FJALA E AUTORIT
(për librin “Platforma e strategjisë Kombëtare shqiptare”)
1. Hyrje meditative
Unë , Nafi Çegrani, jam shqiptar i lindur dhe i rritur në truallin e Çegranit, atje ku mali, gjuha dhe krenaria përbëjnë kodin gjenetik të qenies shqiptare. Jeta ime nuk ka qenë as e lehtë, as e heshtur. Kam kaluar vite të errëta burgjesh në ish-Jugosllavi, në kushte skëterrë, si shumë bij të kombit tim, vetëm për faktin se kisha guximin të mendoja shqip, të flisja shqip, të besoja në një tërësi kombëtare shqiptare.
Që nga ato ditë të gjata në errësirën e qelive, deri më sot, unë nuk kam ndaluar së menduari, së reflektuari dhe së shkruari mbi fatin e copëzuar të kombit tonë. Ndarjet na i bënë të huajt, por harresën nuk guxojmë të ia bëjmë vetes. Çdo shqiptar që ndien e mendon si i tillë, ka detyrimin të ngrejë zër, të lëvizë, të veprojë.
Në fillim të çdo libri që synon të shndërrohet në udhërrëfyes të një kombi, është e domosdoshme të qëndrosh një çast në heshtjen e ndërgjegjes. Sepse nuk shkruajmë për fjalë të zbrazëta, por për një thirrje që del nga thellësia e gjakut dhe kujtesës së popullit tonë.
Nuk është lehtë të mbash ngritur zgjedhjen e çështjes shqiptare për Komb dhe Atdhe të bashkuar e të lirë. Ky është një mision që nuk lind nga dëshirat e thjeshta të njeriut, por nga ndjenja e thellë e ngulitur në dejt e gjakut njerëzor, nga zëri i brendshëm që thërret brez pas brezi dhe nuk shuhet kurrë. Është një thirrje që vjen nga thellësitë e historisë, nga sakrificat e atyre që ranë, nga kujtimi i nënave që i përcollën bijtë në beteja, nga plagët e burrave dhe nga lotët e grave e fëmijëve.
2. E kaluara historike
Historia e shqiptarëve është një epope që shtrihet nga lashtësia ilire e deri në kohët tona. Është një kalvar i gjatë vuajtjesh dhe kryengritjesh, një udhë e mbushur me gjak e lot, por edhe me këngë e krenari. Në çdo kohë kemi qenë përballë fuqive të mëdha e të padrejta, të cilat na kanë parë si pengesë, si gur të pathyeshëm në rrugën e tyre për pushtime dhe sundime. Dhe megjithatë, kemi mbetur këtu – të vegjël në numër, të copëtuar në troje, por të pathyeshëm në shpirt.Në çdo periudhë, populli ynë është përballur me dy forca: me të huajin që ka dashur ta pushtojë dhe ta nënshtrojë, dhe me vetveten që ka dashur të mbijetojë e të qëndrojë.
Nga kohët e lashta, ilirët ngritën mbretëri dhe qytete, lanë gjurmë në gurë dhe lumenj, ndërsa pasardhësit e tyre, shqiptarët, mbajtën gjallë një gjuhë të lashtë që u bë urë e jetës. Në mesjetë, trojet shqiptare u përfshinë në vorbullën e perandorive, por gjithmonë u ringrit një zë që thoshte “jemi këtu, dhe nuk do të shuhemi”.
Rilindja Kombëtare ishte një shkëndijë që ndezi mendjen e kombit tonë dhe na mësoi se liria nuk dhurohet, por merret me sakrificë. Shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 ishte kurorë e kësaj sakrifice, por edhe fillim i një dhimbjeje të re: copëtimi i trojeve, padrejtësia e Fuqive të Mëdha, ndarja e një trupi të gjallë që nuk pranoi të vdiste.
3. Epoka e dhimbjeve moderne
Shekulli XX ishte një shekull përplasjesh të mëdha për shqiptarët. Luftërat botërore, pushtimet, diktaturat, shpërnguljet e dhunshme dhe dhuna e organizuar nga fqinjët kundër popullit tonë lanë plagë të thella.
