
Ibrahim Kelmendi, Gjermani
A ËSHTË KURTI MARIONETË KLANDESTINE E BEOGRADIT FASHISTOID?
Shumë e respektuara Mrikë!
Në pyetjen tënde insistuese pse unë po e “urrej” Kurtin, do të mundohem të përgjigjem për hir të respektit të ndërsjellë, por po të paralajmëroj se nuk kam kohë dhe energji të përgjigjem “shkurt e shqip”. Në fakt, para një jave kërkove përgjigje, por unë bëra sikur harrova se të premtova që do të përgjigjesha. Tani, kur më the se edhe djali 9-vjeçar ta ka shprehur habinë pse unë po e urrej Kurtin, po ndihem ekstra i obliguar të përgjigjem (sepse çka ka shpija, e tregon fëmija).
[1]
Dyshimi se Kurti është marionetë e Beogradit fashistoid e ka fillesën konkretizuese kur e mora vesh se ai, në korrik 1998, ishte kooptuar në “zyrën politike të UÇK-së” në Prishtinë – dhe se ai, bashkë me ekipin numerik të asaj zyre, tolerohej nga regjimi i Millosheviqit, ndërkohë që pjesëtarë të thjeshtë të UÇK-së vriteshin anembanë Kosovës, madje edhe në Shqipërinë londineze.
A nuk është logjike të ngrihet dyshimi mbi këtë tolerim të pashpjegueshëm, kur regjimi kriminal i Millosheviqit po luftonte mizorisht UÇK-në dhe po toleronte Kurtin & Co në Prishtinë – që të simulonin përfaqësues politikë të UÇK-së?! Po aq logjik është edhe dyshimi mbi “arrestimin” e Kurtit, pasi ai dezertoi nga “zyra politike e UÇK-së” më 2 mars 1999. RDB-ja (paraardhësja e BIA-s) duhet të ketë pasur frikë se mos marioneta Kurti mund të eliminohej “aksidentalisht” në Kosovë, ashtu siç e eliminuan profesorin Fehmi Agani. Po të isha vetë kryeshef i RDB-së (si Jovica Stanišić), do të përkujdesesha ekstra për një kuadër si Kurti – që mund të kishte sukses të madh në komplotime pas trajnimit profesional, siç kanë vepruar edhe me Hashim Thaçin.
Që atëherë e tutje e kisha vëmendjen ekstra ndaj angazhimeve të Kurtit (sepse “rastësia”, si e gjeti kurtin Rita e Oslos në burg të Serbisë, më ngjante si fragment nga filmat me spiunë të agjenturave sekrete).
[2]
Më 12 qershor 2005 përjetova një zemërim të madh: Kurti u arrestua nga UNMIK-u sepse kishte shkarravitur në murin e selisë së tyre në Prishtinë parullën: “Jo negociata – Vetëvendosje!”. Si revolucionar diletant – sepse kurrë nuk mësova të bëhem profesionist – menjëherë u nisa për të filluar grevën e urisë para burgut në Prishtinë, në shenjë proteste kundër arrestimit të Kurtit.
Teksa po ecja drejt burgut, më telefonoi Shemsi Reçica. Ai më kërkoi të takoheshim. I thashë se jam duke shkuar drejt burgut për të filluar grevën e urisë kundër arrestimit të Kurtit. Më luti ta prisja që të më bashkohej. E prita në zyrën e Muhamet Mavrajt, botuesit të “Epoka e Re”, i cili atëherë ishte bërë agjitprop vulgar i Kurtit.
Kur erdhi Shemsiu, biseduam për fillimin e grevës. Muhameti propozoi: “Po i telefonoj Albinit, meqë ende nuk ia kanë marrë telefonin celular. Ta pyesim a duhet bërë grevë urie?”. Kurti e kundërshtoi me arsyetimin: “Janë emra të afirmuar dhe mund të ma marrin LVV-në, duke qenë unë në burg…” (perifrazim). Ky qëndrim më zhgënjeu edhe më shumë. Me atë rast ia shqiptova kartonin e dytë të verdhë – kartonin virtual.
[3]
U angazhova në protestat që i çorganizonte Kurti kundër “bashkësisë ndërkombëtare”, sepse po më interesonte të kuptoja se çfarë qëllimi kishte. Shpejt u binda se ai synonte pengimin e privatizimeve, meqë Serbia ishte egërsuar kundër privatizimit, pasi pronat “shoqërore” në ish-KSA të Kosovës i kishte tjetërsuar në prona të firmave serbe gjatë viteve 1990-1997. Madje regjimi i Beogradit, gjatë luftës, kishte simuluar edhe shitjen e “Trepçës” një kompanie franceze, prandaj ushtria franceze e “pushtoi” Kosovën veriore, me pretekstin se do të mbronte Trepçën tashmë “franceze”.
[4]
Protestat eskaluan edhe kundër angazhimeve ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë shtetërore të Kosovës. Atë angazhim e pata kuptuar si skenar të përgatitur nga specialistët e BIA-s serbe, që të nervozohej “bashkësia ndërkombëtare” (SHBA & Co) dhe të pozicionohej kundër Kosovës, meqë tashmë ishte zgjeruar pendimi në Perëndim për bombardimet që NATO ia kishte bërë objekteve policore e ushtarake të Serbisë, në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.
