
Nga: Zeqir Bekolli, ish-gazetar i Rilindjes dhe udhëheqës i Sindikatës së saj
___
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), si institucion përgjegjës për administrimin dhe shpërndarjen e mjeteve të privatizimit, ka dështuar në mënyrë flagrante të përmbushë detyrimet ligjore dhe morale ndaj punëtorëve të ish-kompleksit të Pallatit “Rilindja”. Pavarësisht se Qeveria e Kosovës ka arkëtuar afro 3.3 milionë euro për llogari të shpërndarjes së 20 përqindëshit për punëtorët, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve, mbi 1.5 milionë euro vazhdon të mbahet padrejtësisht në arkën e AKP-së.
Kjo vonesë nuk ka asnjë justifikim të qëndrueshëm. Fondet janë ndarë, ndërkohë që në Gjykatën e Apelit presin zgjidhje rreth 130 ankesa të punëtorëve, të cilat mund të trajtoheshin më herët nëse AKP-ja do të vepronte me transparencë dhe përkushtim. Shkaku nuk është mungesa e mjeteve ato ekzistojnë por vullneti dhe përgjegjësia institucionale që, fatkeqësisht, mungojnë.
Përtej këtij skandali financiar, punëtorët janë edhe viktimë e një tjetër padrejtësie të rëndë. Oborri prej 5.5 hektarësh, pjesë përbërëse e kompleksit të “Rilindjes”, është marrë nga Qeveria pa u përfshirë në vlerësimin për shpërndarjen e 20 përqindëshit. Ky truall u nda në tri pjesë: një pjesë iu dha Qeverisë, tjetra Komunës së Prishtinës dhe pjesa e tretë për një objekt privat shumëkatësh ngritur në afërsi.
Asnjë cent nuk është dhënë për këtë sipërfaqe, duke përjashtuar padrejtësisht punëtorët nga të drejtat që u takojnë.
Edhe më shqetësuese është ndryshimi i shifrave kadastrale të kësaj parcele, në mënyrë të dyshimtë, që sipas informatave nga Kadastri i Komunës së Prishtinës, që dyshohet për një përpjekje për të zhdukur gjurmët e pronës që u përkasin punëtorëve. Ky veprim ngre dyshime serioze për abuzime, manipulim të dokumentacionit dhe përpjekje të qëllimshme për t’i mohuar punëtorëve të drejtën e tyre.
Si për ta kurorëzuar gjithë këtë padrejtësi, një zyrtare e AKP-së ka dezinformuar publikisht përmes një telefonate, duke pretenduar se “pagesat për Rilindjen janë kryer”, një deklaratë që bie ndesh me faktet dhe situatën reale.
Në këtë rrethanë, është e qartë se punëtorët e “Rilindjes” nuk po trajtohen thjesht sipas ligjit, por po diskriminohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mosshpërndarja e mjeteve që po mbahen padrejtësisht tash e një kohë të gjatë, mohimi i të drejtave mbi truallin dhe manipulimi i informacioneve zyrtare janë prova të një papërgjegjësie të thellë institucionale që kërkon hetim dhe përgjegjësi.
Kur të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale mbyllen, protesta dhe veprimet sindikale mbesin mjeti i vetëm për të kërkuar të drejtën. Dhe në këtë rast, punëtorët e “Rilindjes” kanë të drejtën dhe arsyen të ngrihen në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtave të tyre të mohuara padrejtësisht.
Në një shtet demokratik, askush, as AKP-ja dhe as ndonjë institucion tjetër, nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin dhe mbi të drejtën e qytetarëve për të marrë atë që u takon me meritë dhe me djersë.


