E ndoqa emisionin Tuaj. U zhgënjeva. Ma keni borxh një kafe virtuale për kohën që humba.
Sidomos konspiracionisti Cako livadhisi gjithandej për të prezantuar përmasat dhe rrezikun nga jahuditë. Keqardhje!
Rizarta Hoxha më fascinoi me oratorinë e saj elokuente, por më zhgënjeu me sloganet kriptoenveriste, bile edhe fashiste, meqë 7 protestat “masive” e “qytetare” në Tiranë moto kryesore kanë: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”. Pastaj, nuk skuqej fare kur gënjente për masivitetin e protestave. I kam ndjekur LIVE transmetimet televizive të katër televizioneve private. Herë pas here edhe REPORT TV, sepse emetonte video-incizime me dron. Në asnjë protestë nuk është mbushur Bulevardi me protestues, nga Kryeministria deri te Ura e Lanës. Uroj që Blendi apo Rizarta ta masin atë sipërfaqe, sa metra katrorë i ka, që të kenë numrin e përafërt të protestuesve. Mua më rezulton se aty nuk janë më shumë se 2000 metra katrorë (nga Kryeministria deri te Ura e Lanës duhet të jenë rreth 120 m gjatësi). Që do të thotë se aty asnjëherë nuk kanë marrë pjesë mbi 1800 protestues, sepse ata dendësoheshin vetëm afër mikrofonave, edhe për hir të mashtrimeve virtuale, meqë aty përqendroheshin kamerat televizive dhe fotografimet. Pak metra më larg kishte hapësira boshe.
Fatkeqësisht nuk e ruajta foton e një islamisteje, të mbuluar me ferexhe, që foli me një oratori të rrjedhshme, duke bërë pyetje sugjestive:
– Doni të formojmë parti?
– I grumbullojmë dot 3000 nënshkrime, të domosdoshme për regjistrimin e partisë?
– I realizojmë këto që miratuat brenda muajit?
(Këto janë parafrazime).
Turma i tumirte edhe me thirrje të orkestruar: “Revolucion!”, “Revolucion!”, për ta revolucionarizuar sa më shumë entuziazmin e tyre sektar.
Rizarta nuk pati kurajë të tregonte as tre emra të organizatorëve, por jepte garanci se nuk ka prapaskena komplotiste, duke menduar se mjafton prezantimi i saj si bashkë-organizuese.
Për ta ndihmuar Rizartën që të kuptojë se edhe Gjermania, si superfuqi ekonomike europiane, nuk ia del dot pa investime “të huaja” po i ofroj informimin: para një viti qeveria gjermane i ofroi kompanisë amerikane INTEL troje dhe infrastrukturë falas, si dhe DHJETË miliardë euro subvencion, që INTEL-i të ngriste repart në Gjermani. Njësoj veproi edhe ndaj një kompanie tajvaneze, me dallimin që asaj ia dhuroi “vetëm” GJASHTË miliardë euro subvencion.
Gjithandej në vendet e zhvilluara bëhet propagandë e ofrohen favore që të joshen investitorët “e huaj”. Këtë e bën edhe Kina, superfuqi komuniste.
“Mbështetja në forcat tona” dhe në sovranitetin nacional e katandisi Shqipërinë në kolaps në vitin 1990, saqë, po të kishte shtet që do të ofronte strehim e ushqim të bollshëm, pothuajse e gjithë popullsia do të shpërngulej, meqë nuk jetohet në një shtet që nuk të ngop dot as me bukë e kripë…
Këtu është linku i emisionit:



