiptare të deklarojnë se mbrojnë liritë dhe të drejtat. Që të jenë të besueshëm, ato duhet ta provojnë këtë me veprime konkrete, me hetime të paanshme dhe me përgjegjësi të barabartë para ligjit.  Në të njëjtën kohë, edhe qytetarët duhet të kuptojnë se zemërimi politik nuk e justifikon shkatërrimin, fyerjen e besimit fetar apo dhunën ndaj institucioneve. Demokracia nuk është vetëm e drejta për të kundërshtuar. Ajo është edhe detyrimi për të respektuar të drejtat e të tjerëve.  Sot, Shqipëria ka nevojë për më shumë se reagime të çastit. Ka nevojë për një qëndrim të qartë të shtetit, të institucioneve fetare, të shoqërisë civile dhe të të gjithë qytetarëve që besojnë te demokracia.  Kërkohet mbrojtje konkrete për institucionet fetare dhe përfaqësitë diplomatike. Kërkohet hetim i paanshëm i akteve të vandalizmit dhe i çdo përdorimi të paligjshëm të forcës. Kërkohet respekt për të drejtën e protestës pa dhunë dhe për autoritetin e ligjit pa arbitraritet. Kërkohet, mbi të gjitha, që Shqipëria të mos lejojë se përplasjet politike të helmojnë marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve dhe të cenojnë një nga pasuritë e saj më të çmuara: bashkëjetesën fetare.
Flamuri i Selisë së Shenjtë nuk duhet të përdhoset. Oborri i Katedrales Ortodokse nuk duhet të shndërrohet në arenë dhune. Xhamitë, kishat dhe çdo objekt tjetër kulti duhet të mbeten hapësira të mbrojtura të besimit dhe të paqes. Këto nuk janë kërkesa të një feje kundër një tjetre, as të një partie kundër një partie tjetër. Janë kërkesa të qytetarisë, të ndërgjegjes dhe të shtetit të së drejtës.  Një komb nuk tregon madhështinë e tij vetëm duke mbrojtur flamurin kombëtar. Ai e tregon edhe duke respektuar simbolet e të tjerëve, duke mbrojtur vendet e shenjta dhe duke mos lejuar që pushteti apo zemërimi politik të shkelin dinjitetin njerëzor.  Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë urrejtje, dhunë dhe përçarje. Ka nevojë për më shumë përgjegjësi, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë. Sepse kur cenohet shenjtëria e vendeve të besimit, nuk vihet në provë vetëm feja. Vihet në provë vetë ndërgjegjja e kombit. Dhe një shoqëri që nuk di të mbrojë vendet e paqës, rrezikon të humbasë edhe paqën në vetvete.
Frank Shkreli
          ——————————————————————————–
Për ata që mund të jenë të interesuar të lexojnë shkrimet e2-3 muajve të fundit në lidhje me protestar dhe përgjegjësitë e klasës politike shqiotare të 35-viteve të kaluara:
* Ngjarjet e fundit në Tiranë nuk mund të kuptohen të shkëputura nga shqetësimet e ngritura më parë mbi gjendjen e demokracisë, respektimin e institucioneve dhe përgjegjësinë e klasës politike shqiptare. Për lexuesit që dëshirojnë të njihen më nga afër me qëndrimet dhe analizat e mia të mëparshme për këto çështje, më poshtë gjeni vetëm disa nga shkrimet e botuara gjatë muajve të fundit mbi këto çeshtje:  Frank Shkreli: Një thirrje për diasporën shqiptaro-amerikane, Shqipëria ka nevojë për zërin tonë | Gazeta Telegraf

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu