Kur historia e komunizmit hyn në klasat amerikane

Shkrime relevante

Kur historia e komunizmit hyn në klasat amerikane

Nga Frank Shkreli ____ Florida në krye të një nisme të re arsimore...

Disa hoxhallarë të BIK-ut vjellin vrer kundër shqiptarëve, në veçanti kundër shqiptarëve katolikë…!

Shih videon ku analizon Blerim Nika: Hoxhallarët e BIK-ut që vjellin vrer...

Rrënjët tona Arbërore na tregojnë prej nga vijmë, Krishti na tregon kah të shkojmë

Plisi tek Perandori Tiberius Dom Fran Sopi, Zagreb “Bëni, pra, fryte të denja...

Kosova nuk ka nevojë për më shumë zhurmë, por për një plan

Lirim Gashi, Prizren ____ Kosova sot nuk është më Kosova e para një...

Guri i Kishës së Zogajt, me jehonë përtej Atlantikut

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani Nga një gur në Zogaj te një...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli
____
Florida në krye të një nisme të re arsimore – nga kujtesa e viktimave te mësimi i historisë, ideologjisë dhe pasojave të komunizmit
____
 Prej disa vitesh, në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një debat gjithnjë e më i rëndësishëm mbi mënyrën se si duhet t’u mësohet brezave të rinj historia e shekullit XX.  Në qendër të këtij debati është edhe një pyetje që për shumë vite është lënë në plan të dytë: sa dhe çfarë duhet të dinë nxënësit amerikanë për historinë e komunizmit, ideologjinë e tij, regjimet që u ngritën në emër të tij dhe miliona viktimat që la pas? Shteti Florida ka dhënë një përgjigje të qartë: kjo histori duhet të mësohet në shkolla. Kështuqë, duke filluar nga viti shkollor 2026–2027, shkollat publike të Floridës do të kenë detyrimin të japin mësim mbi historinë e komunizmit, në mënyrë të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e nxënësve. Kjo nuk është më thjesht një temë që mund të përfshihet rastësisht në një kurs historie; ajo është bërë pjesë e kërkesave të përcaktuara me ligj në sistemin arsimor të shtetit.
Vendimi është rezultat i një procesi që nisi më herët. Në vitin 2022, Florida krijoi edhe “Victims of Communism Day” – Ditën e Viktimave të Komunizmit, që shënohet më 7 nëntor. Që nga viti shkollor 2023–2024, nxënësit e shkollave të mesme që ndjekin kursin e qeverisjes amerikane duhet të marrin të paktën 45 minuta mësim mbi këtë temë.   Nga një ditë përkujtimore u zhvillua një program i plotë historik.  Në vitin 2024, Senati i Floridës miratoi “SB 1264 – History of Communism”, duke e zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme kërkesën për mësimin e kësaj historie. Ligji përcakton se mësimi duhet të përfshijë historinë e komunizmit në Shtetet e Bashkuara dhe lëvizjet komuniste vendase, mizoritë e kryera nën regjimet komuniste, krahasimin e komunizmit dhe totalitarizmit me parimet e lirisë dhe demokracisë, si dhe zhvillimet politike e ekonomike që paraprinë revolucionet komuniste.  Ligji kërkon që nxënësit të kuptojnë si lindin ideologjitë, si shndërrohen ato në sisteme politike dhe çfarë ndodh kur pushteti përqendrohet në duart e një partie ose të një udhëheqësi dhe eliminohen mekanizmat e kontrollit demokratik.  Duke parë nevojën për standardet e reja mësimi, në nëntor 2025, Bordi i Arsimit i Floridës miratoi standardet e reja për Historinë e Komunizmit, të cilat do të zbatohen nga viti shkollor 2026–2027. Departamenti i Arsimit i Floridës e përshkruan këtë si një përpjekje për t’u dhënë nxënësve një kuptim më të thellë të historisë, ideologjisë dhe ndikimit të komunizmit në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.  Madje, Florida ka krijuar edhe kurse të posaçme, “History of Communism 1” dhe “History of Communism 2”, si pjesë e përditësimit të kurikulës së studimeve shoqërore.  Në prill 2026, Departamenti i Arsimit njoftoi se po përgatitej për zbatimin e standardeve të reja në klasat 6–12 duke filluar nga viti shkollor 2026–2027.  Pra, Florida nuk po ndërmerr një veprim simbolik. Ajo po ndërton një program të institucionalizuar të edukimit mbi historinë e komunizmit. Po çfarë do të mësojnë, mund të jetë pyzetja më e rëndësishme në këtë mes.  Të mësosh historinë e komunizmit nuk do të thotë vetëm t’u tregosh nxënësve se çfarë ndodhi në Rusi në vitin 1917. Një edukim serioz duhet të nisë nga rrënjët intelektuale të ideologjisë, nga Marksi dhe zhvillimi i marksizmit, të kalojë te Lenini dhe revolucioni bolshevik, të shpjegojë krijimin e Bashkimit Sovjetik dhe më pas të analizojë përvojat e vendeve të ndryshme që u vunë nën regjime komuniste.  Duhet të mësohet historia e Stalinit, kolektivizimit dhe terrorit; gulagët dhe spastrimi politik; Holodomori dhe represioni në Ukrainë; Revolucioni Kulturor në Kinë; regjimi i Koresë së Veriut; Kamboxhia e Pol Potit; Kuba e Fidel Kastros; regjimet komuniste në Europën Lindore dhe në Ballkan.
