ARKIVI:
10 Mars 2026

Mendime rreth librit më të ri të Nafi Çegranit, “Platforma e Strategjisë Kombëtare Shqiptare”

Shkrime relevante

Sulmi i frymëzuar nga ISIS pranë shtëpisë së Mamdanit në Nju Jork

Hans Rustad / Document.no Policia ndalon Emir Balatin pasi ai u përpoq...

A janë të detyruar deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim?

Prof. Dr. Kolë Krasniqi, ekspert i sigurisë, Pejë Sipas Kushtetutës së Republikës...

Fillimi i fundit të perandorisë politike kurtiane

Agron Mani, Ferizaj A është sot Vjosa Osmani vaksina kundër përhapjes së...

Të drejtat e gruas jashtë botës perëndimore: regresi ligjor dhe beteja për të drejta njerëzore edhe pas 8 Marsit

Shqipe Bytyçi, poete, Zvicër Të drejtat e grave nuk janë vetëm çështje...

A është Kosova republikë, apo juristokraci, pyetja është tani…?

Agim Vuniqi, Vashington “Juristokracia i referohet një sistemi qeverisjeje ku gjyqtarët e...

Shpërndaj

Nga:  Bajram  Kabashi

  • Rreth librit të Nafi Çegranit “Platforma e Strategjisë Kombëtare Shqiptare”

Fjala e Redaktorit

Vetë titulli i këtij libri – “Platforma e Strategjisë Kombëtare Shqiptare” – është një thirrje që të ndal, të reflektosh dhe të përfshihesh. Ai tërheq lexuesin e kujdesshëm shqiptar kudo në botë, jo thjesht si një fjalë e bukur, por si një sinjal i brendshëm, një shkundje e ndërgjegjes kolektive. Kjo thirrje është njëkohësisht e ëmbël dhe e dhimbshme: e ëmbël, sepse të jep shpresë për një horizont të ri kombëtar; e dhimbshme, sepse ngjall kujtimet e gjata të vuajtjeve, humbjeve dhe padrejtësive të një populli që ende e kërkon vendin e vet të merituar në tryezën e historisë evropiane.

Çështja shqiptare mbetet një nga nyjet më të ndërlikuara të historisë së Ballkanit modern. E lënë pezull nga kancelaritë evropiane që nga Kongresi i Berlinit (1878), i deformuar në mënyrë tragjike nga Traktati i Shën Stefanit dhe i coptuar në mënyrë arbitrare nga Kongresi i Londrës (1913), kombi shqiptar u gjend i shpërndarë në disa shtete, i gjymtuar në trupin e tij natyror dhe i ndarë në disa realitete politike që vijojnë ende sot. Ky fat historik nuk ishte vetëm rezultat i pazareve të Fuqive të Mëdha, por edhe i mungesës së një strategjie të mirëfilltë kombëtare që të kanalizonte energjinë e kombit drejt një vizioni të përbashkët.

Ky libër nuk është një rrëfim i zakonshëm. Ai është dëshmi dhe vizion. Autori i tij nuk shkruan nga katedra e një shkencëtari të qetë, por nga thellësia e shpirtit të një njeriu që ka përjetuar burgun, dhunën dhe persekutimin. Pikërisht ky fat e bën fjalën e tij më të ngarkuar me peshë, më të vërtetë dhe më të besueshme. Ai i është qasur temës jo si një njeri i jashtëm, por si një dëshmitar që ka bartur mbi supet e veta barrën e historisë.

Për të kuptuar të tashmen e kombit shqiptar dhe për të ndërtuar strategjinë e së ardhmes, është e domosdoshme të shkojmë te rrënjët, te fillesat e ekzistencës sonë. Nuk mund të flasim për fatin e sotëm të një populli pa i përkujtuar themelet mbi të cilat ai është ngritur, themele që burojnë nga thellësia e historisë së lashtë ilire.

Shqiptarët janë bijtë e Ilirisë – një truall i shtrirë nga brigjet e Adriatikut e deri në Danub, nga Alpet e Veriut deri në brigjet e Egjeut. Ilirët ishin popull i lirë, luftarak dhe krijues. Ata ngritën qytete, ndërtuan mure e kulla, gdhendën simbole e shenja që flasin ende për vitalitetin e tyre. Në rrjedhën e shekujve, edhe kur u përplasën me Romën, ata nuk u zhdukën, por u bënë pjesë e saj, duke mbijetuar në gjuhë, zakone dhe në vetë frymën e qëndresës.

