Florim Zeqa
Ekziston një rregull i shkruar i demokracisë, ai që i fiton zgjedhjet, i vetëm apo në koalicion duhet të qeverisë për katër vite rresht, por ekziston edhe një rregull tjetër e pashkruar, që nëse partia fituese nuk qeverisë mirë me vendin duhet të largohet me trysni opozitare apo popullore!
Aty ky ndahet leku, fillon interesi
Në dekadat e fundit, në dy shtetet shqiptare (Kosovë dhe Shqipëri), ndërrimi i pushteteve nuk ka sjellë ndryshim të madh, në fakt ka ndodhur gjithmonë një riciklim i të njëjtit mentalitet qeverisës.
Pra, kemi pasur vetëm ndërrim të fytyrave dhe pozicioneve, por jo edhe të konceptit qeverisës. Secila qeveri ka vazhduar me avazin e vjetër të kapjes së institucioneve shtetërore me emërimin e militantëve partiakë dhe familjarëve në pozicionet kyqe të shtetit, me emërimin e njerëzve të paaftë në ministri dhe staf diplomatik, duke i shndërruar kështu pozitat në institucione publike në mjete për pasurim personal.
Politikanët nën petkun e patriotizmit derisa janë jashtë dyerve të pushtetit, flasin për kauza dhe parime, për drejtësi e barazi shoqërore. Por patriotizmi i tyre përfundon me ngritjen në fronin e pushtetit-aty marrin fund parimet dhe premtimet elektorale, pasi aty fillon të lëvizë paraja e pistë dhe privilegjet e tjera që iu sjellë pushteti korruptiv!
Pra, aty ky ndahet leku, fillon dhe përfundon interesi!
Pas ndërrimit të çdo pushteti është shtruar pyetja logjike nga qytetarët; “A do të vjedhin këta të rinjt sikurse ata paraprak?!
Fatkeqësisht, përgjigja gjithmonë ka dalë e njëjta, vahzdimësi e hajnisë dhe abuzim me kuletën e shtetit!
Pyetja më e shpeshtë e ditëve të fundit e qytetarëve në Shqipëri dhe Kosovë është e njëjtë, a do të ndërpritet ndonjëherë cikli i hajnisë në shtetet shqiptare dhe nga kush?!
Apo do të kalojnë edhe gjysëm shekuj të tjerë të hajnisë shtetërore?!
Apo ndoshta duhet të presim ndërrimin biologjik të gjeneratave që të shohim një mendësi tjetër qeverisëse ku (pu)shteti konsiderohet si përgjegjësi e jo mundësi për pasurim dhe përfitime personale?!
Çmimin e paaftësisë qeverisëse dhe të (keq)menaxhimit të pushtetit po e paguajnë çdo herë qytetarët e zakonshëm e jo familjarët e politikanëve!
Pas rrëzimit të Ramës, kush do ta merr pushtetin në Shqipëri?!
Protestat në Shqipëri po marrin përmasa alarmante. Rrëzimi i Qeverisë së Edi Ramës, edhe pse aspak punë e lehtë, nuk është i pamundur. Por, dilema mbetët e hapur, kush do ta marrë pushtetin dhe a do të ndryshojë realisht Shqipëria për të mirë?!
Kjo është dilema ‘hamletiane’ për shqiptarët! Ta rrëzosh një qeveri është vetëm pjesa e parë e lojës politike, kurse ndërtimi i një alternative të besueshme për qytetarët e zhgënjyer paraqet pjesën më të vështirë të lojes politike!
Fundi i një epoke qeverisëse e hapë rrugën për fillimin e një epoke të re përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Por, dilema është, cila është alternativa që do ta pasoj qeverisjen aktuale!
Pasi, njëjtë sikurse pushteti, edhe opozita shqiptare përballet me sfidën e besueshmërisë qytetare dhe me nevojën për të dëshmuar se mund të ofrojë një alternative të re përtej zërit kundërshtues ndaj Edi Ramës.
Të paktën, deri më tani, nuk shihet në horizont një figurë kredibile dhe e besueshme politike e cila mund t’i bashkojë shumicën e pakënaqur të qytetarëve të Shqipërisë!
Një gjë tashmë është e sigurtë, pa një alternativë të re politike, përballja eventuale e partisë në pushtet me partitë aktuale opozitare në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk do ta sjellin ndryshimin e duhur për Shqipërinë dhe as nuk do ta kthejnë shpresën për shqiptarët!
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm të largojë një kryeministër, për më shumë se kaq, ka nevojë për institucione kredibile dhe funksionale, që ofrojnë drejtësi dhe barazi qytetare, arsim cilësor, mundësi për të rinjtë dhe mundësi që qytetarët të votojnë të lirë, të pandikuar dhe pa presion politik.
Shqipërisë i duhet një fillim i ri!
Një lidership i ri!
Një frymë e re!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Florim Zeqa, analist i pavarur politik


