Protesta e sotme në Zagorë (Zogaj) të Vushtrrisë, ku u mblodhën rreth 50-60 qytetarë, duhet të shihet përtej numrit të protestuesve. Një pjesë e tyre mund të jenë qytetarë të instrumentalizuar dhe të shtyrë nga një narrativë që ndoshta nuk e kuptojnë plotësisht. Por përgjegjësia kryesore bie mbi ata që e kanë nxitur dhe organizuar këtë klimë.
Sepse pyetja është shumë konkrete:
Si ka mundësi që në Doblibarë të Gjakovës, një fshat me popullsi 100% katolike, ekziston Tyrbja e Sheh Cenit dhe kjo bashkëjetesë fetare nuk paraqitet si problem, ndërsa në Zagorë të Vushtrrisë prania e një objekti katolik paraqitet papritur si kërcënim apo problem për shoqërinë?
Nëse parimi është respekti për vendin, ai duhet të vlejë për të gjithë. Nëse parimi është liria fetare, ajo nuk mund të jetë privilegj vetëm i shumicës.
Nuk mund të kërkohet tolerancë kur bëhet fjalë për fenë e dikujt dhe të mohohet kur bëhet fjalë për fenë e tjetrit.
Por këtu kemi edhe një çështje shumë më serioze: standardin e dyfishtë institucional.
Më 18 gusht ishte paraparë ceremonia e bekimit të gurthemelit të Kishës Katolike “Shën Flori dhe Lauri” në Zogaj. Sipas Dioqezës Prizren–Prishtinë, Policia e Kosovës e ndaloi ceremoninë, edhe pse autoritetet ishin njoftuar paraprakisht. Dioqeza e cilësoi vendimin si jokushtetues, joligjor dhe të pajustifikuar. Për të shmangur tensionet, ceremonia u zhvillua një ditë më herët.
Ndërkohë, sot kemi një protestë kundër ndërtimit të kësaj kishe, ku disa protestues pretendojnë se nuk janë kundër fesë katolike, por kundër një “rryme përçarëse”, ndërsa bëjnë edhe akuza të rënda për “direktiva serbo-ruse”.
Këtu lind pyetja themelore:
A po përdoret siguria publike si standard i barabartë për të gjithë, apo institucionet po detyrohen të përshtaten me presionin e grupeve të caktuara?
Nëse një ceremoni paqësore fetare ndalohet për shkak të rrezikut nga tensionet, atëherë duhet të hetohet seriozisht se nga kush vjen kërcënimi, kush e krijon tensionin dhe pse barra e kufizimit bie mbi komunitetin që po ushtron të drejtën e vet fetare.
Ky është rast që duhet të trajtohet urgjentisht nga organet kompetente, përfshirë Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëse ka dyshime për presion të organizuar, nxitje të intolerancës fetare, instrumentalizim ekstremist apo ndikim të paligjshëm mbi institucionet e shtetit.

Jo për të privilegjuar katolikët ndaj myslimanëve.
Por për të mbrojtur shtetin laik, rendin kushtetues dhe barazinë e qytetarëve para ligjit.
Sepse Kosova nuk mund të funksionojë me parimin:
“Feja ime po, feja jote jo.”
Dhe 50-70 protestues nuk janë Vushtrria. As nuk janë përfaqësues të mijëra banorëve të Zagorës dhe fshatrave përreth.
Vushtrria e vjetër nuk duhet të lejojë që qytetarët të instrumentalizohen në konflikte fetare dhe politike.
Liria fetare është e barabartë. Ligji është i barabartë. Institucionet duhet të jenë të barabarta.
Kushdo që ushtron presion mbi shtetin duhet të hetohet, pavarësisht se nga cila anë vjen.