Nga kjo lashtësi rrjedh edhe gjuha jonë – një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit, një gjuhë që ka mbajtur gjallë kujtesën e një kombi të tërë. Në të janë ruajtur tingujt e kohërave të para, këngët e maleve dhe të fushave, psherëtimat e sakrificave dhe britmat e fitoreve. Gjuha shqipe është dëshmi e pavdekshme se shqiptarët nuk janë ardhacakë, por autoktonë në këtë truall, të lidhur me tokën dhe me gurin e saj.

Por lashtësia jonë nuk është vetëm krenari; ajo është edhe përgjegjësi. Sepse të jesh pasardhës i një populli që ka dhënë jetë, kulturë dhe qëndresë, do të thotë të mbash mbi supe një amanet të madh: të mos lejojmë që kjo trashëgimi të tretet në harresë.

Në shekuj, shqiptarët kanë trashëguar nga ilirët një tipar që i ka bërë të mbijetojnë përballë stuhive të historisë: qëndresën. Një popull që e do lirinë dhe e mbron atë, edhe kur paguan me gjak. Një popull që nuk zhduket, sepse është i lidhur me rrënjët e veta si lisat e thellë të maleve tona.

Dhe prandaj, përballë furtunave të sotme, është e domosdoshme t’i rikthehemi kësaj trashëgimie. Sepse ajo na kujton se nuk jemi të rastësishëm në këtë truall, nuk jemi popull i ardhur nga diku tjetër, por bij të kësaj toke që ka parë lindjen dhe rënien e shumë perandorive, ndërsa ne kemi mbetur këtu, të lidhur me gjakun dhe kujtesën tonë.

Çdo popull i madh ka pasur një çast kur ka ndjerë nevojën për një platformë – një pikë orientimi që t’i japë formë dhe drejtim energjisë së shpërndarë të kombit. Për shqiptarët, një platformë e tillë nuk është luks intelektual, por domosdoshmëri jetike. Pa të, rrezikohet harresa, fragmentimi, tretja në vorbullën e interesave të huaja. Me të, kombi fiton busullën për të ecur përpara, duke e njohur vetveten dhe duke e mbrojtur hapësirën e vet shpirtërore e territoriale. Mesjeta për shqiptarët ishte një kohë përplasjesh të mëdha. Trojet tona, të vendosura në zemër të Ballkanit, qenë gjithmonë udhëkalime të perandorive që ndesheshin për pushtet: Bizanti, Venediku, Serbia mesjetare, Bullgaria, dhe mbi të gjitha, Perandoria Osmane që vinte si furtunë nga Lindja.

Në këtë epokë të rrezikshme lindi një figurë që do ta ngrinte emrin e shqiptarëve mbi malet dhe detet, duke e bërë të dëgjohej në tërë Europën: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai nuk ishte thjesht një princ shqiptar që ngriti krye kundër pushtuesit, por një vizionar që e kuptoi se liria nuk ka çmim dhe se identiteti i një populli nuk mund të shuhet me dhunë.

Për një çerek shekulli, Skënderbeu qëndroi si mburojë e Shqipërisë dhe e Europës. Kështjella e Krujës, nën udhëheqjen e tij, u bë simbol i pathyeshmërisë. Ushtritë osmane, që deri atëherë kishin pushtuar qytet pas qyteti, u ndalën përballë një kombi të vogël që kishte gjetur forcën të bashkohej.

Por vepra e Skënderbeut nuk është vetëm ushtarake. Ajo është mbi të gjitha shpirtërore dhe identitare. Ai tregoi se shqiptarët, edhe pse të ndarë në krahina dhe fe, mund të bëhen një, të bashkohen për një qëllim të madh: mbrojtjen e atdheut. Ky është mësimi që sot, pas pesë shekujsh, duhet të na udhëheqë: se uniteti është arma më e fortë e një kombi të vogël.

Skënderbeu e bëri Shqipërinë pjesë të hartës politike dhe shpirtërore të Europës. Nga Vatikanit në Napoli, nga Vjena në Madrid, emri i tij u përmend me respekt. Ai u quajt “Atleti i Krishtërimit”, por mbi të gjitha mbeti Hero i shqiptarëve, sepse i dha kombit tonë një figurë të pavdekshme që mishëron guximin, mençurinë dhe besnikërinë ndaj tokës së vet.

