
Saim Tahiraj, Cyrih
I nderuari konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha,
I nderuari ambasador i Republikës së Kosovës z.Mentor Latifi
Të nderuar përfaqësues të Muzeut Kombëtar, zotërinj Besnik Rraci dhe Sadik Krasniqi,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Dredha
Të nderuar të pranishëm,
Kam nderin e veçantë që, në emër të SHBK “Salih Çekaj” në Zvicër, t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj sinqerisht për pjesëmarrjen tuaj në hapjen e kësaj ekspozite, kushtuar njërit ndër figurat më të shquara të lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi – prof. Fehmi Aganit.
Kjo ekspozitë, së bashku me katalogun shoqërues, është e treta me radhë, pas atyre kushtuar presidentit Rugova dhe komandantit Salih Çekaj.
Me të, përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i historikut të veprimtarisë së këtij trinomi të jashtëzakonshëm, i cili në vetëdijen kombëtare njihet si filozofia politike e quajtur RUGOVIZËM.
Ekspozita e parë solli para nesh politikën e jashtme, diplomacinë dhe organizimin politik të brendshëm që udhëhoqi presidenti Rugova.
E dyta pasqyroi rezistencën e armatosur, aksionet guerile dhe luftën e hapur në Kosovë përmes figurës qendrore të komandant Salih Çekaj.
Ndërsa kjo e sotmja e plotëson këtë mozaik, duke paraqitur koordinimin e këtyre dy shtyllave – një koordinim që në mënyrën më të përkryer e mishëroi inteligjenca e rrallë politike e prof. Fehmi Aganit.
Sot, para nesh qëndron e plotë tabloja e këtij trinomi të famshëm. Një filozofi politike që përfshin gjithçka: politikë dhe diplomaci, rezistencë aktive dhe të armatosur, aksione guerile, shtetformim e shtetndërtim në kushte okupimi, si dhe luftën e hapur për liri. Kjo nuk ishte rastësi – ishte vizion, ishte strategji, ishte edhe një lloj profecie historike që udhëhoqi popullin shqiptar drejt fitores në rrethana tejet të vështira.
Pikërisht kjo tërësi e bën të merituar emërtimin RUGOVIZËM – një filozofi politike që solli lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Këto tri ekspozita, të shoqëruara me katalogë, hedhin poshtë në mënyrë të qartë çdo propagandë që e ka paraqitur Rugovën në mënyrë të njëanshme, si thjesht paqësor dhe kundër luftës.
Shumë studiues kanë shkruar për Rugovën, por rrallëkush ka pasur guximin të trajtojë tërësinë e kësaj filozofie – përfshirë edhe rezistencën e armatosur dhe luftën çlirimtare si pjesë të pandashme të saj. Është hera e parë që kjo tablo paraqitet e plotë, falë punës së palodhur të Besnikut dhe Sadikut.
I përgëzoj dhe i falënderoj nga zemra për guximin intelektual, përkushtimin dhe korrektësinë, si dhe për bashkëpunimin e sinqertë me SHBK “Salih Çekaj” në Zvicër. Po ashtu, shfrytëzoj këtë rast që, në emër të kryesisë, të shpreh mirënjohjen time dhe falëmnderimin për konsullin e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, dhe bashkëpunëtorët e tij, për gatishmërinë dhe përkushtimin në realizimin e kësaj ekspozite, si dhe për bashkëpunimin korrekt dhe të vazhdueshëm me shoqatën Salih Çekaj në Zvicër.
Lavdi veprës kolosale të prof. Fehmi Aganit!








Mirëdita Saim
Të përgëzoj për shkrimin. A je optimist për ribashkimin e forcave te djathta dhe neoliberalizim në këtë hallakamë përnallē zhurmës dhe propagandës së egër të së majtes ekstreme dhe vizionit te shtrembëruar të atyre që thirren në Rugovizem me format brutale dhe me dije të mangëta në politikë!
Miku im, po më vjen mirë që po i jep zë mendimit të ri me bagazh intelektual të fortë si në artikullin e sotëm për Jeton Kelmendin, po shumë po drusj që edhe në partinë tonë, se le më te lundërshtarët, serish të mundet nga zhurmaxhi pa ideale?!
Respekte të dyve Saim Tahiraj dhe Hamzë Morina !