_____
Talibanit të sotëm shqiptar dhe atij global nuk i duhet të vijë nga shpellat e Tora Borës. Mjafton ta ketë një telefon inteligjent, një lidhje interneti dhe një tru që e keqpërdor teknologjinë e shekullit XXI për t’i përhapur paragjykimet e shekullit VII.
Këta janë revolucionarët e epokës digjitale:
E urrejnë Perëndimin përmes telefonave që ua ka vënë në dispozicion teknologjia perëndimore, e mallkojnë Amerikën nëpërmjet platformave amerikane dhe i shpallin luftë qytetërimit duke i keqpërdorur arritjet e tij më të përparuara teknologjike.
Sikur dikush ta kishte shpikur lugën vetëm për t’i dhënë budallait mundësinë ta godiste veten në ballë.
Por kjo tragjikomedi bëhet edhe më e neveritshme kur këta profetë të injorancës mbështillen me simbolet e UÇK-së, sikur sakrifica e luftëtarëve shqiptarë të ishte pronë private e çdo fanatiku që sapo ka zbuluar butonin “Shpërndaje”.
UÇK-ja nuk luftoi që dikush ta keqpërdorte emrin e saj për ta ushqyer urrejtjen ndaj Amerikës, Evropës apo hebrenjve. Sakrifica e saj nuk përbënte licencë për fanatizëm, ndërsa flamuri i saj nuk ishte perde prapa së cilës mund të fshihet çdo marrëzi politike, fetare apo ideologjike.
Dhe pikërisht këtu nis paradoksi që do ta detyronte edhe vetë Ajnshtajnin ta kërkonte një kafe të fortë:
Njerëzit që e konsiderojnë Perëndimin armik, por që nuk do të mund ta përhapnin urrejtjen e tyre në përmasa të tilla pa teknologjinë, lirinë e shprehjes dhe hapësirën publike që ua garanton pikërisht ai Perëndim.
Ata e keqpërdorin lirinë për të predikuar kundër lirisë, demokracinë për të sulmuar demokracinë dhe internetin për të shpallur epërsinë e injorancës mbi dijen.
Është njësoj sikur dikush të hyjë në një stacion zjarrfikësish, t’i veshë çizmet e zjarrfikësve, ta marrë zorrët e ujit dhe pastaj ta mbajë një fjalim kundër rreziqeve të ujitjes.
Por kulmi i kësaj komedie të zezë është mosmirënjohja.
Ndihma që popujt dhe shtetet perëndimore u kanë dhënë shqiptarëve nuk krijon asnjë detyrim për të heshtur përballë padrejtësive. Mirëpo, ta shndërrosh atë ndihmë në objekt urrejtjeje, ndërkohë që përfiton nga liritë të cilat ajo ndihmoi të mbroheshin, përbën një formë krejt të veçantë falënderimi:
Të pështysh mbi shkallët që të ndihmuan të dalësh nga bodrumi.

Edhe protestat në Shqipëri, sado fisnike të jenë qëllimet e tyre, nuk duhet të shndërrohen në strehë për ata që përpiqen ta kontrabandojnë fanatizmin nën petkun e drejtësisë. Një kauzë e drejtë nuk bëhet e padrejtë vetëm pse dikush përpiqet ta keqpërdorë, por asnjë kauzë nuk duhet t’u sigurojë amnisti morale atyre që përhapin urrejtje.
Prandaj, këta talibanë të tastierës nuk kanë nevojë të mposhten me fyerje, por të demaskohen përmes fakteve, ironisë dhe mendimit kritik. Fyerjet mund t’ua ushqejnë kompleksin e viktimës, ndërsa argumentet ua zhveshin maskën.
Në fund të fundit, tragjedia nuk qëndron te fakti se këta njerëz e urrejnë Perëndimin. Tragjikomedia qëndron te fakti se ata e keqpërdorin qytetërimin perëndimor si megafon për ta reklamuar armiqësinë ndaj vetë qytetërimit që ua mundëson këtë gjë.
Dhe, nëse historia zotëron sadopak sens humori, ajo do t’i vendosë në muzeun e absurditetit, me këtë mbishkrim:
Këtu prehet logjika. E vranë me një telefon inteligjent, duke e keqpërdorur internetin falas të lirisë së shprehjes.