Dhe këtu historia shqiptare ka një vend të rëndësishëm.  Sepse Shqipëria ishte një prej diktaturave më të izoluara dhe më shtypse komuniste të Europës. Për dekada, shqiptarët jetuan nën një sistem ku partia-shtet kontrollonte politikën, ekonominë, arsimin, kulturën, fenë dhe jetën publike. Burgjet politike, internimet, kampet e punës, persekutimi fetar, lufta kundër pronës private dhe izolimi ndërkombëtar, janë pjesë e kësaj historie.  Për këtë arsye, historia shqiptare mund të shërbejë edhe si një rast studimi për mënyrën se si një ideologji politike mund të shndërrohet në një sistem totalitar.  Pse kjo histori është e rëndësishme për Amerikën dhe nxënsit e saj është fakti se Shtetet e Bashkuara nuk kanë  përjetuar historinë e komunizmit. Por edhe për arsyen se Lufta e Ftohtë ishte një prej përplasjeve më të mëdha politike, ushtarake dhe ideologjike të shekullit XX. Për afro gjysmë shekulli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik u përballën në një konflikt global që ndikoi në Europë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. NATO, Lufta e Koresë, Lufta e Vietnamit, kriza e raketave në Kubë, gara bërthamore, Berlini, Europa Lindore dhe rënia e Murit të Berlinit, të gjitha këto janë pjesë e historisë amerikane po aq sa janë pjesë e historisë europiane.  Prandaj, një qytetar amerikan që nuk e njeh historinë e komunizmit e ka më të vështirë të kuptojë edhe historinë e politikës së jashtme amerikane të shekullit XX.
Ashtuqë,  kjo nismë ka një rëndësi të veçantë edhe për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara,  Shumë prej shqiptarëve që jetojnë në Amerikë janë pasardhës të familjeve që e kanë njohur nga afër diktaturën komuniste. Ka familje që kanë humbur të afërm në burgje, kampe internimi ose për shkak të përndjekjes politike e fetare. Ka të tjerë që u larguan nga Shqipëria pikërisht për t’i shpëtuar sistemit komunist.  Këto histori janë pjesë edhe të historisë amerikane.  Nëse brezat e rinj shqiptarë-amerikanë do të mësojnë në shkollat amerikane historinë e komunizmit, ata do të kenë edhe një mundësi për të kuptuar më mirë historinë e prindërve dhe gjyshërve të tyre.  Por kjo kërkon edhe një përgjegjësi nga komuniteti shqiptar që të ruajë dokumentet, dëshmitë, kujtimet dhe historitë personale të atyre që e përjetuan diktaturën.  Historia shqiptare nuk duhet të mbetet vetëm në kujtesën familjare. Ajo duhet të dokumentohet. Mësimi i komunizmit nuk është luftë kundër historisë – është mbrojtje e saj, sepse në një shoqëri demokratike mund dhe duhet të diskutohet për çdo ide politike. Mund të diskutohet edhe për komunizmin si doktrinë politike, për marksizmin, për historinë e lëvizjeve të majta dhe për debatet sociale që kanë shoqëruar zhvillimin e tyre.  Por nuk mund të ketë debat serioz pa njohjen e fakteve. Dhe këtu qëndron rëndësia e nismës së Floridës.  Në vend që komunizmi të mbetet një fjalë e largët në një libër historie, nxënësit do të kenë mundësi të studiojnë se si u zhvillua kjo ideologji, si u aplikua në vende të ndryshme dhe cilat ishin rezultatet konkrete për shoqëritë që jetuan nën regjimet komuniste.  Një qytetar i lirë duhet të dijë jo vetëm çfarë është liria, por edhe çfarë ndodh kur liria humbet.
Si një mësim për brezat e ardhshëm, nisma e Floridës duhet parë edhe në një kontekst më të gjerë. Se demokracia nuk mbrohet vetëm me kushtetuta dhe ligje. Ajo mbrohet edhe me kujtesë.  Një brez që nuk njeh historinë mund të jetë më i ekspozuar ndaj propagandës. Një brez që nuk e di se çfarë ndodh kur shtypet fjala e lirë mund ta marrë lirinë e shprehjes si diçka të garantuar përgjithmonë. Një brez që nuk njeh pasojat e diktaturës mund të mos e kuptojë sa e rëndësishme është ndarja e pushteteve, pluralizmi politik, zgjedhjet e lira, prona private dhe liria e besimit.  Prandaj, mësimi i historisë së komunizmit nuk duhet të jetë thjesht një betejë mes së majtës dhe së djathtës amerikane, ose shqiptare.  Duhet të jetë, para së gjithash, një përpjekje për të ruajtur kujtesën historike dhe për të edukuar qytetarë që dinë të mendojnë në mënyrë kritike. Florida ka hapur një kapitull të ri.  Tennessee po ndjek një rrugë të ngjashme. Dhe debati amerikan mbi mënyrën se si duhet të mësohet historia e komunizmit sapo ka filluar.  Për shqiptarët kudo, ky debat duhet të ketë një jehonë edhe më të fortë. Ne vijmë nga një vend ku komunizmi nuk është një kapitull abstrakt i një libri historie. Komunizmi është një përvojë e gjallë dhe e hidhur e prindërve, gjyshërve dhe familjeve tona.  Prandaj, kur Amerika vendos t’u mësojë nxënësve historinë e komunizmit, kjo është edhe një mundësi që zëri i viktimave shqiptare të dëgjohet më larg, përtej kufijve të vendit ku ata vuajtën. Sepse kujtesa nuk është hakmarrje. Kujtesa është përgjegjësi.  Dhe një demokraci që e njeh të kaluarën e saj është më e përgatitur për të mbrojtur të ardhmen.
*Shënim për saktësinë: Artikulli mbështetet në tekstin aktual të Statutit të Floridës, dokumentet e Departamentit të Arsimit të Floridës dhe burime të tjera, si më poshtë: — Frank Shkreli : Një muze i ri në Washington, kushtuar 100 milionë viktimave të komunizmit në botë | Gazeta Telegraf

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu