Që nga viti 2002, unë kam shkruar dhe kam folur kundër rrymave ideologjike fetare të huaja, të cilat kanë pasur si qëllim shkatërrimin e imazhit europian të Dardanisë . Shkrimet e mia janë botuar edhe në librin tim të botuar në vitin 2009, me titull„Gabimet politike në Kosovë dhe Shqipëri“, si dhe janë pjesë e arkivit publicistik që kam ruajtur.
Pata paralajmëruar se, nën petkun e të ashtuquajturave ndihma humanitare, kanë hyrë organizata të dyshimta me tendenca për të nxitur radikalizmin islamik në Kosovë.
Këto organizata tentuan futjen e këtij helmi që do ta dëmtonte Kosovën nga brenda, e më pas do të dëmtonte edhe imazhin e saj jashtë vendit, duke arritur në fund deri në prishjen apo ngjalljen e dyshimit tek ndërkombëtarët, të cilët e ndihmuan Kosovën të fitonte lirinë dhe të shpallte pavarësinë e saj.
Tani është tepër vonë, sepse Kosova sot është me të dyja këmbët në llumin e kësaj të keqeje, gjë që do të ketë pasoja të pariparueshme dhe do ta pengojë Kosovën në rrugën e integrimit në familjen europiane.


