Luan Dibrani,
Propaganda serbe me petkun e “mbrojtjes së islamit” – një skenar i vjetër për përçarjen e shqiptarëve
Karikatura që po paraqes sot nuk është thjesht një ilustrim politik. Ajo është një pasqyrë ironike dhe therëse e një skeme të vjetër serbe, e cila historikisht ka ditur të luajë me ndasitë fetare për të dobësuar trungun kombëtar shqiptar. Sot këtë e shohim në një formë sa të pacipë, aq edhe të rrezikshme: Serbia paraqitet si “mbrojtëse” e xhamive, e hoxhallarëve, e predikimeve islame dhe e popullit të besimit islam në Kosovë, madje duke e quajtur pa asnjë turp Kosovën ende me termin kolonialist e politik “Kosovo i Metohija”.
Kjo nuk është mbrojtje.
Kjo është propagandë.
Kjo është përvetësim politik i fesë.
Dhe mbi të gjitha, kjo është përpjekje e qëllimshme për t’i përçarë shqiptarët nga brenda.
Serbia, e cila për dekada të tëra ka ushqyer projekte për dëbimin, nënshtrimin dhe shuarjen e qenies shqiptare në trojet tona, sot mundohet të vishet si “kujdestare” e myslimanëve shqiptarë. Kjo është po aq absurde sa edhe fyese për kujtesën historike të këtij populli. Që nga projektet famëkeqe të Vasa Çubriloviqit e deri te linjat shoviniste të politikës serbe dhe qarqeve kishtare serbe, shqiptarët janë parë si problem për t’u dobësuar, shpërndarë e përçarë. Dhe një nga mjetet më të përdorura ka qenë pikërisht feja.
Kur Serbia thotë: “Do t’i mbrojmë xhamitë tuaja, do t’i mbrojmë hoxhallarët tuaj, do t’i mbrojmë predikimet islame, do ta mbrojmë popullin tonë mysliman në Kosovë e Metohi”, ajo nuk po flet si mbrojtëse e lirive fetare. Ajo po flet si pretendente mbi territorin e Kosovës dhe si regjisore e një skenari të vjetër politik: ta paraqesë shqiptarin mysliman si të afërt me Serbinë, ndërsa shqiptarin katolik, intelektualin shqiptar, gazetarin shqiptar dhe shtresën qytetare si armiq të islamit.
Ky është thelbi i mashtrimit.
Pra, sipas kësaj propagande, xhamitë në Kosovë nuk qenkan më xhami të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por gjoja “pasuri” që Serbia duhet t’i ruajë. Hoxhallarët nuk qenkan më prijës fetarë të komuniteteve të tyre, por njerëz që duhet të jenë nën “ombrellën mbrojtëse” të Beogradit. Besimtarët myslimanë nuk paraqiten më si pjesë organike e kombit shqiptar dhe e shtetit të Kosovës, por si një “trup” i veçuar, që Serbia paskësh të drejtë ta përdorë si mjet ndikimi.
Kjo është një fyerje e dyfishtë:
së pari ndaj shqiptarëve myslimanë, sepse i trajton si masë të manipulueshme;
së dyti ndaj vetë shtetit të Kosovës, sepse nënkupton se Serbia ka ende të drejtë të sillet si zot shtëpie në tokën tonë.
Në këtë lojë të ndyrë, Serbia përpiqet të ngrejë një mur mes shqiptarëve: nga njëra anë t’i vendosë myslimanët, nga ana tjetër katolikët; nga njëra anë hoxhallarët, nga ana tjetër intelektualët; nga njëra anë fenë, nga ana tjetër kombin. Dhe aty ku gjen terren të përshtatshëm, futet edhe islamizmi politik, i cili shpesh, me vetëdije ose jo, bëhet vegël e kësaj skeme. Sepse në çastin kur çdo kritikë ndaj radikalizmit fetar shpallet “sulm ndaj islamit”, atëherë propaganda serbe e ka më të lehtë të thotë: “Ja pra, ne duhet t’ju mbrojmë nga shqiptarët e tjerë.”
Sa e ulët, aq edhe e rrezikshme!
Kjo propagandë nuk mbron fenë islame. Ajo e përdor fenë islame. Nuk mbron myslimanët. I instrumentalizon myslimanët. Nuk mbron xhamitë. I përdor xhamitë si dekor politik për të futur thikën e përçarjes në trupin kombëtar shqiptar. Dhe njëkohësisht, duke përdorur termin “Kosovo i Metohija”, Serbia e zbulon vetë fytyrën e saj të vërtetë: ajo ende nuk është çliruar nga mendësia e vjetër pushtuese dhe nga etja për ta trajtuar Kosovën si pronë të saj.
Kjo duhet thënë hapur dhe pa asnjë druajtje:
Askush nuk ka të drejtë ta quajë popullin mysliman të Kosovës “populli ynë” në kuptimin shtetëror e politik, përveç vetë Republikës së Kosovës.
Askush nuk ka të drejtë të pretendojë se do t’i mbrojë “territoret e veta” në Kosovë nën maskën e mbrojtjes së fesë.
Dhe askush nuk duhet të lejojë që propaganda serbe ta kthejë besimin në flamur të pretendimeve territoriale.
Shqiptarët kanë jetuar e mbijetuar ndër shekuj pikërisht sepse nuk e kanë lënë fenë të bëhet kazmë kundër kombit. Myslimanë, katolikë e të tjerë kanë qenë pjesë e së njëjtës plagë, të së njëjtës qëndresë dhe të së njëjtit ideal kombëtar. Kushdo që sot mundohet ta shkëpusë një pjesë të shqiptarëve nga pjesa tjetër, qoftë në emër të kishës, qoftë në emër të xhamisë, qoftë në emër të politikës së ditës, është duke punuar kundër unitetit kombëtar.
Prandaj karikatura serbe që paraqet Beogradin si “rojtar” të xhamive, të hoxhallarëve e të myslimanëve në Kosovë, duhet lexuar si një akt i pastër shovinizmi propagandistik. Ajo synon të thotë: “Kosova ende është nën hijen tonë; myslimanët atje janë të tanët; ne do t’i mbrojmë ata nga vetë shqiptarët.” Kjo është një tezë helmuese, fyese dhe politikisht agresive.
Shqiptarët duhet ta lexojnë drejt këtë mesazh.
Jo si debat fetar.
Jo si “ndjeshmëri” ndaj islamit.
Por si përpjekje e vjetër serbe për të futur ndarje, për të krijuar aleatë të brendshëm dhe për ta zgjatur hijen e ndikimit të saj mbi Republikën e Kosovës.
Feja është e lirë.
Xhamitë janë të nderuara.
Hoxhallarët, priftërinjtë dhe çdo prijës fetar duhet respektuar në misionin e tyre shpirtëror.
Por feja nuk guxon të bëhet pronë e Serbisë, as instrument i islamizmit politik, as urë për pretendime ndaj tokës sonë.

Kosova është Republikë.
Nuk është “Metohi”.
Myslimanët e saj janë bij të këtij vendi, jo plaçkë propagande.
Dhe kush tenton t’i ndajë shqiptarët në emër të fesë, le ta dijë: po prek një nga themelet më të shenjta të mbijetesës sonë kombëtare.
Luan – Asllan Dibrani



