
Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë
Në Universitetin Popullor Shqiptar, arbëreshët e Kalabrisë sollën këngët, historinë dhe shpirtin e një tradite që ka mbijetuar për më shumë se pesë shekuj.
Mbrëmja e 7 marsit 2026 në Gjenevë kishte një atmosferë të veçantë. Në sallën e Universitetit Popullor Shqiptar (UPA) u mblodhën shqiptarë nga treva të ndryshme për të përjetuar një takim të rrallë kulturor me arbëreshët e Kalabrisë – pasardhësit e shqiptarëve që u vendosën në Italinë jugore pesë shekuj më parë, duke marrë me vete gjuhën, këngët dhe kujtesën e Arbërisë.
Programi u hap me Himnin e Flamurit Kombëtar, i interpretuar me ndjenjë të veçantë nga sopranoja Fjolla Hiseni. Tingujt e himnit krijuan një moment solemn, duke bashkuar publikun në një ndjenjë të përbashkët përkatësie dhe krenarie.
Mbrëmjen e hapi dhe e moderoi Albana Krasniqi Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar. Në fjalën e saj ajo theksoi se kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një koncert, por një takim me historinë dhe identitetin.
Arbëreshët përbëjnë një nga diasporat më të hershme shqiptare. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, shumë shqiptarë u vendosën në jug të Italisë, ku krijuan komunitete që edhe sot ruajnë gjuhën dhe traditat e të parëve. Për më shumë se pesë shekuj ata kanë ruajtur një trashëgimi të gjallë kulturore, duke qenë njëkohësisht pjesë e shoqërisë italiane.
Pjesa e parë e aktivitetit u përqendrua në një debat mbi rëndësinë e gjuhës amtare dhe rolin e saj në ruajtjen e identitetit në diasporë.
Në këtë mbrëmje mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Ermal Dredha, i cili në fjalën e tij theksoi se historia e arbëreshëve është një shembull i rrallë i qëndresës kulturore dhe shpirtërore.
Ndërsa Zëvendëskonsullja e Kosovës në Gjenevë, Fjolla Haziri, ndau përvojën e saj personale si një shqiptare e lindur dhe e rritur në Zvicër, duke theksuar se gjuha shqipe mbetet ura më e fortë që lidh brezat me rrënjët e tyre.
Në diskutim kontribuoi edhe Leonard Ferati, mësues i arsimit special dhe anëtar i zgjedhur në Këshillin e Lartë të qytetit të Gjenevës. Ai foli për përvojën e tij me nxënësit shqiptarë në shkollat publike dhe theksoi se njohja e mirë e gjuhës amtare ndihmon drejtpërdrejt në suksesin e fëmijëve edhe në gjuhët e tjera.
Në këtë frymë u shpreh edhe Ilir Kurti, mësues dhe deputet në Këshillin e Qytetit të Gjenevës, i cili theksoi se gjuha e trashëguar është një pjesë e pandashme e identitetit kulturor të një populli.
Por kulmi i mbrëmjes erdhi në pjesën e dytë – programin artistik arbëresh.
Profesori Michele Greco, një njohës i përkushtuar i kulturës arbëreshe, e udhëhoqi publikun në një rrëfim të ndjerë mbi historinë e emigrimit të arbëreshëve dhe mbi mënyrën se si gjuha shqipe arriti të mbijetojë ndër breza, edhe pa shkolla dhe pa mbështetje institucionale.
Në Kalabri, theksoi ai, edhe sot ekzistojnë rreth 35 fshatra ku flitet arbërishtja, gjuha e të parëve që ruan në vetvete tingujt e vjetër të shqipes.
Mesazhi i tij për shqiptarët në diasporë ishte i thjeshtë dhe i fuqishëm: nëse arbëreshët kanë arritur ta ruajnë gjuhën për pesë shekuj, atëherë edhe shqiptarët e sotëm mund ta bëjnë këtë duke filluar nga familja.
Në skenë u ngjitën disa grupe artistike që sollën këngë dhe valle tradicionale arbëreshe:
- Grupi “Ocarina” nga Gjeneva
- Grupi “Gjaku i Arbërit” nga Frasnita
- Grupi “Këngëtarët e Motit” nga Ungra dhe Fërma (Itali)
Interpretimet e tyre sollën një atmosferë të gjallë dhe emocionuese. Çdo këngë ishte një rrëfim për historinë, jetën dhe kujtesën e një komuniteti që ka ruajtur me dashuri gjuhën e nënës.
Në fund të koncertit, kur u kënduan këngët shqiptare, publiku u bashkua spontanisht me artistët. Salla u kthye në një skenë të përbashkët ku kënga dhe emocionet bashkuan të gjithë të pranishmit.
Mbrëmja përfundoi mes përqafimeve, buzëqeshjeve dhe një ndjenje të fortë bashkimi. Ishte një mbrëmje që tregoi se, edhe larg atdheut, gjuha dhe kultura shqiptare vazhdojnë të jetojnë përmes njerëzve që i mbajnë gjallë me dashuri dhe përkushtim.
Në këtë mënyrë, për një mbrëmje të vetme në Gjenevë, Arbëria e vjetër dukej sikur kishte ardhur sërish mes nesh – në këngë, në fjalë dhe në kujtesën e përbashkët.
Më 9 mars 2026


