ARKIVI:
6 Qershor 2026

Ku janë sot burrat e Kuvendit, nga Lidhja e Prizrenit te zëri i rinisë sot: një thirrje për bashkim e bashkëpunim në hapësirën shqiptare

Shkrime relevante

Një e vërtetë e thjeshtë për Çamërinë

Fahri Dahri, studjues i Çamërisë E vërteta e kombit tonë dihet, por...

Protestat e Zvërnecit…, a vijnë nga agjenturat serbo – greke ?

Gani I. Mehmeti U tha se ky projekt i investimit të dhëndrrit...

Një ditë para zgjedhjeve!

Florim Zeqa Në mungesë të një alterantive të re politike, edhe kësaj...

Provokimet e porositura ndaj LDK-së, janë huligane dhe banditeske!

Idriz Zeqiraj, Gjermani ______      Turneu bashkëbisedues me qytetarët e Kosovës, të...

Shpërndaj

Abdyl Frashëri i Madh. Njëri prej zërave të parë politik të Kombit. Ku janë sot burrat e Kuvendit?!

Nga Frank Shkreli

Më 10 qershor shqiptarët përkujtojnë themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarjen që shënoi zgjimin politik të Kombit dhe përpjekjen e organizuar për mbrojtjen e të drejtave kombëtare nga fundi i shekullit XIX. Frank Shkreli: Lidhja e Prizrenit një kthesë vendimtare për Kombin | Gazeta Telegraf.  Sot, 148 vjet më vonë, mesazhi i saj nuk lexohet vetëm në faqet e historisë, por sot dëgjohet edhe në rrugët e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, ku të rinjtë shqiptarë po kërkojnë më shumë mundësi, më shumë drejtësi dhe më shumë perspektivë për të ardhmen e vet dhe të Kombit në gtrojet e veta shekullore.

Si delegatët e Lidhjes së Prizrenit, 148 vite më parë, të prirë nga Abdyl Frashëri — themelues i Lidhjes së Prizrenit dhe mund të thuhet edhe zëri i parë politik i Kombit — që u bashkuan mbi dallimet krahinore e fetare të kohës për të mbrojtur interesin kombëtar, ashtu sot rinia shqiptare po artikulon kërkesa që tejkalojnë kufijtë politikë shqiptaro-shqiptar.  Në të tre qendrat kryesore të hapësirës shqiptare dëgjohet i njëjti shqetësim: largimi masiv i të rinjve, mungesa e meritokracisë, korrupsioni, papunësia, cilësia e arsimit dhe ndjenja se politika shpesh është më e përqendruar te interesat e saj personale, politike e partiake, sesa te e ardhmja e brezit të ri.

Kanë kaluar 148 vjet që nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, ngjarja më e rëndësishme politike e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në qershorin e vitit 1878, burrat më të shquar të kombit, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri dhe patriotë të tjerë, u mblodhën për të mbrojtur trojet shqiptare nga copëtimi dhe për të kërkuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Sot, pas gati një shekulli e gjysmë, rinia shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup po del në rrugë me kërkesa të tjera, por me të njëjtin shqetësim për fatin e kombit dhe të ardhmen e tij.  Nëse Lidhja e Prizrenit luftonte për mbijetesën politike dhe territoriale të Shqipërisë, të rinjtë e sotëm kërkojnë mbijetesën morale, demokratike dhe shoqërore të shteteve ku jetojnë shqiptarët.  Atëherë kërkohej mbrojtja e tokës shqiptare, ndërsa sot kërkohet mbrojtja e së ardhmes shqiptare. Atëherë kundërshtohej copëtimi i trojeve nga të huajt, ndërsa sot kundërshtohen korrupsioni, padrejtësitë, kapja e institucioneve dhe mungesa e perspektivës që po detyron shumë të rinj e të reja shqiptare – më të mirët dhe më të edukuarit e Kombit në histori – të largohen nga vendi i tyre.

Megjithëse rrethanat historike kanë ndryshuar, fryma e Lidhjes së Prizrenit mbetet pothuaj e njëjtë me dëshirat e rinisë sot për dinjitet, përfaqësim, pjesëmarrje dhe të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen. Në këtë kuptim, protestat e rinisë shqiptare nuk janë thjesht reagime të çastit, por vazhdimësi e një tradite të gjatë angazhimi qytetar dhe kombëtar.  Nëse Lidhja e Prizrenit ishte zëri i shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar në shekullin XIX, rinia shqiptare e shekullit XXI po përpiqet të bëhet zëri i një shoqërie që kërkon demokraci më të fortë, drejtësi dhe shpresë. Kjo është ura që lidh idealet e vitit 1878 me aspiratat e brezit të sotëm.  Historia mëson se kombet ecin përpara kur dëgjojnë zërin e rinisë së tyre. Ashtu siç dëgjohet ende jehona e Lidhjes së Prizrenit e një shekulli e gjysëm më parë, edhe kërkesat e rinisë shqiptare sot, meritojnë vëmendje dhe respekt, sepse në to pasqyrohet Shqipëria dhe shqiptaria e nesërme.