Kurti atë angazhim komplotist, sidomos gjatë vitit 2007, e kamufloi me sloganin: “Jo negociata – vetëvendosje!”. Protestat i eskaloi në agresive, prandaj pati edhe viktima…
[5]
Meqë po bindesha se ato angazhime komplotiste të Kurtit & Co, kundër pavarësimit shtetëror të Kosovës me ndihmën e SHBA-ve & Co, kishin ndikim negativ, në vitin 2007 inicova një OJQ të emërtuar “Iniciativa qytetare shqiptare për pajtim me popullin serb”. Para se ta publikonim nismën, bashkë me shkrimtarin Adem Gashi shkuam te familja Jashari. Na mirëpritën. Nuk u deshën biseda të gjata, sepse Murat (Rifat) Jashari foli: “E keni përkrahjen tonë në këtë mision…”. Prej aty shkuam te Baca Tush (babai i Fehmi Lladrovcit). Edhe ai e kuptoi shpejt misionin tonë dhe shprehu gatishmërinë për përkrahje. Kam takuar Bacën Halit Konushevci, Bacën Qerim Pajaziti, Bacën Hilmi Haradinaj dhe personalitete të tjera që kishin sakrifikuar shumë për çlirimin e Kosovës. Gjithandej vetëm përkrahje.
Publikuam informacionin për formimin e Nismës shqiptare për pajtim me popullin serb në shqip, serbisht dhe anglisht. U surprizuam nga jehona e shpejtë deri në SHBA. Edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd na dërgoi e-mail për të marrë informacion nëse e kishim sinqerisht. Më ftoi të shkoja në Beograd për ta prezantuar nismën para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Drejtësisë. E pata këshilluarvt’i pyeste institucionet nëse mund të shkoja pa rrezik arrestimi. Pas dy ditësh më luti të dërgonim dikë tjetër…
Nisma e kishte surprizuar Kryeministrin Agim Çeku dhe Kryetarin e Kuvendit, Kolë Berisha. Na pritën në takime për të na inkurajuar dhe për të na treguar ndikimin ndërkombëtar të kësaj nisme edhe në bisedimet në Vjenë.
Nismëtarë ishin:
Adem Gashi / shkrimtar (i ndjerë),
Prof. Dr. Martin Berishaj / politolog,
Daut Demaku / shkrimtar,
Vlora Nikçi / aktore,
Prof. Dr. Hamit Boriçi,
Prof. Dr. Lekë Sokoli,
Berat Luzha / parlamentar,
Dr. med. Elizabeta Biblekaj,
Dritan Lajçi,
Reshat Sahitaj / shkrimtar,
Mehmet Prishtina / politolog,
Dr. Safet Merovci / ekonomist,
Mr. Hajdin Abazi (Lum Haxhia) / politolog,
Sylë Zhitia / politolog,
Mr. Xhafer Syla / informatikë,
Kadri Ipek / stomatolog,
Dr. med. Shaip Muja,
Bexhet Mehmeti / biznesmen,
Ibrahim Kelmendi,
dhe të tjerë bashkëkombës.
[6]
Ndërkohë pata përjetime nga bisedat me djalin e Sadri Ramabajës, me djemtë e Xhemile dhe Avni Deharit, dhe të tjerë, sepse ata manifestonin agresivitet të shtuar në protestat kundër UNMIK-ut dhe KFOR-it, të cilat u shoqëruan me viktimizimin e Mon Balajt dhe Arben Xheladit (më 7 shkurt 2007). Këto dhe veprime të tjera me natyrë komplotiste më shtynë t’ia jap Kurtit edhe kartonin e kuq virtual.
Që nga ajo kohë e “kryqëzova” si marionetë klandestine të BIA-s, e cila po e kundërshtonte me dhunë tejet agresive procesin e negociatave ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Në vend që të gëzohej për faktin se pas çlirimit, me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ishte caktuar Martti Ahtisaari – ish-president i Finlandës – për të udhëhequr negociata për satus të Kosovës, Kurti po terrorizonte ndërkombëtarët dhe qytetarët e Kosovës që të mos ndodhnin ato negociata.
Ishte hera e parë në histori që Kosova po ngrihej në subjektivitet ndërkombëtar dhe po përparonte drejt shtetësisë, ndërsa Kurti & Co e kundërshtonin këtë me agresivitet edhe paramilitar.
[7]
Ato angazhime agresive e komplotiste të Kurtit & Co shoqëroheshin edhe me veprime që Kosova të mos zhvillohej ekonomikisht në mënyrë të përshpejtuar dhe fitimprurëse, sidomos në sektorin energjetik dhe të mineraleve në kuadër të Trepçës. Prandaj ai ishte përherë kundër ngritjes së termoelektranave – për të prodhuar rrymë elektrike për nevojat vendore, por edhe për eksport – megjithëse ato ishin shans shumë favorizues për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të Kosovës. Ky angazhim i atëhershëm dhe i vazhdueshëm ka krijuar krizën aktuale të furnizimit me energji elektrike.
Atëherë nuk e dija se Kurti, në vitin 2021, e kishte kapur edhe ZRRE-në (Zyrën e Rregullatorit të Energjisë), për ta legalizuar kriminalitetin energjetik në Kosovë nga ndërmarrje të përbashkëta kriminale serbe (që komandohen nga Vuk Amoviq dhe djali i Rankoviqit famoz, siç e kam dëgjuar ta thotë vet Kurti, kur ishte në opozitë).
[Vijon]
- Mendimet që i përmbanë kjo përgjigje në vazhdime e shkrimtarit politik Ibrahim Kelmendi, nuk i përfaqësojnë mendimet e Redaksisë së Drinit, që është neutral rreth mendimeve të tilla, andaj kushdo që ka për të thënë të kundërten, lutet që të shkruaj.