Nuk ka familje shqiptare që nuk bart një kujtim dhimbjeje: djem të rënë në front, fshatra të djegura, gra e fëmijë të shpërngulur me dhunë, burgje që mbusheshin me trima e mendimtarë. Por nga këto errësira doli edhe një mësim i madh: se populli shqiptar nuk mund të zhduket, sepse ai di të ngrihet pas çdo rënieje, të mbijetojë edhe në kushte të pamundura.
… Në qelitë e errëta të burgjeve të ish-Jugosllavisë, ku dënohej jo krimi, por fjala dhe vetë identiteti shqiptar, mendja ime shpesh endet në pyetjen e madhe: Pse jemi copëzuar? Pse një komb me një gjuhë, një gjak, një shpirt, të mbetet i ndarë si mish i sakatuar në tavolinën e fuqive të mëdha?
4. Gjendja e tanishme
Sot, shqiptarët jetojnë të shpërndarë në disa shtete, të përballur me sfida të brendshme dhe të jashtme. Shpesh duket sikur jemi një popull në udhëkryq: me një këmbë në shekullin e kaluar, të mbushur me plagë, dhe me tjetrën në të ardhmen, të mbushur me ëndrra.
Fqinjët tanë, me politika të vjetra armiqësore, ende ushqejnë plane e ambicie për të dobësuar qenien tonë. Bota, e përfshirë në rrëmuja dhe interesa të mëdha, shpesh nuk sheh me syrin e drejtësisë tek shqiptarët. Dhe ne, të vegjël në numër dhe të brishtë në zhvillim, përballemi me një det të trazuar ku çdo valë kërcënon të na fundosë.
Por, përballë furtunave, shqiptarët kanë treguar se dinë të notojnë. Dhe ky libër është një thirrje që kjo notë të mos jetë vetëm instinkt mbijetese, por strategji e vetëdijshme për të ecur përpara.
5. Populli shqiptar përballë furtunave
Në histori, balli i popullit tonë është rrahur nga breshëria e furtunave të mëdha: invazionet, copëtimet, tradhtitë e aleancave ndërkombëtare. Por, si mali që nuk thyhet nga rrufeja, edhe shqiptarët nuk janë thyer.
Në çdo periudhë, ata kanë ngritur figura të mëdha që u bënë pishtarë: Skënderbeu, Naimi, Ismail Qemali, Adem Jashari e shumë të tjerë. Ata janë dëshmi se një komb i vogël në numër, por i madh në shpirt, mund t’i bëjë ballë edhe perandorive më të mëdha.

6. Rruga drejt një të ardhmeje
Ky libër synon të vendosë themelet e një strategjie kombëtare shqiptare. Nuk është vetëm analizë e së kaluarës, por edhe udhëzues për të ardhmen. Sepse kombi ynë nuk ka nevojë vetëm të kujtojë dhimbjet, por të ndërtojë shpresat.
Kjo strategji kërkon:
Unitet kombëtar, përtej kufijve politikë.
Zhvillim ekonomik, që të mos mbetemi peng i varfërisë.
Arsim e kulturë, si themel i një identiteti të fortë.
Vetëdije historike, që të mos harrojmë kush jemi.
Bashkëpunim ndërkombëtar, që të jemi pjesë aktive e botës. Ky libër, nuk është vetëm një vepër për t’u lexuar, por një manifest për t’u ndjerë. Ai është fryt i mendimit të gjatë e të dhimbshëm mbi fatin e kombit tonë, mbi sakrificat që kemi bërë dhe mbi sfidat që ende na presin. Përmbajtja e tij synon të shtojë forcën dhe besimin e çdo shqiptari, për ta bërë të ndihet se nuk është vetëm, se nuk është i humbur, por se është pjesë e një kombi të madh, me një mision të shenjtë.Në të janë gërshetuar kujtimet e së kaluarës, realitetet e tanishme dhe horizontet e së ardhmes.