Prandaj, siç e kam thënë edhe më heret, protestat dhe lëvizjet qytetare nuk duhet të shihen sot si shprehje pakënaqësie kalimtare, por si një sinjal që kërkon vëmendje kombëtare. Sepse problemi i emigrimit të të rinjve nuk është vetëm problem i Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë së Veriut, por është një problem i gjithë kombit shqiptar. Çdo i ri që largohet nga Tirana, Prishtina apo Shkupi është një humbje për të gjithë hapësirën shqiptare.  Në këtë kuptim, fryma e Lidhjes së Prizrenit në këtë përvjetor merr një domethënie të re. Në vitin 1878 sfida ishte mbrojtja e tokës dhe identitetit kombëtar. Në vitin 2026 sfida është mbajtja e rinisë në trojet e veta, krijimi i mundësive për zhvillim dhe ndërtimi i institucioneve shtetërore të drejta dhe të barabarta që u japin besim dhe shpresë të gjithë qytetarëve, pa dallim. Një komb nuk rrezikon vetëm kur humbet territore. Ai rrezikon edhe kur humbet brezin e tij më të ri, më energjik dhe më të përgatitur.  Sot, ajo që duhet mbrojtur nuk është vetëm trashëgimia historike e Lidhjes së Prizrenit, por edhe e drejta e të rinjve për të ndërtuar jetën e vet në vendin e vet. Kjo kërkon më shumë bashkëpunim ndërshqiptar në arsim, ekonomi, kulturë dhe zhvillim teknologjik. Kërkon politika që e shohin rininë jo si elektorat, për përfitime partiake të pushtetit, por si partner në ndërtimin e së ardhmes.

Përvjetori i Lidhjes së Prizrenit është një kujtesë se shqiptarët kanë ditur të bashkohen kur rrezikohej e ardhmja e tyre. Sot nuk ka nevojë për kuvende lufte, por për shkëmbim idesh, projektesh dhe bashkëpunimi. Kërkesat e rinisë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup nuk janë të ndara. Ato janë pjesë e së njëjtës aspiratë për dinjitet, mundësi dhe drejtësi, nga shqiptarët për shqiptarët.  Mesazhi, pra që vjen nga Prizreni i vitit 1878 dhe nga rrugët e qyteteve shqiptare të sotme është i njëjtë: e ardhmja ndërtohet përmes bashkimit, jo përçarjes. Përmes bashkëpunimit, jo rivalitetit dhe përmes dëgjimit të zërit të rinisë, jo shpërfilljes së tij.  Përvjetori i Lidhjes së Prizrenit duhet të shërbejë si një kujtesë se sfidat e kohës sonë nuk mund të përballohen me përçarje në radhët e shqiptarëve. Ashtu si në vitin 1878, edhe sot kërkohet nga të gjithë — përfshir rininë, por sidomos klasën politke shqiptare — vizion, përgjegjësi dhe besim në forcën e bashkimit. Kombet që ecin përpara janë ato që dinë të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe jo mure ndarjeje.  Në këtë përvjetor të madh historik, mesazhi për shqiptarët kudo në trojet e tyre është i qartë. Është OK, të ruajnë dallimet politike si pjesë të demokracisë, por të forcojmë, njëkohsisht, unitetin kombëtar për çështjet që prekin të ardhmen e përbashkët. Ky ishte mësimi i Lidhjes së Prizrenit dhe kjo mbetet detyra e shqiptarëve sot.  Sepse bashkimi në mendje, besë e zemër, nuk është vetëm një ideal historik. Ai ai është kushti themelor për zhvillimin, dinjitetin dhe fuqinë e shqiptarëve në shekullin XXI.

Edhe njëherë pra, nëse Lidhja e Prizrenit ishte projekti i mbijetesës kombëtare të shqiptarëve në shekullin XIX, atëherë investimi te rinia dhe bashkëpunimi mbarëshqiptar, duhet të jetë sot projekti kombëtar i të gjithë shqiptarëve pa dallim në shekullin XXI. Vetëm kështu do të nderohet vërtetë trashëgimia e atyre që, më 10 qershor 1878, hodhën themelet e vetëdijes politike dhe kombëtare shqiptare. Abdyl Frashëri dhe bashkëluftëtarët e tij u kanë lënë pasardhësve të tyre një mësim dhe porosi që nuk e ka humbur vlerën deri në ditët e sotëme. Se është normale në një demokraci të mirëfilltë, se shqiptarët mund dhe duhet të kenë bindje të ndryshme politike, por kur bëhet fjalë për interesat madhore kombëtare,  ndër të tjera, luftën kundër korrupsionit, për arsimin, kulturën, gjuhën dhe të ardhmen e Kombit, ata duhet të flasin me një zë. Ky ishte mesazhi i Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878. Ky është mesazhi i saj edhe në vitin 2026, nepërmjet zërit të rinisë shqiptare dhe protestave të tyre ditët e fundit në hapësirën shqiptare.   

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu