
Idriz Zeqiraj, Gjermani
______
Turneu bashkëbisedues me qytetarët e Kosovës, të binomit Lumir Abdixhikut-Vjosë Osmani, përkatësisht, kryetar dhe bartëse e listës të LDK-së, po bëhet pa bujë e pompë, ndryshe nga të tjerët.
Rastisi që brenda javës, në dy takime të ndryshme, dyshja në fjalë bëri në Podujevë. Në të dy rastet, një grup huliganësh, ulërinin me fyerje mostrume ndaj mysafirëve të qytetit, gjë që nuk ndodhi në asnjë qytet tjetër.
Duke dëgjuar orkestrimin shpifës e denigrues ndaj një presidente unike, Vjosë Osmanit, vazhduese e denjë e vijës rugoviane, reagoi, në zemërim e sipër, kandidati për deputet, Dr. Ekrem Hyseni, “eh more qena”.
Kryetari i komunës vendore, Shpejtim Bulliqi, kundër-reagon:
“Është e turpshme dhe e papraneshme kur dëgjon kandidatin e LDK-së për deputet, duke iu drejtuar qytetarëve me fjalët fyese “eh, more qena”. Një qasje e tillë tregon arrogancë dhe mungesë respekti ndaj qytetarëve”.
Realisht, shprehja në afekt e Dr. Ekremit, ishte referencë për zyrtarët qendrorë dhe lokalë të LVV, të cilët ndërsejnë lukuninë e grupeve huligane e rrugaçërore, për të penguar bashkëbisedimin e qetë informues intelektual të Lumir Abdixhikut dhe të Vjosë Osmanit.
Këto grupime të veçuara, më se paku mund të identifikohet me qytetarët e Podujevës, të cilët, si trevë. shquhen për mikpritje dhe mirëpritje të mysafirëve.
Reagimi i profesor Bulliqit është në adresë të gabuar. Ai duhej t`i qortonte ulëritësit dhe fyerësit recidivistë të mysafirëve nga kryeqyteti. Duhej t`u thoshte se ata u thanë vetëm “eh, more qena”, ndërsa dikush tjetër mund t`ju thotë “eh, more qena bir qenash”, sepse robin mund ta lindësh, por edhe duhet edukuar për sjellje njerëzore dhe jo kafshërore!
Me gjithë respektin për kryetar Bulliqin, kritika drejtuar Dr. Ekremit, nënkuptohet si aprovim për ulërimat fyerëse të turmës huligane. Herë tjetër, veç britmave çjerrëse, mund të gjuajnë vezë këlluqe, madje edhe gurë, të trimëruar nga mbrojtja e kryetar Bulliqit!
Përndyshe, Dr. Ekrem Hyseni është kuadër shëndetësor dhe njerëzor – par exelance -, me një edukatë supreme.
Konsideratën e qytetarëve të Podujevës, për Dr. Ekremin e dëshmuan në garën e parë përballëse për kryetar komune me Shpejtim Bulliqin, diferenca ishte vetëm 1.5 %. Ndërkohë që ishte një angazhim enorme jo vetëm i LVV, por edhe i një pjese nga klani i Isa Mustafës. Këtë e pranon edhe ish-kryetari i suksesshëm i komunës, Agim Veliu, kur në TV-Dukagjini, moderatori Panduri, i bëri pyetjen direkte, nëse ai është faktor i humbjes të LDK-së në Podujevë, Veliu përgjigjet “po, jam faktor”.
Familjen Veliu, respektivisht, Gashi, e njoh që nga vitet `60-a, kur shërbeja mësues në atë trevë. Kjo familje ka qenë gjithherë në shënjestër të pushtuesit serbo-sllav. Kjo dëshmohet edhe me plagosjen, më saktë, tentim-vrasjen e Agimit nga argatët e Serbisë, tashmë, të strehuar në PAN-in kriminal.
Edhe të pakënaqurit e klanit Mustafa, edhe hatërimi i Agim Veliut, pikërisht tani, kur LDK-ja ka nismuar – Profilizimin e të Djathtës të Kosovës -, jo vetëm që nuk i shërbejnë LDK-së, të djathtës, demokracisë, përkundër bëhen njësh me PAN-in, për luftimin e kësaj nisme fisnike, siç është Bashkimin dhe Profilizimin djathtistë.
Ata që pretendojnë se të rikthyerit në shtëpinë e tyre legjitime, LDK-e, duhet kërkuar falje, gabohen rëndë, sepse kanë heshtur si peshqit, përgjatë rrënimit të partisë të Presidentit Rugova. Madje, nën trysninë e ish-kryetarit, të katapultuar në kreun e LDK-së, nga Hashim Thaçi, votuan marrëveshje fatale për Kosovën, përfshi këtu edhe bërjen e Hashimit president, edhe pse ishte porosi-amanet e Presidentit Rugova që “Hashimi të mos lejohet të ngritet në pozita të larta, sepse është i dëmshëm për Kosovën”.
Përndryshe, ndryshimi duhej bërë, për t`u çliruar nga bandat mafioze vrastare, hajnore e kontrabandiste të Kosovës. Dhe, këtë ndryshim dikush duhej ta bënte, qoftë edhe me çmimin që kërkonte pikërisht ndryshimi.
E ardhmja u përket reformatorëve. Këtë e ka dëshmuar historia ndër shekuj. Andaj, keni besim tek ata që kanë guximin qytetar dhe intelektual, në përballjen me çfarëdo pengesash, që dalin në rrugëtim e sipër, për arritjen e bashkimit dhe të profilizimit të së djathtës të Kosovës.
Dhe, kjo duhet të jetë krye-kauza e LDK-së, duke filluar që na 8 qershori 2026 dhe tutje. Kushdo që nuk aprovon këtë qëllim hyjnor, si amanet brezash, të flijuar për Shqipërinë Etnike, bënë mëkatin e madh.
Prandaj, bashkohuni me kryetar Lumirin dhe bartësen e listës zgjedhore, Vjosë Osmani, u kërkoni ta mbajnë fjalën e dhënë, për të bërë debat të hapur demokratik dhe zgjedhje të lira, me votë të fshehtë e demokratike, për të gjitha nivelet e strukturave të partisë, që nga baza e deri në qënder, për Kuvendin e Zgjedhor të radhës, të LDK-së dhe në vijimësi. Vetëm pas kësaj prove zgjedhore, LDK-ja do të këndellet, për të arritur të jetë konkurrente e denjë për pushtet dhe shtet.