 

Autori e ndërton këtë platformë me vetëdije të plotë dhe me një bindje të thellë se historia dhe diplomacia e botës së civilizuar nuk mund të anashkalojnë më të vërtetën shqiptare. Ai nuk flet vetëm për një komb të vogël në dukje, por për një racë të lashtë në Gadishullin Ilirik, e cila ka qenë gjithmonë pjesë e rrënjëve të Evropës. Ky libër, pra, është edhe një apel moral ndaj botës: të njihet jo vetëm e drejta, por edhe nevoja ekzistenciale e shqiptarëve për unitet, liri dhe zhvillim.

… Pas shekujve të errësirës mesjetare dhe të përballjes me pushtues të ndryshëm, kombi shqiptar filloi të ndriçohej nga një epokë e re e vetëdijes dhe e ringritjes: Rilindja Kombëtare. Kjo ishte koha kur shqiptarët kuptuan se gjuhë, shkollë, kulturë dhe bashkim politik janë shtylla mbi të cilat mbahet një komb i lirë.

Në këtë periudhë, figura të mëdha dolën nga terri i harrimit për të ndriçuar rrugën e kombit. Naum Veqilharxhi, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Pashko Vasa dhe shumë të tjerë u bënë pishtarë të ndriçimit. Ata kuptuan se alfabeti dhe gjuha janë instrumente të fuqishme për të ndërtuar identitetin. Alfabeti shqip nuk është thjesht një mjet komunikimi; ai është shenjë e ekzistencës, e vetëdijes dhe e krenarisë kombëtare.

Lidhja e Prizrenit, e themeluar më 1878, është kulmi i këtij procesi. Ajo nuk ishte thjesht një organizatë politike, por shprehje e vetëdijes së një populli të bashkuar për të mbrojtur truallin dhe të drejtat e veta. Shqiptarët, përballë Traktatit të Berlinit dhe planeve të fqinjëve për copëtimin e trojeve, ngritën një platformë të bashkuar që kishte për synim mbrojtjen e kufijve dhe krijimin e një identiteti politik të konsoliduar.

Në këtë periudhë shfaqet edhe një element i rëndësishëm: ndjenja e detyrës kombëtare dhe e sakrificës personale. Shqiptarët e Rilindjes nuk kërkonin thjesht lavdi për veten; ata punonin për kombin, për një Shqipëri të bashkuar dhe të lirë. Ky mesazh ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe sot: është kujtesa që na mëson se nuk ka të ardhme pa përgjegjësi dhe pa përkushtim ndaj kombin.

Përmes shkollës, gazetës, librave dhe manifestimeve publike, rilindësit e shqiptarëve ngritën ndërgjegjen e popullit. Ata krijuan ura midis trojeve të ndara, duke i mbajtur gjallë shpresën se një ditë Shqipëria do të ishte e bashkuar dhe e lirë. Ky është tributi më i madh ndaj historisë së kombit tonë: aftësia për të ruajtur identitetin dhe për të përgatitur rrugën për pavarësinë, pavarësisht pengesave të shumta.

Lidhja e Prizrenit mbetet edhe sot simbol i bashkimit dhe qëndresës kombëtare, një kujtesë se shqiptarët kanë fuqi të veçantë për të mbrojtur truallin dhe dinjitetin e tyre, kur bashkohen për një kauzë të drejtë. Përmbajtja e librit që po shpalosim pasqyron pikërisht këtë frymë: forcimin e vetëdijes njerëzore dhe ndërtimin e strategjisë që bën të mundur një unitet kombëtar…

Viti 1912 është një faqe e ndritshme në historinë shqiptare. Pas shekujsh nën pushtimin osman dhe përpjekjeve të pafundme për të mbajtur gjallë identitetin kombëtar, shqiptarët ngritën zërin dhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Në qytetin e Vlorës, më 28 nëntor, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar, duke vulosur ëndrrën shekullore të rilindësve dhe duke dhënë mesazhin se shqiptarët janë zotër të fatit të vet.

Ky moment nuk erdhi rastësisht. Ai ishte rezultat i një rrugëtimi të gjatë të popullit shqiptar, i mbushur me sakrifica, kryengritje dhe plane politike të guximshme. Shqiptarët e kohës nuk mund të shihnin pavarësinë si një dhuratë të dhënë nga fuqitë e mëdha; ata e kuptonin se duhet të fitohej dhe të mbrohej me çdo mjet.

Figura e Ismail Qemalit nuk është thjesht ajo e një politikanit; ai është simbol i mençurisë, diplomacisë dhe guximit që kërkohet për të ndërtuar shtet. Ai dinte të bashkonte krahinat, të menaxhonte interesat e ndryshme dhe të përballonte presionin e fuqive të mëdha që shpesh nuk e shihnin shqiptarët si partnerë të barabartë.

Por shpallja e Pavarësisë nuk ishte fundi i sfidave. Shqiptarët, ndërkohë që ngrinin flamurin e lirisë, u përballën menjëherë me sfida të mëdha: fqinjët e dëshironin copëtimin e vendit, fuqitë europiane shpesh vepronin për interesa të tyre, dhe trualli ynë i vogël ishte ende i ndarë në pjesë që kërkonin bashkim politik dhe administrativ. Në këtë kontekst, pavarësia nuk ishte e garantuar, ajo duhej mbrojtur çdo ditë me diplomaci, me mençuri dhe me unitet.

Kjo periudhë na mëson një mësim të rëndësishëm: çdo fitore, edhe kur duket e madhe, kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vazhdueshëm. Shqiptarët duhet të kuptojnë se historia nuk mbaron me një akt simbolik; ajo vazhdon në çdo përpjekje për të ruajtur kufijtë, dinjitetin dhe sovranitetin e shtetit.

Gjate Luftës së Parë Botërore, trojet shqiptare u pushtuan pjesërisht nga forcat austro-hungareze, italiane, franceze dhe greke. Popullsia e shqetësuar për humbjen e identitetit dhe të tokës së vet, organizoi rezistencë të heshtur dhe shpesh të armatosur. Në Veri, Malësorët e Shkodrës dhe të Dukagjinit mbajtën malet dhe fshatrat, duke treguar se shqiptarët nuk u përkulën para pushtuesve, edhe kur ishin më të fuqishëm.

Në këtë periudhë u shfaqën edhe figura të reja që do të mbajnë gjallë shpresën kombëtare. Luigj GurakuqiFan Noli dhe Ahmet Zogu ishin disa nga ata që përpiqeshin të ruanin unitetin politik, të mbështetur mbi një vizion të qartë për Shqipërinë dhe kombin. Ata kuptuan se pavarësia e shpallur në Vlorë nuk mjaftonte, dhe se mbijetesa kërkonte një përpjekje të përhershme, të organizuar dhe strategjike.

Lufta e dytë botërore solli sfida edhe më të mëdha. Shqipëria u pushtua nga Italia dhe më pas nga Gjermania naziste, duke e kthyer vendin në një zonë të nxehtë të konfliktit. Populli shqiptar, i ndarë midis qyteteve dhe maleve, zhvilloi një rezistencë të pazakontë. Në Shqipërinë e Veriut dhe të Jugut u formuan brigada partizane dhe grupe të rezistencës, që mbajtën gjallë shpresën për liri dhe identitet kombëtar.

Por jo vetëm betejat ushtarake ishin vendimtare; identiteti kulturor dhe i gjuhës mbeti një armë e fuqishme për popullin. Shkolla, kisha, xhamia dhe organizatat kulturore u bënë mburoja e shpirtit shqiptar, që nuk mund të shuhej as nga dhuna më e madhe.

Këto vite të trazuar na mësojnë një mësim të qartë: mbrojtja e një kombi nuk është thjesht detyrë politike, por një përpjekje e përditshme, që kërkon sakrificë, unitet dhe dashuri të thellë për tokën. Historia e shqiptarëve në Luftërat Botërore është dëshmi se gjaku i çdo brezit ka derdhur themelet e lirisë dhe mbijetesës së kombit, duke i dhënë sot secilit prej nesh një amanet të shenjtë: të mbajmë gjallë identitetin dhe të planifikojmë të ardhmen me vizion dhe përgjegjësi.

…Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ra nën hijen e një regjimi totalitar komunist, i cili pretendonte të ringrinte vendin, por në të vërtetë e ktheu atë në një labirint frike dhe përndjekjesh. Çdo hap, çdo fjalë dhe çdo mendim mund të ndiqej dhe ndëshkohej. Shqipëtarët përballeshin jo vetëm me sfidat e pasluftës, por edhe me dhunën dhe arbitraritetin e sistemit që kërkonte të kontrollonte gjithçka: mendjen, shpirtin dhe historinë. Në këtë periudhë, figura të panumërta të kombit u dënuan, u burgosën, u internuan ose u pushkatuan për shkak të dashurisë së tyre për Atdheun. Shkencëtarë, intelektualë, patriotë dhe liderë të vjetër të lëvizjes kombëtare u bënë viktima të një sistemi që nuk njihte kompromis për ata që mendonin ndryshe. Por, edhe nën këtë shtypje, shpirti i shqiptarëve nuk u thye. Familjet, fshatrat dhe qytetet mbajtën gjallë traditën, gjuhën dhe kujtesën kombëtare.

Periudhat  e errët të epokave historike na mësojnë se vetëdija kombëtare është një thesar që nuk mund të shkatërrohet me dhunë. Sa më shumë që regjimi përpiqej ta shuante, aq më shumë shqiptarët e ruanin brenda vetes të vërtetën e tyre historike dhe identitetin kombëtar. Kjo rezistencë shpirtërore është baza mbi të cilën sot mund të ndërtojmë strategjinë kombëtare dhe të forcojmë dinjitetin e Atdheut.

Sot, më shumë se kurrë, përballë një bote të globalizuar dhe të përfshirë nga interesa të mëdha gjeopolitike, shqiptarët kanë nevojë për një Strategji Kombëtare që të shërbejë si busull, si vizion dhe si instrument për të çuar përpara procesin e bashkimit të trojeve etnike dhe integrimin e tyre në një trup të vetëm politik e kulturor. Kjo nuk është thjesht një çështje patriotike, por një domosdoshmëri historike, juridike dhe shoqërore që lidhet me vetë ekzistencën e kombit.

Në dekadat e fundit, faktori patriotik, intelektual dhe politik shqiptar ka artikuluar shpesh nevojën për një platformë të përbashkët. Megjithatë, mungesa e kohezionit, individualizmi politik, varësia nga qendrat e jashtme të vendimmarrjes dhe përdorimi i metodologjive të huaja (sidomos sipas modelit ideologjik të Lindjes) kanë penguar krijimin e një drejtimi të qartë. Çështja shqiptare nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve apo kompromiseve të dhimbshme; ajo kërkon strategji afatgjatë, shkencore dhe të mirëorganizuar.. Dimensioni historik dhe juridik

Shqiptarët nuk kërkojnë diçka që u takon të tjerëve; ata kërkojnë atë që u është marrë padrejtësisht. Dokumentet ndërkombëtare, vendimet arbitrare të kongreseve diplomatike dhe ndarjet territoriale të imponuara mbi trojet shqiptare janë dëshmi e një padrejtësie historike. Një strategji kombëtare duhet të ngrihet mbi bazën e së drejtës natyrore dhe juridike të vetëvendosjes, e sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare. Kjo e drejtë është e pashlyeshme dhe duhet të artikulohet me gjuhë moderne në çdo instancë ndërkombëtare.

Shoqëria shqiptare ka nevojë për një transformim të thellë. Duhet thyer logjika e inferioritetit dhe e pajtimit me gjysma-zgjidhje. Historia na ka mësuar se sakrificat pa vizion kanë sjellë gjakderdhje, burgosje, mërgim, por jo zgjidhje përfundimtare. Prandaj, Strategjia Kombëtare duhet të mbështetet mbi një shkollë të re mendimi kombëtar që ndërthur traditën e Rilindjes Kombëtare me realitetin modern të shekullit XXI.

Politika shqiptare nuk mund të mbetet peng i interesave partiake dhe i cikleve zgjedhore. Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duhet të funksionojë mbi një doktrinë të qartë shtetërore kombëtare, që të mos shfaqet e ndarë përpara faktorëve ndërkombëtarë, dhe të hapet rruga drejt një procesi të drejtë politik për bashkimin kombëtar.

Lexues i dashur, duke hapur këtë libër, ti nuk po lexon vetëm fjalët e një autori, por po dëgjon zërin e një kombi që kërkon të gjejë veten në rrugëtimin e gjatë të historisë. Dhe ky zë, sa herë që ngrihet nga dhimbja, aq më shumë shndërrohet në shpresë, siç shkruan autori.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu