____
Shumë emra po përmenden për presidentin apo presidenten e ardhshme të vendit. Secila figurë që përmendet është më i/e mirë se tjetra. Aty fare s’ka dilemë.
Mirëpo, i tërë problemi është tek Marrëveshja e Brukselit nga shkurti 2023 dhe tek ajo e Ohrit nga marsi 2023, prej nga edhe polli Aneksi katastrofal i Ohrit.
Prej nga atëherë, janë zbatuar pothuajse të gjitha marrëveshjet siç i parasheh Neni 10 i Aneksit të Ohrit, ku kërkohet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmes palëve në Bruksel prej vitit 2011 e deri më tani. Ka mbetë vetëm edhe Neni 7 i marrëveshjes për me u zbatu, e që është jetësimi i një territori autonom serb në Kosovë si dhe eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve “serbe” në Kosovë, për çka nevoiten institucione funkcionale të Kosovës dhe koncenzus i gjërë politik që të votohet me 81+ vota në Kuvend, siç edhe e kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Pra, nuk është problemi i zgjedhjes së një kukulle institucionale, siç është presidenti. Por, problemi është se Kurti e ka bërë bërllogun më të madh me pranimin e Aneksit të Ohrit dhe që më pas i përshpejtoi për poena të vetëm politik zbatimet e marrëveshjeve paraprake, siç disa e quajnë “çlirimi i veriut”, gjë që edhe ishte kushti kryesorë i Kosovës e që mbështetej edhe nga ndërmjetësuesit e BE-së për formimin e asociacionit (tashmë autonomi serbe) në Kosovë, ku thuhej se “pa u zbatuar marrëveshjet paraprake, nuk do të zbatohet asociacioni”. Dhe, tani Kurtit edhe po i’a kona me e mbajtë pushtetin me të gjitha benefitet materiale që i’a sjellë, edhe po mundohet me i ikë zbatimit final të marrëveshjes që ai e ka arritë në Bruksel dhe në Ohër në fillim të vitit 2023.
Kjo në njërën anë është mirë për Kosovën për me i ikë në njëfarë mënyre krijimit të një territori autonom serb në Kosovën e vogël, si dhe krijimin e shtatë ‘Hilandarave’ serbe të shtrira nëpër tërë territorin e Kosovës. Por, është pyetja; a i ngjanë kjo sjellje “fitores së Pirros”? Unë mendoj se po. Pikërisht kështu ishte edhe “fitorja” e famshme Pirros, sepse Kosovës po i shkatërrohet komplet ekonomia e vendit, e në ndërkohë për çdo ditë mesatarisht po ikin nga Kosova mes 150-180 të rinjë e të reja e kuadro të ndryshme profesionale, e që do të lenë pasoja shumë të ndieshme e afatgjate për vendin në të ardhmën.
Jam mëse i bindur se edhe Lumiri është pajtu që kështu duhet të bëjnë lojën bashkë me Kurtin me metodën ‘tërhiqe e mos e këput’, me shpresë se do të ndryshojnë kërkesat e ndërkombëtarëve dhe/apo edhe gjeopolitika e fuqive të mëdha në rajonin e gadishullit tonë. Poashtu, jam mëse i bindur se edhe subjektet tjera janë të vetëdishme për këtë dhe që poashtu po e luajnë lojën e Kurtit në këtë drejtim. Përndryshe, sigurisht se do të organizonin protesta të dhunshme kundër këtij zaptimi të paparë më herët anti-kushtetues të institucioneve të Kosovës, si dhe shkeljeve me të dy këmbët e recidive të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Për fund, zgjedhjet eventuale të reja aspak nuk do ta ndryshojnë situatën dhe nuk do ta zgjidhin këtë Nyje Gordiane. Por, për që është lojë e tmerrshme me nervat dhe ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, atë padyshim e them se po, është.



