Punë e madhe, që qenka arrestuar nipi i Hashim Thaçit!
Por pse, vallë, duhet të vlejë ai më shumë se cilido protestues tjetër?
Sepse e vozit veturën më luksoze – ndoshta për t’i impresionuar e për t’i joshur në shtrat femrat më epshore, ato që i eksiton më shumë shkëlqimi i euros sesa karakteri, inteligjenca apo pamja e një mashkulli?
Sepse babai i tij është më i pasur se Angela Merkel?
Apo sepse mbiemri Thaçi, në Kosovën tonë të çuditshme, peshon më rëndë se vetë ligji?
Nëse është arrestuar pa bazë ligjore, duhet të lirohet.
Menjëherë.
Pa pyetur se nipi i kujt është.
Nëse, ndërkaq, është arrestuar në mënyrë të ligjshme, atëherë duhet të përgjigjet për atë që ka bërë.
Edhe këtu pa pyetur se nipi i kujt është.
Sepse pikërisht këtu fillon shteti ligjor.
Jo aty ku të gjithë janë të barabartë derisa në derën e drejtësisë të trokasë dikush me mbiemër të rëndësishëm.
Jo aty ku barazia vlen për qytetarin e zakonshëm, ndërsa për familjarin e pushtetshëm ligji papritur fillon të ketë temperaturë, humor dhe përjashtime.
Në një shtet ligjor nuk ka protestues të dorës së parë dhe protestues të dorës së dytë.
Nuk ka mbiemra të mëdhenj dhe mbiemra të vegjël.
Nuk ka qytetarë VIP përballë ligjit.
Ka vetëm qytetarë.
Dhe ka vetëm ligj.
Ligji ose vlen për të gjithë, ose shndërrohet në një tarifore privilegjesh ku secili paguan sipas mbiemrit, pozitës dhe milionave të grumbulluar.
Nëse për qytetarin e zakonshëm vlen një rregull, ndërsa për nipin e një politikani të fuqishëm vlen një tjetër, atëherë mund t’i heqim nga raftet të gjitha librat mbi shtetin ligjor, t’i mbyllim ceremonitë, t’i fikim kamerat dhe të mos shtiremi më sikur kemi barazi para ligjit.
Sepse atëherë nuk kemi shtet ligjor.
Kemi feudalizëm.
Vetëm se feudalizmi ynë është modernizuar pak.
Ka uniforma policie.
Ka vula.
Ka stema shtetërore.
Ka konferenca për media.
Ka komunikata zyrtare.
Dhe, natyrisht, ka edhe mbiemra që duket se kërkojnë një procedurë të veçantë.
Prandaj pyetja kryesore nuk është nëse është arrestuar nipi i Hashim Thaçit.
Pyetja është shumë më e thjeshtë.
Dhe pikërisht për këtë arsye shumë më e pakëndshme:
A vlen ligji vërtet njësoj për të gjithë?
Nëse përgjigjja është „jo“, atëherë nuk kemi ndërtuar shtet ligjor.
Vetëm i kemi ndërruar flamujt, pushtetarët dhe mbiemrat e familjeve që besojnë se qëndrojnë mbi ligjin.
Ndërsa populli, si gjithmonë, ka mbetur poshtë tyre.
Kanë ndryshuar vetëm emrat e atyre që i qëndrojnë mbi kokë.
Por shteti ligjor nuk duhet të merret vetëm me pyetjen nëse është arrestuar nipi i ndonjë politikani të fuqishëm.
Duhet ta ketë edhe një pyetje tjetër.
Ndoshta edhe më të rëndësishme:
Nga vjen pasuria e babait të tij?
Në një shtet ligjor, prejardhja e një pasurie marramendëse nuk duhet të jetë temë tabu vetëm sepse ajo i përket një familjeje me mbiemër të fuqishëm.
Pasuria nuk duhet të ketë mbiemër.
Duhet të ketë burim.
Dhe burimi duhet të verifikohet.
Nëse gjithçka është fituar ligjërisht – shkëlqyeshëm.
Le të dëshmohet.
Nëse jo – le të hetohet.
Kaq.
As më shumë, as më pak.
Por nëse prejardhja e një pasurie marramendëse nuk guxon të vihet në dyshim vetëm sepse pas saj qëndron një mbiemër i famshëm, atëherë nuk kemi më sundim të ligjit.
Kemi sundim të mbiemrave.
Dhe këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.
Sepse çështja nuk është vetëm juridike.
Është edhe morale.
Madje, në thelb, është thellësisht morale.
Në një shoqëri ku disa familje grumbullojnë pasuri të jashtëzakonshme, ndërsa mijëra fëmijë rriten në varfëri, dikush duhet të ketë guximin të pyesë:
Si u krijua ajo pasuri?
Dhe, po aq e rëndësishme:
Çfarë çmimi shoqëror mund të ketë paguar dikush tjetër për të?
Një familje që jeton në një nivel të jashtëzakonshëm pasurie duhet të jetë në gjendje t’i bëjë ballë një pyetjeje fare të zakonshme:
Nga i ka gjithë ato para?
Ndoshta janë fituar krejtësisht në mënyrë të ligjshme.
Shkëlqyeshëm.
Le të dëshmohet.
Ndoshta jo.
Atëherë le të hetohet.

Atdhe Thaçi, nipi i Hashim Thaçit
Por ajo që nuk mund të pranohet është ideja se mbiemri i fuqishëm mund të shërbejë njëkohësisht si pasaportë privilegji, certifikatë pafajësie dhe biletë për t’iu shmangur pyetjeve.
Sepse shteti ligjor nuk duhet të pyesë:
„I kujt është ky fëmijë?“
Duhet të pyesë:
„Nga vjen kjo pasuri?“
Dhe pastaj duhet të shikojë në anën tjetër të shoqërisë.
Atje ku elitat politike zakonisht nuk kanë shumë dëshirë të shikojnë.
Te fëmijët të cilëve u mungon ajo që dikush tjetër e ka grumbulluar me tepricë.
Sepse kur pasuria përqendrohet në duart e pak njerëzve, ndërsa varfëria shpërndahet në mijëra familje, nuk mjafton të numërohen milionat.
Duhet të numërohen edhe fëmijët.
Fëmijët që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.
Fëmijët që nuk kanë libra.
Fëmijët që nuk kanë ngrohje.
Fëmijët që nuk kanë kushte dinjitoze për shkollim.
Fëmijët të cilëve e ardhmja nuk u mohohet me një vendim të vetëm, por me çdo ditë që e kalojnë në varfëri.
Sepse pas çdo shoqërie thellësisht të pabarabartë fshihet një pyetje që pushteti nuk ka kurrë shumë dëshirë ta dëgjojë:
Sa fëmijë duhet të mbeten pa të ardhme, që disa familje të mund të kenë gjithçka?
Dhe nëse kjo pyetje na shqetëson më pak sesa arrestimi i nipit të Hashim Thaçit, atëherë ndoshta problemi nuk është vetëm te shteti ligjor.
Ndoshta problemi është se kemi filluar të mendojmë se edhe drejtësia duhet të ketë mbiemër.



